Tomë Gashi flet për përçarjen brenda LDK-së - vjen me një parashikim jo të mirë!

Politika

Tomë Gashi flet për përçarjen brenda LDK-së - vjen me një parashikim jo të mirë!

Nga: M.Haziri Më: 25 mars 2025 Në ora: 15:53
Tomë Gashi

Ish-kryeministri i fundit nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti dhe ish-ministri Agim Veliu janë dy figurat që kanë kërkuar hapur ndryshime në udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pakënaqësi në lidhje me numërimin e votave brenda partisë dhe favorizim të disa figurave të reja kanë shprehur edhe ish-zëvendëskryeministri Driton Selamanaj, ish-shefi i grupit parlamentar Arben Gashi dhe deputetja Rrezarta Krasniqi.

Në mbrojtje të Abdixhikut janë radhitur nënkryetarët Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri e Doarsa Kica Xhelili duke i quajtur kërkesat për ndryshime si qesharake.

E në lidhje me këtë përçarje mes partiakëve të LDK-së, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai thotë se që nga vdekja e presidentit Rugova, LDK ka mbetur vetëm si hije e asaj LDK-je të Rugovës.

Sipas tij, në LDK mund të ndodhin shumë përçarje të mëdha dhe do ta dobësojnë të njëjten.

Unë mendoj se pas ikjes nga kjo botë të presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili e trasoi shumë herët rrugën e pavarësisë së Kosovës, LDK-ja ka mbetur vetëm si hije e asaj LDK-je të Rugovës.

Këtë e ka vërtetuar LDK-ja shumë herë, duke formuar koalicione me PDK-në dhe duke u shndërruar shpeshherë në një patericë të PDK-së.

Besoj se në LDK mund të ndodhin përçarje shumë të mëdha, aq sa mund ta dobësojnë edhe më tej partinë.

Ka gjasa që përsëri një pjesë e LDK-së të ndahet në fraksione, ashtu siç po ndodh me PD-në në Shqipëri?”, u shpreh avokati Gashi për “Bota sot”.

Kujtojmë që Lidhjes Demokratike i kërkohet që para zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë të mbledhë strukturat e partisë dhe t’i jepet një votëbesim kryetarit aktual në mënyrë që të mos dëmtohet në procesin lokal zgjedhor.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK mori mbi 171 mijë vota apo 18.3% që përkthyer në mandate i bie 20të tilla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat