Deklarata inkurajuese nga BE/ Pa përfshirjen e SHBA-së nuk do të ketë dialog të suksesshëm me Serbinë

Politika

Deklarata inkurajuese nga BE/ Pa përfshirjen e SHBA-së nuk do të ketë dialog të suksesshëm me Serbinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 mars 2025 Në ora: 13:33
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper

Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet kyç për rrugën e të dyja vendeve drejt integrimit evropian.

Ajo tha se BE-ja po vazhdon angazhimin e saj dhe se emisari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, po zhvillon vizitën e tij të parë në Beograd, ku do të qëndrojë deri të mërkurën.

“Ne po vazhdojmë angazhimin. Emisari i BE-së për dialogu Peter Sorensen po bën vizitën e parë në Beograd. Do të jetë nga sot deri të mërkurën në Beograd. Kur bëhet fjalë për dialogun, ne jemi të përkushtuar që të shohim që rruga drejt BE-së për të dyja palët të shkojë nëpërmjet dialogu të lehtësuar. Këtu jemi në këtë fazë”, tha Hipper.

E pyetur për bashkëpunimin me SHBA-në, Hipper theksoi se BE-ja bashkëpunon me gjithë partnerët, përfshirë SHBA-në, por nuk dha detaje mbi kontaktet me administratën e re amerikane.

Sadiku: Koordinimi SHBA-BE do jetë konsistent në zhbllokimin e hapave për dialogun Kosovë-Serbi

Analisti politik, Arbnor Sadiku, në një përgjigje të shkurtër për “Bota sot” tha se kjo është deklaratë inkurajuese nga BE.

“Po në fakt kjo është një deklaratë inkurajuese së vërtetë koordinimi në mes të SHBA-së dhe BE-së do jetë konsistent në zhbllokimin e hapave për dialogun Kosovë-Serbi”, thotë ai.

Image
Arbnor Sadiku

Rugova: Pres të deleguar të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor

Kurse, ish-deputeti Naser Rugova, thotë se kjo është e dijshme se procesi i dialogut nuk përmbyllet pa pjesëmarrjen amerikane.

Më tej, Rugova thotë se pret një të deleguar të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, që do të kujdeset dhe do të përfaqësojë SHBA-në dhe qëndrimet zyrtare të saj lidhur me përfundimin me sukses të këtij procesi.

“Vlerësoj se pas një periudhe status quoje në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pas zgjedhjeve në SHBA dhe në prag të konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës, pritet dinamikë e re dhe veprime më proaktive, sidomos nga BE-ja dhe i deleguari i saj, që para disa ditësh vizitoi Kosovën. Edhe BE-ja është e vetëdijshme se pa një pjesëmarrje aktive amerikane, ky proces nuk mund të përmbyllet me sukses, andaj ka kontakte dhe konsultime mes SHBA-së dhe BE-së për këtë çështje.

Pres një të deleguar të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, që do të kujdeset dhe do të përfaqësojë SHBA-në dhe qëndrimet zyrtare të saj lidhur me përfundimin me sukses të këtij procesi”, vlerëson ai për “Bota sot”.

Image
Naser Rugova

Bilalli: Dyshime për ftohje të marrëdhënieve mes BE-së dhe SHBA-së!

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilalli, thekson se deklaratat e saj tregojnë përkushtimin e BE-së për të ofruar palët në dialogun tani më të stërzgjatur, por ende pa rezultate.

Ai vë theksin te citatit i tillë "përfshirë SHBA-në" që sipas tij tregon se ka një ftohje të politikës së BE-së në raport me SHBA-në për shkak të luftës në Ukrainë dhe "luftës" tregtare për tarifat doganore mes SHBA-ve dhe BE-së.

“Stabiliteti dhe marrëveshja Kosovë-Serbi arrihet vetëm me këmbënguljen amerikane! Evropianët janë faktorë me rëndësi, por nuk mund të arrijnë zgjidhje pa vulën e SHBA-ve.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, ka thënë se BE-ja është e përkushtuar ndaj dialogut Kosovë-Serbi. Mendoj që deklaratat e saj tregojnë përkushtimin e BE-së për të ofruar palët në dialogun tani më të stërzgjatur, por ende pa rezultate. A do të kemi dinamikë të shtuar rreth aranzhimit të takimeve të radhës mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet në ditët dhe javët në vijim.

Peter Sorensen po bën vizitën e parë në Beograd. Do të jetë nga sot deri të mërkurën në Beograd. "Kur bëhet fjalë për dialogun, ne jemi të përkushtuar që të shohim që rruga për të dyja palët është BE-ja," tha Hipper.

Sigurisht, pas vizitës së emisarit Sorensen para disa ditësh në Prishtinë, tani është radha që ai të shkojë edhe në Beograd për një vizitë dyditëshe. Rrugëtimi i Sorensenit do të jetë me mesazh të qartë për Serbinë se e vetmja rrugë do të jetë dialogu dhe arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obligative në raport me Kosovën, si parakusht për integrimin e Serbisë në BE.

Hipper ka thënë se “BE-ja bashkëpunon me gjithë partnerët, përfshirë SHBA-në.” Kjo deklaratë e zëdhënëses së BE-së Hipper shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me të gjithë aktorët, duke "përfshirë SHBA-në". Besoj se citati i tillë "përfshirë SHBA-në" tregon se ka një ftohje të politikës së BE-së në raport me SHBA-në për shkak të luftës në Ukrainë dhe "luftës" tregtare për tarifat doganore mes SHBA-ve dhe BE-së”, analizon Bilalli.

Image
Lutfi Bilalli

Për procesin e dialogut, ai thotë duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti arritja e një marrëveshjeje obligative ligjore Kosovë-Serbi, arrihet vetëm me ndërhyrjen e amerikanëve

“Mirëpo, zëdhënësja e BE-së, Hipper, duhet të jetë e vetëdijshme se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti arritja e një marrëveshjeje obligative ligjore Kosovë-Serbi, arrihet vetëm me ndërhyrjen e amerikanëve. Kosova duhet të përgatitet për proceset që e presin, të cilat do të jenë tej mase të vështira.

Si Sorensen, ashtu edhe Rutte në Prishtinë, deklaruan se palët duhet të bëjnë “kompromise" gjatë bisedimeve. Se çfarë kompromisi duhet të bëjë Kosova, mbetet një çështje sa e vështirë, po aq edhe shumë serioze.

Ndryshimet në administratën e SHBA-ve (gjeopolitika dhe ridefinimi i një rendi të ri botëror që do të ketë ndikim edhe në Ballkan) dhe deklaratat e lartpërmendura të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rutte, dhe emisarit të BE-së, Sorensen, për dialogun Kosovë-Serbi, tregojnë se viti 2025 do të jetë me të papritura dhe sfida”, përmbyll ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat