Avokati serb, Cedomir Stojkoviq në një prononcim për “Bota sot” foli mbi çështjen e dialogut Kosovë Serbi, si dhe rëndësinë e njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve.
Së pari, ai tregoi rëndësinë që ka njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe se sa pozitivisht do të ndikonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Në të kundërtën, nëse nuk ndodhë njohja, avokati tha se kjo konfirmon faktin që shteti serb nuk heq dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
“Njohja e Kosovës si shtet nga Serbia nuk është vetëm çështje e lehtësimit të Kosovës që të bëhet pjesë e një organizate ndërkombëtare, por në këtë mënyrë do të përmirësohej edhe jeta e qytetarëve të saj. Njohja e Kosovës si shtet nga Serbia është e vetmja garanci për paqen, sepse njohja ndërkombëtare shërben si konfirmim se një shtet ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj një tjetri. Kina nuk e ka njohur pavarësinë e Tajvanit dhe tani po përgatit një pushtim të saj. Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, kjo do të thotë se Serbia po pret rrethana të favorshme ndërkombëtare për të pushtuar Kosovën. Në dy ose në njëzet vjet - gjithçka është njësoj. Serbia do të heqë dorë nga një pushtim i tillë vetëm nëse e njeh Kosovën si shtet. Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe e trajton Kosovën si pjesë të territorit të saj në ligjet dhe kushtetutat e saj, siç e bën tani, kjo do të thotë vetëm se Serbia është në pritje të rrethanave të favorshme ndërkombëtare dhe gjeopolitike për një pushtim. Ashtu siç Kina pret një pushtim të Tajvanit”, deklaroi avokati.
Për këtë, Stojkoviq tha se nëse Bashkimi Evropian do paqe të qëndrueshme, atëherë duhet ta vendosë si kusht brenda bisedimeve njohjen reciproke.
Po ashtu, potencoi faktin se si shumë serbë e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë dhe sipas tij ky është një kërcënim për shtetin tonë.
“Këto nuk janë vetëm fjalë boshe - një përqindje e madhe e qytetarëve serbë ende mbajnë flamuj me Kosovën si pjesë e Serbisë dhe mesazhin "jo dorëzim" - që synon kthimin e Kosovës në sundimin serb. Këta flamuj i shohim si mes anëtarëve të qeverisë, ashtu edhe mes anëtarëve të opozitës. Dhe ata kanë arsye të mendojnë kështu: Serbia nuk është zotuar me traktat të respektojë pavarësinë e Kosovës - që do të thotë se territori është "i lirë për t'u pushtuar nëse rrethanat ndërkombëtare ndryshojnë në mënyrë që kjo të bëhet e mundur". Kjo është gjendja shpirtërore këtu. Dhe kjo është arsyeja pse paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse ndodhin dy gjëra: njohja formale e pavarësisë nga Serbia dhe një ndryshim i gjendjes shpirtërore në Serbi bazuar në këtë. Kjo është arsyeja pse BE-ja, nëse dëshiron paqe të qëndrueshme, duhet të vendosë në tavolinë njohjen reciproke.
Ky është gjendja kolektive e kombit në Serbi - dhe kështu do të mbetet derisa Serbia ta njohë Kosovën. Nëse kështu mendojnë shumica e serbëve në Serbi, por edhe, siç e shohim, shumica e serbëve jashtë Serbisë (Bosnjë dhe Hercegovinë), atëherë ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për pavarësinë e Kosovës - sepse në botën e trazuar që është sot, nëse Beogradi nuk e sheh Kosovën si shtet të pavarur - Beogradi do të presë shansin e tij, sepse shumica mendojnë kështu, siç kam shkruar. Dhe do të mendojë derisa Serbia ta njohë Kosovën”, nënvizoi ai.
Tutje, avokati serb theksoi se nëse nuk ka njohje reciproke, asnjëherë nuk do të ketë marrëveshje finale ose të qëndrushme, pasi shteti serb nuk do heq dorë nga synimet e saj që ka tash e sa vite ndaj Kosovës.
“Prandaj njohja e Kosovës nga Serbia është garancia e vetme e paqes së qëndrueshme, prandaj Leon Hartuell ka absolutisht të drejtë, sepse pa njohje, pavarësia e Kosovës do të kërcënohet nëse ndonjëherë krijohet një e ardhme gjeopolitike që Serbia mund ta përdorë për ta kthyer Kosovën në regjimin e vjetër, përmes luftës dhe pushtimit. Nëse njohja e Kosovës nga Serbia nuk është në tavolinën e negociatave - atëherë të gjitha marrëveshjet janë të përkohshme dhe do të zgjasin vetëm derisa të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare në mënyrë që Beogradi t'i përdorë ato për ta vënë përsëri Kosovën nën autoritetin e tij. Nëse nuk ka njohje të Kosovës nga Serbia, për çfarë po negocion fare Bashkimi Evropian? Bashkimi Evropian është para së gjithash një projekt paqeje kontinental – prandaj duhet të vendosë si imperativ para palëve negociuese saktësisht se cili është themeli i vetë Bashkimit Evropian: njohja e plotë e shteteve ndërmjet tyre dhe respektimi i plotë i atyre shteteve ndërmjet tyre”, shpjegoi ai.
Në fund, shtoi se nëse BE do paqe, domosdoshmërisht duhet ta kushtëzoj dialogun me njohje reciproke.
“Si do të dukej paqja në Evropë nëse Gjermania nuk do ta kishte njohur dhe ende nuk e njeh që Gdańsk është sot pjesë e Polonisë? Apo që Italia sot nuk e njeh që Istria dhe Dalmacia janë pjesë e Kroacisë? Nëse Evropa vërtet dëshiron paqen në Ballkan - atëherë ajo duhet t'i vendosë Serbisë dhe Kosovës të njëjtat parime që janë themeli i Bashkimit Evropian - dhe kjo është njohja reciproke dhe respekti reciprok i shteteve sovrane”, përmbylli Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.