Eksperti i sigurisë flet për marrëveshjen mes Serbisë dhe Hungarisë – zbulon planin e Serbisë!

Politika

Eksperti i sigurisë flet për marrëveshjen mes Serbisë dhe Hungarisë – zbulon planin e Serbisë!

Nga: M.Haziri Më: 3 prill 2025 Në ora: 16:01
Njësi ushtarake hungareze në kufirin me Serbinë

Hungaria, shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s do të forcojë bashkëpunimin ushtarak me vendin fqinj, Serbinë.

Për këtë qëllim ministrat e mbrojtjes të të vendeve nënshkruan në Beograd në prani të presidentit serb Aleksandar Vuçiq një marrëveshje, që ndër të tjera parashikon më shumë stërvitje të përbashkëta ushtarake. Të dy vendet duan "të përshpejtojnë dhe të avancojnë më tej afrimin e të gjitha pozicioneve tona në fushën e mbrojtjes", shkruan Vuçiq në Instagram.

Sipas tij ne po shkojmë drejt një aleance ushtarake ose një unioni ushtarak, tha Vuçiq.

Hungaria është vendi i rajonit me të cilin Serbia bashkëpunon më intensivisht në fushën ushtarake shtoi presidenti serb. Për Hungarinë Serbia është partneri më i rëndësishëm bilateral ushtarak, që nuk është as anëtar nëNATO dhe as në BE, tha ministri hungarez i Mbrojtjes Kristof Szalay-Bobrovniczky.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fidair Berisha.

Image
Fidair Berisha

Ai thotë se duke u bazuar në marrëveshjet e fundit të nënshkruara atëhere mund të themi që priten zhvillime të reja gjeopolitike.

Sipas tij, bashkëpunimi strategjik ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë në fushën e mbrojtjes është një nga aspektet më të rëndësishme të marrëdhënieve të tyre.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiq, dhe ai i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Salai-Bobrovnicki, nënshkruan në Beograd një marrëveshje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes.

“Po jemi dëshmitarë se aktualisht priten zhvillime të reja gjeopolitike, dhe për këtë arsye po ndiqet me interes një vetorganizim i shteteve të rajonit për një bashkëpunim që deri tani nuk ka pasur këtë format, të paktën deri në këtë masë. Serbia dhe Hungaria kanë pasur marrëdhënie të mira edhe më herët, dhe kjo marrëveshje është një vazhdimësi e bashkëpunimit të tyre. Bashkëpunimi strategjik ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë në fushën e mbrojtjes është një nga aspektet më të rëndësishme të marrëdhënieve të tyre. Në këtë rast, Serbia ka bashkëpunimin më të zhvilluar dhe më intensiv në këtë fushë. Për këtë vit janë planifikuar rreth 79 aktivitete të përbashkëta, në krahasim me vitin 2023, kur janë realizuar 48 aktivitete nga fusha e mbrojtjes”, u shpreh ai.

Vuçiqi tha se marrëveshja përfshin stërvitje shumëkombëshe, bashkëpunim ushtarak-teknik dhe prokurimin e sistemeve të armatimit

Duke vazhduar bisedën eksperti i sigurisë thotë që qëllimi i kësaj marrëveshje është në nivel të Ministrisë së Mbrojtjes dhe që përfshin aspekte ushtarako-ushtarak dhe ushtarako-teknik.

Gjithashtu ai shton që Vuçiq po mundohet në çdo formë të dëmtojë shtetin tonë.

“Qëllimi kryesor i marrëveshjes është për një bashkëpunim ushtarako-ushtarak, i cili reflektohet në realizimin e stërvitjeve dypalëshe dhe shumëkombëshe, si dhe në bashkëpunimin ushtarak-teknik në fushën e prokurimit të sistemeve dhe pajisjeve të armatimit. Plani i bashkëpunimit përcakton përdorimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e forcave, procedurat formale dhe ligjore për hyrjen dhe daljen e personelit ushtarak, transferimin e pajisjeve dhe armëve. Pra, bëhet fjalë për një bashkëpunim që është në nivel të Ministrisë së Mbrojtjes dhe që përfshin aspekte ushtarako-ushtarak dhe ushtarako-teknik.

Presidenti i Serbisë njihet si një kundërshtar i madh i Kosovës dhe të gjitha veprimet e tij kanë për qëllim ruajtjen e pushtetit të tij, si dhe me politikën dhe diplomacinë e tij destruktive ndaj Kosovës, ai po tenton të dëmtojë shtetin tonë. Mendoj se kjo marrëveshje me Hungarinë ka të bëjë me realizimin e planeve të tij, gjithmonë në dëm të Kosovës, ndërkohë që ai po shpreson që Serbia të bëhet anëtare e BE-së. Momentalisht, këto dy shtete kanë një partneritet të ngushtë dhe marrëdhëniet bilaterale janë në nivelin më të lartë deri tani në aspektet ekonomike, politike dhe të sigurisë”, thekson Berisha.

Sipas Berishës, Serbia nuk ka arritur ta pranoj marrëveshjen mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, për të këtë arsyje ka filluar me forcimin e shtetit të tij.

Në fund ai përmbyllë bisedën duke e parë sigurinë e Ballkanit mjaftë delikate dhe Kosova duhet të vazhdojë bashkëpunimin në rrafshin diplomatik.

“Vuçiqi ndërmerr këtë hap menjëherë pas deklaratës për bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve për Beogradin ishte i papranueshëm dhe u vlerësua si provokues nga qarqet e ndryshme politike në Serbi. Andaj, Vuçiqi me shpejtësi ka arritur këtë marrëveshje me Hungarinë, me qëllim për të treguar se edhe Serbia ka të njëjtin lloj bashkëpunimi si vendet e tjera dhe se po punon për forcimin e shtetit, edhe në fushën e mbrojtjes.

Për momentin, dihet se cilat shtete kanë shprehur interesim për këtë lloj aleance, ndërkohë që aleancat e tjera mund të përcaktohen nga gjendja dinamike e sigurisë në botë, Evropë dhe Ballkan. Siguria është një gjendje dinamike dhe, në këtë kontekst, nuk mund të supozojmë me siguri se cilat shtete do t’i bashkohen këtyre aleancave. Megjithatë, është e qartë që shtetet do të reagojnë sipas situatës dhe ndryshimeve në fushën e sigurisë dhe gjeopolitikës. Mendoj se, më shumë se kurrë, Kosova, së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë, duhet të shtrijnë bashkëpunimin e tyre në rrafshin diplomatik me shtetet tjera mike, për të siguruar që kjo aleancë të jetë më gjithëpërfshirëse dhe më e forte”, përfundoi eksperti i sigurisë, Fidair Berisha për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat