“Tarifat u vendosën fillimisht nga...” komentohet vendimi i administratës Trump/ Ja pse Serbia është më e goditura

Politika

“Tarifat u vendosën fillimisht nga...” komentohet vendimi i administratës Trump/ Ja pse Serbia është më e goditura

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 prill 2025 Në ora: 15:57
Donald Trump

Më shumë se 60 shtete do të preken nga tarifat e Administratës së Donald Trump, që do të hyjnë në fuqi që nga 5 prilli.

Në listën e gjatë janë përfshirë edhe Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas tabelës që është bërë publike nga konferenca e Presidentit të SHBA-së, Kosova do të ketë një tarifë prej 10 për qind, ndërsa më e goditura nga këto tarifa në rajon është Serbia.

Për mallrat e importuara nga Shqipëria është vendosur një tarifë prej 10 për qind, ndërsa për ato nga Serbia 37 për qind, nga Bosnja dhe Hercegovina 35 për qind, dhe nga Maqedonia e Veriut 33 për qind.

Tarifat doganore për vendet e Ballkanit:

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë theksuar se tarifa bazë prej 10% do të hyjë në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi më 9 prill.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump njoftoi se ndaj importeve nga Kina do të vendoset një tarifë prej 34 për qind, ndaj atyre nga Bashkimi Evropian 20 për qind, nga Koreja e Jugut 25 për qind, nga Japonia 24 për qind dhe 10 për qind për Britaninë e Madhe.

Për këto tarifa ka pasur reagime nga Bashkimi Evropian. Goditje të rëndë për ekonominë botërore po e konsideron presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave universale. Derisa ka thënë se do të prekin konsumatorët në mbarë botën.

Në një konferencë për media, Von der Leyen ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndërmarrë kundërmasa nëse bisedimet me Uashingtonin dështojnë.

Faji i “dyanshëm”

Biznesmeni Burim Piraj, thotë se tarifat do të kenë ndikim.

Image
Burim Piraj

Sipas tij, faji nuk qëndron te administrata Trump, por te mos largimi i taksës së produkteve amerikane.

“Edhe pse në shikim të parë njerëzit mendojnë se ato tarifat të aplikuara nuk do të kenë ndikim, por ata kanë ndikim. Ne kemi kompani që eksportojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi kompani të interesuara, që interesohen të eksportojnë, kemi kompani që në të ardhmen do të eksportojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faji nuk është te administrata Trump, por faji është te institucionet e Republikës së Kosovës të cilat kanë qenë sy mbyllur dhe gjatë gjithë kësaj periudhe që kanë pasur fuqi vendimmarrëse nuk e kanë hequr taksën e produkteve amerikane gjë që unë e kam kërkuar që nga viti 2006 sa më kujtohet dhe të gjithë institucionet e republikës së Kosovës e kishin konfirmuar se është një vendim shumë i mirë, i mbarë për ta zhvilluar edhe Kosovën, edhe produktet amerikane, përsëri nuk e kanë ndërmarrë një gjë të tillë. Mendoj se vendimi që ka marrë administrata Trump për Kosovën është vendim reciprok dhe nuk duhet të kritikohet”, deklaron Piraj.

Sipas tij, tarifat nuk i ka vendosur Trump i pari, por i kanë vendosur vendet që Trump u ka vendosur tarifat.

“Mendimi im është se Serbia jo vetëm që është e lidhur me Rusinë, por Serbia bën barriera të ndryshme në produktet amerikane dhe mishrat e Amerikës dhe disa produktet të tjera nuk i lejon të importohen në Serbi, ka domethënë aso barriera jo tarifore të cilat i pengojnë produktet amerikane për t’u importuar në Serbi, nga ana tjetër mesa di unë ka edhe taksë për disa produkte amerikane, kështu që edhe vendimi që ka marrë në raport me Serbinë është vendim i drejtë dhe unë e përkrahë presidentin Trump në këto vendime që ka marrë. Kjo pasi që nëse flasim për një bashkëpunim të sinqertë atëherë nuk do të duhej të vendoseshin tarifat të ndërsjellta, tarifat nuk i ka vendosur Trump i pari, por i kanë vendosur vendet të cilat Trump u ka vendosur tarifat, përveç disa vendeve, domethënë ka vende që nuk kanë pasur tarifa por për arsye të tjera Trump ka vendosur tarifa, një prej vendeve është Bashkimi Evropian i cili disa produktet vendore amerikane i ka vendosur si produkte të ndaluara për import në Evropë dhe për këtë e ka të merituar taksën prej 20 për qind”, shton biznesmeni.

Tarifat e produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara kanë qenë shkas edhe i “përplasjes” mes Qeverisë dhe Presidentes.

Presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar që Qeveria të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo me këtë nuk u pajtua Ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati.

Ai ka shprehur shqetësimin për mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje në media, duke theksuar se vendimet e tilla duhet të merren larg mediave dhe të bëhen publike vetëm pas finalizimit të tyre.

Gashi: Pse Serbia është më e goditura?

Image
Eduard Gashi

Ndërsa, analisti Eduard Gashi, konsideron se tarifat e Trump janë zgjim i dhimbshëm për ekonominë e Kosovës.

Sipas tij, shifra 10 për qind mund të duket e vogël, por për ekonominë e brishtë është goditje.

“Tarifat e Trump-it: Zgjim i dhimbshëm për ekonominë kosovare dhe realitet për politikën që mendon se mund të ecë pa Amerikën Administrata e Donald Trump ka publikuar një listë prej mbi 60 shtetesh që do të preken nga një valë e re tarifash. Mes tyre, edhe Kosova. 10 për qind tarifë mbi produktet që eksportojmë në SHBA. Një shifër që për dikë mund të duket e vogël, por për një ekonomi të brishtë si e jona, kjo është një goditje e drejtpërdrejtë në mushkëri. Dhe jo vetëm për bilancin tregtar – por për reputacionin tonë si partner ekonomik e politik. Kjo është një kambanë alarmi. Jo vetëm për tregun, por edhe për qeverinë që deri dje mendonte se mund të luajë me nervat e Amerikës pa pasoja. Prej kohësh dëgjojmë me krenari fraza të mëdha për “sovranitet” dhe “vetëvendosje”, por në fund të ditës, kur tregu të thotë “jo”, e kur partnerët strategjikë të të fusin në të njëjtën listë me vendet problematike – atëherë duhet të zbritet me këmbë në tokë”, pohon Gashi.

Sipas tij, Serbia është më e goditura sepse përqafon Moskën dhe Amerika nuk ka më durim.

Ai shton se kjo është një sinjal politik e përgjigje e heshtur e SHBA-së.

“Pse Serbia është më e goditura? Sepse Serbia po e përqafon gjithnjë e më shumë Moskën. Sepse Vuçiqi për çdo ditë rri në dy karrige – dhe Amerika më nuk ka durim për këtë lojë të vjetër. Kjo është një formë presioni që i tregon Serbisë se koha e neutralitetit kinse të mençur ka mbaruar. Por nëse Serbia është goditur më shumë – kjo nuk na bën neve më të preferuarit. Për Kosovën kjo është një sinjal politik. Një përgjigje e heshtur por e qartë ndaj një qeverie që për vite me radhë ka kultivuar një retorikë të ftohtë ndaj SHBA-së, ka bërë aleancë me retorika të majta antiamerikane në emër të “pavarësisë”, e ndërkohë ka harruar se pa Amerikën, ne nuk do të ishim as ky që jemi sot. Mbase këto tarifa nuk janë vetëm për produktet – janë një faturë e papaguar për sjelljen. Dhe për të gjithë ata që mendonin se mund të ndërtojnë ekonomi të qëndrueshme me teori ideologjike, ja ku e kanë realitetin. Tregu nuk flet me slogane. Ai flet me interesa. Dhe SHBA ka folur qartë. Dikush mund të thotë se kjo është hakmarrje politike. Unë them që është reflektim strategjik. Amerika nuk ndëshkon pa arsye. Ajo reagon kur sheh që partnerët e saj nuk po e trajtojnë më si aleate, por si pengesë për agjendat e tyre personale”, thekson analisti.

Ai në fund kërkon që nga Qeveria që të ulë kokën dhe të mos mbyllen dyert e Amerikës.

 “Kryeministri Kurti dhe kabineti i tij duhet të dalin nga gjumi i vetëkënaqësisë. S’ka më kohë për populizëm. Ekonomia nuk e ha më këtë retorikë të “të gjithëve kundër nesh”. Në botën reale, janë tarifat që të tregojnë se ku qëndron e vërteta. Nuk është vonë për t’u kthyer në tavolinë. Por duhet ulur koka, jo për përulje, por për respekt. Respekt për miqtë tanë më të vjetër. Se nëse na mbyllen edhe dyert e Amerikës, atëherë do ta kuptojmë shumë vonë se kush i mban shtëpitë tona në këmbë”, përfundon Gashi

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat