Kushti për koalicion me Kurtin: Njohësit zbulojnë se çfarë e pret Kosovën nëse pranohet kërkesa e Duda Balje-s!

Politika

Kushti për koalicion me Kurtin: Njohësit zbulojnë se çfarë e pret Kosovën nëse pranohet kërkesa e Duda Balje-s!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 prill 2025 Në ora: 18:00
Duda Balje dhe Albin Kurti

Formimi i Qeverisë së re, që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe publikimi i rezultateve është një nga synimet kryesore tani për vendin tonë.

Mirëpo, së fundmi mori vëmendjen kërkesa e deputetes së zgjedhur, Duda Baljes ndaj kryeministrit Kurti.

Balje ka mbajtur takimin e parë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bisedime rreth formimit të qeverisë.

Balje tha se Kurtit ia ka prezantuar kushtet e saj në këmbim të votës dhe tha se nuk ka marrë konfirmimin nga Kurti nëse ato do të plotësohen dhe se rrjedhimisht as nuk ka dhënë konfirmim për votimin e qeverisë.

“Ne kemi pasë takimin e parë. Unë dola para kryeministrit me kërkesat që ne si boshnjakë kemi. Nuk kemi marrë asnjë konfirmim dhe nuk kemi dhënë asnjë konfirmim. Tash për tash jemi në fazën e bisedimeve. S’ka asgjë konkrete”.

Balje tha se kërkesat e saj janë “komuna e boshnjakëve, reforma në arsim, trajtimi i barabartë për krejt deputetët që kanë një votë brenda Kuvendit. Takimin e radhës nuk e kemi caktuar ende”.

Balje tha se ka mbetur që edhe nga ana e Kurtit “të mendojë” dhe më pas të kthejë përgjigje.

Gjithashtu, deputetja Balje tha se nuk e di me siguri nëse do të votojë për zgjedhjen e krye parlamentarit më 15 prill pa e marrë sigurinë se do t’i plotësohen kërkesat.

E për këtë çështje kanë folur njohësit, duke mos e parë të arsyeshme këtë kërkesë së Baljes.

Ahmeti: Koalicionet politike duhet të kenë në fokus interesin publik të të gjithë qytetarëve

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai thotë se është normale që Balje të bëjë këto kërkesa pasi përfaqëson interesat e komunitetit të saj mirëpo që duhet të jenë brenda mundësive kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tij, pazaret politike nuk duhet të dëmtojnë interesat e përgjithshme.

Image
Hidajet Ahmeti.

“Është e natyrshme që të ketë kërkesa, pasi Duda Balje përfaqëson interesat e komunitetit të saj, por kërkesat duhet të jenë racionale dhe brenda mundësive kushtetuese dhe ligjore. Standardi për komunat me baza etnike është krijuar nga Pakoja e Ahtisarit, edhe pse në thelb mund të konsiderohet si një politikë diskriminuese. Pazaret politike nuk duhet të dëmtojnë interesat e përgjithshme, ashtu siç nuk duhet të dëmtojnë buxhetin e të gjithë taksapaguesve”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thotë që çdo koalicion politik duhet të ketë në fokus interesin publik të gjithë qytetarëve dhe jo të shikohen interesat e partive politike.

“Koalicionet politike duhet të kenë në fokus interesin publik të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe jo interesat e një komuniteti të vetëm. Qeveritë që formohen nga koalicionet politike duhet të zhveshen nga interesat e partive politike, pasi logjika e qeverive në të kaluarën ka dëshmuar se kjo mund të çojë në dëm të interesit publik”, foli analisti Ahmeti për “Bota sot”.

Burjani: Këto kërkesa nuk janë të thjeshta

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kurti po hyn në një "zonë të rrezikshme" pasi organizimi i shtetit po bëhet me kushte politike.

Gjithashtu ai thotë që në një kohë të ardhshme, këto komuna etnike mund të shndërrohen përfundimisht në kantone si në Zvicër.

Image
Blerim Burjani

“Këto janë kërkesa, por gjithashtu shantazh. Kurti po hyn në një zonë të rrezikshme, ku organizimi i shtetit bëhet me kushte politike. Ndjekja e rrugës së planit për decentralizimin komunal etnik, që në Kosovë u lejuan komunat etnike, tani po tregon sa e rrezikshme është ideja e komunave etnike ose kantoneve etnikë. Në një kohë të ardhshme, këto komuna etnike mund të shndërrohen përfundimisht në kantone si në Zvicër”, thotë juristi.

Në fund, juristi nënvizon që këto kërkesa nuk janë të thjeshta dhe nëse krijohet një asociacion etnik serb, atëherë mund të lindin edhe asociacione tjera, mirëpo që Kurti nuk do të lejojë asnjë variant të tillë.

“Pra, këto kërkesa nuk janë të thjeshta, por prekin kushtetutën e shtetit. Nëse krijohet një asociacion etnik serb, atëherë mund të lindin edhe asociacione të tjera për komunat etnike, ku kërkesa për organizimin komunal do të bëhen gjithnjë e më të pavarura nga shteti unitar.

Unë besoj se Kurti nuk do të lejojë asnjë variant të tillë, pasi ka pasoja të mëdha për organizimin unitar të shtetit. Ai nuk do të pranojë, as do të lejojë shantazhe të tilla nga minoritetet etnike”, përfundoi juristi Burjani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat