Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për mediumin kroat Večernji List, deklaroi se ndikimi rus në veri të Kosovës është rritur pas agresionit rus në Ukrainë.
Sipas tij, ky vlerësim bazohet në “informacione të besueshme për praninë e inteligjencës ruse në strukturat ilegale”.
“Kemi informacione të besueshme për praninë e inteligjencës ruse në strukturat ilegale në veri të Kosovës. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ndikimi është rritur përmes bashkëpunimit me Serbinë”, tha ai.
Për ndikimin rus në Kosovë, ka folur njohësi i sigurisë, Xhevat Meha, i cili ka theksuar se ndikimi i Moskës nuk kufizohet vetëm në veri, por është i pranishëm fuqishëm në të gjithë vendin.
Ai ka shpjeguar se si funksionon ky ndikim dhe përse është i vështirë për t’u evidentuar.
“Ndikimi rus në veri, dhe jo vetëm në veri por në gjithë Kosovën, nuk është diçka që nuk dihet. Kjo që tani duket si ndikim i rritur, në fakt është vetëm rritje e daljes në shesh të këtij ndikimi. Rusët kanë ndikim të fuqishëm në gjithë Kosovën, veçse pak kush e sheh për faktin se është i fshehur mirë. Ky ndikim kryhet përmes rrjetit të fshehtë serbo-rus që është fuqishëm i instaluar nëpër institucionet tona”, ka thënë Meha.
Sipas tij, është çështje e programeve se kur dhe si do t’u kundërvihen ndikimeve serbo-ruse në Kosovë.
“Edhe pse i fshehtë, ky ndikim dhe fuqia e këtij ndikimi janë të ditura për disa individë, dhe për fatin e mirë të Kosovës janë të ditura edhe për institucionet në Kosovë tash e disa vite. Është çështje e programeve për veprim të institucioneve të sigurisë në Kosovë se kur dhe si do t’u kundërvihen ndikimeve serbo-ruse në Kosovë”, ka përfunduar Meha.