Në Gjykatën Speciale ka përfunduar dhënia e dëshmive nga 126 dëshmitarët e Prokurorisë së Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët ndër tjerash akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish mbështetës të presidentit, Ibrahim Rugova.
Siç dihet nga 26 tetori i vitit 2020, ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa tash e pesë vite ata gjenden në paraburgim në Hagë.
Në aktakuzën e Speciales thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe urdhëruan vrasjen e tyre. Por nga Gjykata Speciale nuk kanë dhënë ende një datë se kur do të vazhdojë gjykimi pas përfundimit të dhënies së dëshmive nga dëshmitarët e prokurorisë.
E sipas analistëve dhe njohëseve të zhvillimeve në Kosovë, tani më topi është në anën e mbrojtjes të të akuzuarve. Ata thonë se fjala përfundimtare në këtë proces gjyqësor mund të jepet kah fundi i këtij viti.
Fjala përfundimtare në fund të vitit
Së paku, kështu shprehet analisti Faton Mehmeti, dhe njëri ndër ata që e ka përcjellë me vëmendje këtë proces gjyqësor që nga fillimi.
“126 dëshmitarë të paraqitur dhe 101 që kanë dhënë dëshmi me shkrim kanë përfunduar dëshmitë e tyre nga ana e prokurorisë. Pas 15 prillit topi i kalon mbrojtjes së të akuzuarve për të paraqitur listën e dëshmitarëve, pa harruar këtu edhe mbrojtjen e viktimave që ka të drejtë të thërras dëshmitarë. Sipas parashikimeve në fund të këtij viti pritet të jepet fjala përfundimtare e gjykatës për katër të akuzuarit, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi”, shprehet Mehmeti.
Sipas tij, fundi i këtij gjykimi do të sjellë shumë gjëra të papritura.
“Ka shumë rëndësi se cilët do të jenë dëshmitarët e mbrojtës së të akuzuarve, derisa prokuroria veç se ka përfunduar punën e saj me dëshmitarët e vet. Ky proces i tej zgjatur për shkak se aktakuza është e madhe pritet me shumë kureshtje të dihet se çfarë epilogu do jep në fund të këtij procesi. Gjithashtu, duhet theksuar edhe faktin se Gjykata mbetët mes legjitimitet publik dhe drejtësisë ndërkombëtarë, një betejë që do të sjell shumë të papritura feri në fund të saj”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Radha e mbrojtjes
Kurse analisti Gani Qarri deklaron se tani pritet dëshmia e dëshmitarëve të mbrojtjes të të akuzuarve.
“Lidhur me aktakuzën e Gjykatës Speciale në Hagë, ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për ndalim të kundërligjshëm, rrahje, torturë, krime lufte dhe një sërë krimesh kundër njerëzimit, këto ditë ka përfunduar dhënia e dëshmive nga 126 dëshmitarët e Prokurorisë së Specializuar dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë, sipas rregullores së procedurave gjyqësore, tani radhën e kanë të dëgjohen edhe dëshmitarët e mbrojtjes dhe pastaj brenda periudhës së paraparë ligjore, duhet të shqyrtohen faktet dhe analizohen të gjitha dëshmitë e dhëna që nga momenti i fillimit të procedurës së gjykimit të zhvilluar tash e disa vite në Hagë”, thekson Qarri.
Më tej, ai thotë se fundi i këtij viti do të shënojë edhe fundin e këtij procesi gjyqësor.
“Derisa në seancën e 1 prillit në Hagë u mbyll faza e prezantimit të 126 dëshmitarëve të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Zëdhënësi i ZPS-së, Chrisopher Bennet, konfirmoi se ZPS-ja do ta përmbyllë të gjithë rastin e saj deri më 15 prill, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve, në fund të vitit të kaluar deklaroi se nuk do të sjellë shumë dëshmitar, posa të përfundojë edhe dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes, megjithëse të akuzuarit ngarkohen me vepra tepër të rënda penale; si krime kundër njerëzimit, vrasje të paligjshme dhe krime lufte, ekipi i gjykatësve profesionist, edhe nëse për të akuzuarit, ka një dosje të gjerë, besojë se përveç përvojës solide, kanë pasur edhe kohë të mjaftueshme dhe pas katër-pesë vitesh gjykimi, do të dalë me vendime të arsyeshme edhe nëse për shkak të veprave të kryera penale, sipas ligjit, duhet të nxirren vendime për burgosje shumëvjeçare, ngase është koha, që të përmbyllet vlerësimi ligjor e profesional dhe ky proces të shkojë drejt fundit”, shprehet Qarri.
Sipas tij, nga ajo që është shfaqur deri më tani në Speciale, të akuzuarit do të shpallen fajtor.
“Pra pasi që mbrojtja e të akuzuarve posedon numër të kufizuar dëshmitarësh dhe të akuzuarit mbahen që katër vite në qendrën e paraburgimit në Hagë, për çka ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor, në procedurat e ardhshme, procesi duhet të përshpejtohet, në mënyrë që të ketë një verdikt përfundimtar për të akuzuarit, të cilët Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që hetojnë krimet e pretenduara të të akuzuarve, të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në varësi të fakteve e provave të siguruara nga gjykimi që është zhvilluar deri më sot, bazuar në veprat e kryera penale, të vërtetuara me prova autentike dhe mbështetur në shkallën e argumentimit faktik të aktakuzave, nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara, procesi i gjykimit duhet të përmbyllet dhe të akuzuarit ti marrin dënimet e parapara ligjore nga Gjykata Speciale”, përfundon analisti Gani Qarri.