Një zgjidhje për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tashmë është bërë një nga synimet kryesore edhe për ndërkombëtarët.
Të vendosur për finalizim të dialogut po vazhdojnë të jenë BE dhe SHBA, mirëpo rezultatet konkrete duken se janë larg bërjes realitet.
Në takimet që janë zhvilluar mes palëve është theksuar në vazhdimësi që duhet kompromise nga palët, mirëpo që në këtë pjesë është Serbia ajo e cila nuk i përmbahet asnjë marrëveshjeje.
E së fundmi për dialogun Kosovë-Serbi ka folur Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska.
Shekerinska ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Aleancës për dialogun Kosovë-Serbi, duke vënë theks të veçantë në rëndësinë e angazhimit politik të palëve për të dalë nga ngërçi aktual.
Ajo ka vlerësuar se rruga e Kosovës për t’u bërë pjesë e programit të Aleancës, Partneritetit për Paqe, kërkon kompromise të vështira.
Gjithashtu ajo përmendi se NATO-ja mbështet plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe e ka inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin për qasje konstruktive, duke theksuar se është në duar të liderëve të dy shteteve që të bëjnë përparim dhe të kalojnë nga ngërçi aktual.
Mirëpo për çfarë e ka fjalën Shekerinska kur thotë që kërkohen ‘kompromise të vështira’?
Gashi: Kosova ka bërë tashmë kompromise të mëdha
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Eduard Gashi.
Ai thotë se kjo deklaratë e Shekerinskës në dukje të parë tingëllon me një përkrahje të balancuar për dialogun Kosovë-Serbi mirëpo që në të vërtët dërgon disa sinjale të qarta.
Sipas tij, nëse analizojmë më thellë deklaratën e saj atëherë mund të shohim që BE kërkon që palët të aktivizohen për marrëveshje finale.
“Deklarata e Zëvendëssekretares së Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, në dukje të parë tingëllon si një përkrahje e balancuar ndaj dialogut Kosovë–Serbi. Por në thelb të saj, ajo përçon disa sinjale diplomatike që meritojnë një analizë të thelluar dhe vigjilente nga këndvështrimi shqiptar dhe të Kosovës
“Mbështetje për dialogun” – mesazh standard, por me peshë gjeopolitik
Kjo është një frazë që NATO dhe BE e përdorin shpesh për të ruajtur pozicionin e tyre si ndërmjetësues dhe stabilizues në Ballkan. Mirëpo, vendosja e theksit tek “angazhimi politik i palëve” tregon se NATO po e sheh status quo-në si të paqëndrueshme dhe po kërkon që palët të lëvizin nga pozicionet e tyre aktuale – veçanërisht Kosova, si pala më e ekspozuar ndaj presionit ndërkombëtar”, u shpreh ai.
“Kompromise të vështira” – paralajmërim i qartë për Kosovën
Ndërsa tek pjesa për kompromiset e vështira, analisti përmend tri çështjet që e prekin Kosovën me këtë deklaratë.
“Kjo është pjesa më e ndjeshme e deklaratës.
Kur një zyrtare e lartë e NATO-s – dhe ish-kryeministre e Maqedonisë së Veriut, e cila e ka përjetuar vetë procesin e anëtarësimit përmes kompromiseve të dhimbshme me Greqinë për çështjen e emrit – përdor termin “kompromise të vështira”, ajo po e dërgon një mesazh shumë specifik:
Kosova nuk do të bëhet pjesë e NATO-s (as në Partneritet për Paqe), pa bërë lëshime të dukshme në dialog me Serbinë.
Këto “kompromise” në praktikë mund të nënkuptojnë:
• Themeli i Asociacionit të komunave me shumicë serbe – me një status të avancuar vetëqeverisës;
• Hapësirë për pjesëmarrje serbe në veri që do t’i jepte Serbisë ndikim real politik;
• Ndoshta edhe mos kërkim i njohjes formale nga Serbia, por pranimi i një “modus vikendi” të qëndrueshëm për dekada”, shpjegoi analisti.
Një analizë realiste – kujdes me “kompromiset” që prekin sovranitetin
Gjithashtu, analisti thekson që Kosova ka bërë kompromise të mëdha dhe se nuk duhet të pranojë asnjë tjetër nëse prek sovranitetin e vendit.
“Nga këndvështrimi ynë kombëtar dhe politik:
-Kosova ka bërë tashmë kompromise të mëdha: shpallja e pavarësisë në koordinim me Perëndimin, çarmatimi i UÇK-së, ndërtimi i institucioneve përfshirëse, njohja e të drejtave të minoriteteve, prania ndërkombëtare në vend, dialogu i pafund me Serbinë.
-Çdo “kompromis i ri”, nëse cenon unitetin territorial apo krijon struktura paralele politike brenda territorit të Kosovës, është i papranueshëm nga perspektiva e interesit kombëtar shqiptar dhe e funksionalitetit të shtetit”, tha ai.
Ndër të tjera Gashi nënvizoi deklaratën e tij duke thënë që ndër të tjera kjo deklaratë e Shekerinskës paralajmëron që Kosova nuk mund të avancojë në NATO pa marrëveshje me Serbinë.
“Shekerinska po paralajmëron qartë se NATO nuk do të avancojë me Kosovën, pa një marrëveshje që kënaq edhe Serbinë. Dhe kjo është një ftesë e rrezikshme për një kompromis në kurriz të sovranitetit, të cilin Kosova duhet ta shmangë me një diplomaci të mençur, bashkëpunim me miqtë perëndimorë dhe qëndrim të palëkundur për integritetin territorial. Nëse lejojmë që “kompromiset e vështira” të përkthehen në “vetësabotim shtetëror”, atëherë jo NATO, por vetë shteti ynë do të jetë në krizë”, foli Gashi për “Bota sot”.
Duhanaj: Në çdo negociatë, janë të parapara kompromiset
Ndërsa analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Kosova ka bërë kompromise që nga fillimi i dialogut, mirëpo tani duhet një fokus më i qartë e të mos mbetemi vonë me çështje kaq të rëndësishme.
“Duke filluar nga Rambuje, për të vazhduar me negociatat e Vjenës , pastaj me dialogun që tashmë është në dekaden e dytë, Kosova vazhdimisht është dashur të bëjë kompromise.
Natyrisht që disa nga to, kanë rezultuar të jenë derivat i marrëveshjeve paraprake të cilat duhet respektuar.
Megjithatë, mendoj se, duke qenë vazhdimisht të fokusuar në interesa të ngushta partiake dhe me shumën në luftën për pushtet, se sa për integritet dhe integrim, kemi dështuar që shumë vendime t'i marrim në kohen e duhur dhe si pasojë, jemi vonuar në procese të rëndësishme, të cilat me vonë na u kanë hakmarrë”, thotë ai.
Në fund, analisti nënvizon duke thënë që në negociata gjithmonë ka kompromise, por që sipas tij duhet të shpresohet që ato të mos e dëmtojnë vendin.
“Në çdo negociatë, janë të parapara kompromiset.
E në rast që njëra palë është e papërgjegjshme dhe nuk krijon raporte mbështetëse me miqët ndërmjetësues, natyrisht që barra e kompromisit bie mbi të.
Uroj që kjo situatë e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, të kuptohet drejtë dhe merret seriozisht nga të gjithë.
Sepse vetëm të bashkuar dhe unik rreth projektit kombëtare, mund të ja dalim. Ndryshe vaj halli për ne”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.