Ftesa për koalicion: Pse Abdixhiku nuk iu përgjigj pozitivisht letrës së Kurtit?

Politika

Ftesa për koalicion: Pse Abdixhiku nuk iu përgjigj pozitivisht letrës së Kurtit?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 9 prill 2025 Në ora: 09:41
Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një letre të dërguar, i ka kërkuar takim kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, takim ky që lidhet me formimin e institucioneve të reja në Kosovë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet ndër tjerash në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut.

Nga LDK, në kushte anonimiteti, për gazetën “Bota sot” kanë thënë se u duhet kohë që ta shqyrtojnë dhe të vendosin se a do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Kurtit.

Haxhi Avdyli pret përgjigje pozitive nga LDK

Por deputeti i partisë Guxo, e cila është në koalicion me Vetëvendosjen, Haxhi Avdyli, thotë se LDK do të duhej t’i përgjigjej pozitivisht ftesës për takim.

Image
Haxhi Avdyli

“Konsultimet mes partive dhe liderëve në fazat e tilla kur jemi në fazën konstitutimit të institucioneve, është më se normale për një shtet demokratik. Pa marr parasysh a ka gatishmëri për koalicion mes nesh, do duhej t’i përgjigjej ftesës pozitivisht për diskutime. Sepse janë në pyetje interesat e vendit dhe funksionimi i institucioneve shtetërore”, shprehet Avdyli për gazetën “Bota sot”.

“Besoj që si Kosovë tanimë jemi politikisht të pjekur dhe kemi kaluar provimet e tilla që takimet të tilla të mos refuzohen. Skena jonë politike ka nevojë për dialog dhe dëgjim të njëri-tjetrit, sepse temat kanë të bëjnë direkt me interesat qytetareve dhe vendit”, shton Avdyli.

Se a do të ketë një koalicion mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, Avdyli deklaron se kjo mund të jetë temë e takimit mes Kurtit dhe Abdixhikut.

“Pastaj a ka hapësirë për bashkëpunime tjera ajo mbetet temë që duhet diskutuar në këtë takim dhe jashtë me strukturat tjera politike e jo vetëm”, përfundon deputeti, Haxhi Avdyli.

Ftesë për koalicion

E analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Nexhat Haziri, ftesën që Kurti i nisi Abdixhikut, e sheh si thirrje të hapur për një koalicion.

Image
Nexhat Haziri

“Ftesa e Kurtit për Abdixhikun, është ftesë për koalicion, pasi siç po shihet z. Kurti është i vetëdijshëm  se pa një koalicion me njërën nga partitë e mëdha shqiptare, nuk do mund të bëjë qeveri stabile”, deklaron Haziri.

Sipas tij, lideri i LDK-së duhet ta refuzojë një takim dhe koalicion me Kurtin, krejt kjo për shkak të dallimeve të mëdha mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

“Por, për mendimin tim z. Abdixhiku duhet ta refuzoj këtë ftesë dhe mundësinë e koalicionit me organizatën politike të Albin Kurtit. Përveç dallimeve ideologjike, programore, nuk mund të qeverisësh me një shantazhues, mashtrues dhe paranojak si z. Kurti dhe këtë e ka provuar LDK, në të kaluarën”, nënvizon Haziri.

“Ju e patë se si me rastin e arrestimit të disa oficerëve të sigurimit serb në Gjakovë, ngjarje të cilën Kurti e shfrytëzoi edhe për t'i shantazhuar disa përfaqësues të minoriteteve jo serbe që i quajti të joshur nga Serbia, gjoja për ta sabotuar formimin e qeverisë. Pra një paranojë e tij që gjithçka dhe pas gjithçkaje qëndron Serbia”, shpjegon Haziri.

Madje Haziri paralajmëron rënien e madhe për LDK-në, në rast se kjo e fundit vendos që të hyjë në koalicion me VV-në.

“Andaj çfarëdo koalicion i LDK-së me z. Kurti, do të thoshte edhe fundi i partisë më të vjetër në Kosovë  dhe poashtu edhe fundi i të së djathtës kosovare si alternativë dhe koncept politik. Kurtin duhet te lejohet që të "vetmytet" në kënetën të cilën e krijojë vet, duke rrënuar çdo urë bashkëpunimi me subjektet e tjera politike shqiptar”, përfundon analisti Nexhat Haziri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat