Lëvizja Vetëvendosje është në “kërkim” të partive për bashkëqeverisje, kjo pasi votat e deputetëve nga minoritetet nuk i mjaftojnë.
Shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë të martën se për dallim nga e kaluara, kësaj radhe nuk është e mjaftueshme mbështetja vetëm nga komunitetet jo-shumicë për formimin e Qeverisë së re.
Sipas saj, edhe në të kaluarën bashkëpunimi me komunitetet joshumicë ka qenë formal dhe i natyrshëm, por tani nuk i mjaftojnë numrat.
“Edhe në të kalumen, Qeverinë Kurti 2, përkundër që e kemi pasë një shumicë me 10 deputetë më shumë, kanë fillu, domethënë, koalicioni, gjegjësisht arsyeja e lidhjes së koalicionit ose një bashkëpunimi formal ka qenë me këto parti. Me këto është edhe njëfarë forme – janë edhe vendet e garantume edhe në Kuvend, edhe në Qeveri. Njëjtë edhe për pakicën tjetër apo komunitetin e një shumice tjetër, por gjithsesi që ka pasur trajtim në kuptimin e bashkëpunimit ose një vazhdimësie të komunikimit prej edhe mandatit të kalum”, u shpreh Kusari-Lila në ATV.
“Nuk është më e lehtë, është pak më e vështirë, qysh e kemi pa – numrat e tregojnë që vetëm me komunitetet joshumicë, si herën e kalume, nuk ka me qenë e mjaftueshme ose nuk është e mundshme të arrihet numri 61 i minimumit që duhet për një Qeveri të votohet. Prandaj kjo është tashmë një punë e cila ka me vazhdu procesin dhe e cila ka me shty përpara gjithsesi diskutim të mëtutjeshëm mbi formën e mënyrën e arritjes së këtij numri”, deklaroi Kusari-Lila.
Analisti politik Afrim Kasolli, thotë se nëse përmblidhet situata pas zgjedhjeve, atëherë premtimet e partisë fituese se i kanë numrat nuk janë të sigurta.
Sipas tij, Kurti i ka bërë ftesë liderit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për shkak se disa nga deputetët e partive minoritare jo serbe kanë parashtruar kërkesa megalomane.
“ Nëse ndalemi përmbledhtazi në krejt situatën post-elektorale në Kosovë atëherë duhet shikuar dita e djeshme. E para se premtimet e deritanishme të eksponentëve të partisë fituese të zgjedhjeve, se e kanë siguruar numrin magjik të 61 deputeteve për votimin e Qeverisë së re nuk janë të sigurta. Prandaj, të njëjtës i duhet partner për bashkëqeverisje më qëllim që të finalizohet ky proces. Në kontekst, të këtyre zhvillimeve ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, deklaroi se duhet kuptuar edhe ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sepse disa nga deputetët e partive minoritare jo serbe, kanë parashtruar kërkesa megalomane”, shprehet Kasolli.
Analisti komenton deklaratën e ministers Albulena Haxhiu, gjersa shton se deklarata e ish- kryetarit të Kuvendit, nënkupton se pozita e tij mund të jetë temë pazari për subjektet tjera.
“Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë nga ky prononcim, ministrja Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, sipas logjikës “shteti jam unë”, deklaroi se ose do të kemi Qeveri të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ose vendi do të përballet me zgjedhje të reja të parakohshme. Shumëkush këtë deklaratë të fundit përjashtuese dhe kërcënuese pa si të kundërt me “frymën pajtuese” të ish-kryetarit të Kuvendit, i cili madje deklaroi se tashmë pozitën që e ka mbajtur deri më tani ai, kjo parti do ta shndërrojë në temë pazari për ato subjekte që do të pajtohen me ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, këto dy prononcime janë gërshetim i metodave të joshjes dhe ndëshkimit me anë të cilave kjo parti mëton t’ia sigurojë vetës edhe një mandat qeverisës. Pra që nëse ato subjekte që i kanë humbur zgjedhjet nuk pajtohen me gjenerozitetin e së parës, atëherë do të përballen më pasoja më të rënda në situatën në të cilën gjenden”, pohon analisti.
Tutje, sipas tij, protagonistët politikë duhet të ruhen që mos të kalojnë në ekstrem, kjo sepse mund të jetë i pamundur bashkëpunimi.
“Sidoqoftë, përtej këtij shantazhi të dyfishtë, simptomike ishte edhe arsyetimi “filozofik” nga ish-kryekuvendari, se pse duhet të harrohen ofendimet që kanë ndodhur ndërmjet partive politike gjatë fushatës dhe pas përfundimit të zgjedhjeve, e që dorën në zemër partia në pushtet ka qenë prijatare e kësaj retorike, ngase tash është në pyetje një kauzë më e madhe. Pra “ politika është me i kuptu interesat, e interesat që përfaqësojmë nuk janë tonat personale, janë të Kosovës” konstatoi ndër të tjera i njëjti. Prandaj, kjo thirrje për ta harruar më një lehtësi të padurueshme të kaluarën, tregon më mirë se asgjë tjetër për nivelin pseudo-etik, ku ka degjeneruar tashmë kjo parti politike. Nuk do të thotë se shkarje të tilla nuk ndodhin edhe në vende të tjera. Por megjithatë protagonistët politikë ruhen që ato të mos kalojnë në ekstrem, pikërisht nga ndjenja e frikës dhe turpit se do ta bëjnë të pamundur bashkëpunimin ndër partiak, kur ai bëhet i nevojshëm dhe domosdoshëm”, përfundon Kasolli.