Pas mbajtjes së zjedhjeve, ende nuk janë formuar institucionet e reja.
Të dielën që kaloi, Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje me kërkesë të Kryeministrit të Republikës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se Serbia po tenton të pengojë krijimin e institucioneve të reja, po ndikon te deputetët joshumicë e joserbë.
Njohësi i politikës, Driton Tali në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Serbia po mban ndikim të fortë mbi komunitetin serb në Kosovë përmes pagesave shtesë dhe mbështetjes financiare, duke i lidhur ata me Beogradin.
Ai shton se ky ndikim nuk është vetëm politik, por edhe ekonomik dhe shfrytëzohet për të penguar funksionimin e Kosovës si shtet. Fenomeni shihet edhe në vendet tjera me pakica serbe, si në Mal të Zi dhe Bosnjë.
“Që "kjo Serbi" tenton të pengojë Kosovën nuk është risi. Sepse ajo në vazhdimësi na kujton synimin e saj, e që është zhbërja e Republikës së Kosovës.
Komuniteti serb në Kosovë është nën influencën e "kësaj Serbie" si nga aspekti financiar por edhe ai hegjemonist. Sa për hirë të argumentit të ceki faktin se Serbia të punsuarëve serbë në Kosovë u paguan rrogën si në Serbi (psh Beograd) plus 50% shtesën e Kosovës me arsyetimin e "shpërblimit për qëndrimin dhe rezistencën e tyre stoike ndaj terrorit shqiptar".
Kjo i bie që një mësues në Kllokot bie fjala, apo gjetiu në Kosovë, të marri rrogën sa një mësues në Beograd plus gjysmë herë më shumë. E nëse i krahason shpenzimet Beograd - Kllokot, a ta jep kuptimin pse shumica e serbëve të Kosovës "janë lojalë" ndaj Vuçiçit dhe i përgjigjen thirrjeve të tij sa herë që ai i fton ata për hesape të veta.
Pra, pa e marrë në konsideratë edhe "ndjenjen kombëtare" e cila prodhon obligime ndaj shetit amë.
Kjo situatë është e ngjashme gjithandej ku është prezent komuniteti serb si bie fjala me komunitetin serb në Mal të Zi, e për mos ta përmend atë të Bosnje”, thotë ai.
Tutje, ai thekson se ndikimi i Serbisë përmes "Botës Serbe" është i pranishëm kudo ku ka komunitet serb dhe se kjo krijon destabilitet në gjithë Ballkanin.
Tali nënvizon se sa kohë Serbia mbetet me ambicie hegjemoniste, rajoni do të vuajë.
“Kudo që është prezent komunisteti serb mbizotëron një situatë e tillë, e shprehur nëpërmes të ashtuquajturës "Botës Serbe".
Prandaj unë them se: derisa "kjo Serbi" të jetë e sëmurë i tërë Ballkani do të vazhdojë të kollitet!
Kështu që këto lojërat me Listën Serbe dhe deputetët tjerë jo shumicë e jo serbë, duhet t'i shikojmë nga kjo perspektivë. Dhe ne duhet të bëjmë atë që mundemi gjithmonë duke e vë interesin e Republikës sonë para se gjithash”, përfundon ai.