“Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”

Politika

“Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 9 prill 2025 Në ora: 17:58
Kuvendi i Kosovës

Dy mujori i mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit e gjeti Kosovën pa institucione të reja.

Ndërsa, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar më 15 prill, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për votimin e qeverisë së re.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, pas mbledhjes me përfaqësuesit e partive politike, tha se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.

Konjufca tha se Vetëvendosje ka pasur synim që në zgjedhjet e 9 shkurtit të fitonte 500 mijë vota, në mënyrë që të drejtojë e vetme qeverinë e ardhshme.

“E kemi pasur qëllimin [t’i sigurojmë] 500 mijë vota. Nuk i kemi arritur ato. Tash është një skenar tjetër. Është skenari B”, deklaroi Konjufca.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha të martën se nuk e ka pranuar ftesën Kurtit për takim konsultativ.

Drenori: Skenari B, patjetër janë zgjedhjet e jashtëzakonshme

Image
Xhavit Drenori

Analisti Xhavit Drenori thotë se Konjufca e pranoi realisht situatën, duke pranuar edhe se Vetëvendosje synonte të qeveriste e vetme, por nuk ia doli.

Ai thotë se me gjasë VV kanë provuar të tërheqin ndonjë deputet nga grupet tjera, por janë përballur me rezistencë nga komunitetet joserbe për shkak të kërkesave jo të arsyeshme.

“Ajo çka tha Konjufca ishte më realja nga të gjitha prononcimet që kemi pas certifikimit të zgjedhjeve. Pra, synimi ka qenë që të fitojnë pushtetin të vetëm, nuk kanë arritur, me gjasë kanë pasur një kohë që të provojnë të bindin eventualisht ndonjë deputet që të kaloi grupin parlamentar nga njëri në tjetrin, në këtë rast t’i bashkohen Vetëvendosjes dhe me gjasë kanë hasur në rezistencë të disa minoriteteve jo serbë, pra me kërkesat jo racionale të tyre për formimin e qeverisë, dhe bëri atë që zoti Konjufca edhe publikisht thotë që Vetëvendosjes i duhen bashkëpunime me partnerë tjerë, respektivisht ishte i gatshëm të zgjatet dora edhe subjekteve tjera.”, vlerësoi ai për “Bota sot”.

Ai shprehet se LDK refuzoi edhe ftesën e dërguar për koalicion, duke shtuar se tash i mbetet Kurtit të rifillojë negociatat me minoritetet joserbe dhe Nismën, andaj nëse nuk arrihet marrëveshje, vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Tashmë e dimë që edhe zyrtarisht LDK-së i ka shkuar ftesa, gjë që me shumë gjasë pritet të refuzohet.
Prandaj, i mbetet Kurtit të fillojë raundin e dytë të negociatave me minoritetin jo serbë dhe Nismën, që të fillojnë të përafrojnë qëndrimet e tyre nëse veç në kokën e Kurtit nuk është që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për ndryshme mund të kthehemi në skenarin numër 1, që ka qenë skenari për formimin e një koalicioni me minoritetin jo serbë dhe Nismën. Tani, deri në ç’ masë janë këto negociata me këto subjekte ende nuk e dimë sepse deri tani ka pasur vetëm disa prononcime të disa prej deputetëve të cilët, kanë pas kërkesa jo shumë racionale, formimi i një komune me shumicë boshnjake, pastaj një ministri, pra ishin disa çështje të cilat nuk di se ç’ mase e prekin kufirin e Kurtit te negociatat. Mbetet të shihet, se skenari B, patjetër janë zgjedhjet e jashtëzakonshme se përndryshe nuk ka një qeveri të opozitës”,
përfundon ai për gazetën.

Ahmeti: Momentalisht gjykoj se zgjedhjet nuk janë opsion

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti Hidajet Ahmeti në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se koalicionet janë të pranueshme në demokraci, veçanërisht kur bazohen në ideologji.

Sipas tij, edhe pse secila parti synon ta qeverisë vetë, rezultatet shpesh nuk e lejojnë këtë, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë procedurat për formimin e qeverisë, dhe mandati fillimisht i takon partisë fituese.

“Në demokraci koalicionet janë të mundshme dhe të pranueshme, por nëse bëhen mbi baza ideologjike, janë edhe të natyrshme. Ambiciet e secilës parti do të ishin që qeverinë ta bëjnë vetëm, por rezultatet faktike nuk i japin komoditetin partisë së parë.

Është një precedent që ka vendosur Gjykata Kushtetuese me një aktvendim, i cili saktëson qartë mënyrën dhe procedurat, kush duhet dhe afatet e konsumimit të afateve kushtetuese e ligjore. Mendoj se nuk do të paraqiten probleme në formimin e qeverisë, pasi propozimi i mandatarit për formimin e qeverisë i takon partisë fituese deri në konsumimin e afateve ligjore”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se nëse partia e parë dështon të formojë qeverinë, mundësia kalon te partia e dytë.

Më pas shton se aktualisht zgjedhjet nuk duken të nevojshme, por në mungesë konsensusi për presidentin e ri, ato mbeten një opsion.

“Hipotetikisht, nëse partia e parë dështon në formimin e qeverisë, atëherë kalohet te partia e dytë, e cila ka të drejtën të shfrytëzojë afatet ligjore për formimin e qeverisë, e kështu me radhë.

Momentalisht gjykoj se zgjedhjet nuk janë opsion, por potencialisht, nëse nuk ka një konsensus më të gjerë nga partitë politike parlamentare për zgjedhjen e presidentit/es pas përfundimit të mandatit të znj. Osmani, atëherë potencialisht mund të shkohet në zgjedhje”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat