Që nga viti 2023 Kosova është nën masa të ‘padrejta’ të Bashkimit Evropian.
Masat iu vunë si ndëshkim për ngjarjet që ndodhën në maj të po atij viti në veri, me strukturat serbe atje.
BE-së vazhdimit i është bërë thirrje për heqjen e sanksioneve që nga Kosova u konsideruan të padrejta, por deri tani nuk ka pasur hapa konkret në drejtim të kësaj çështje.
Dje (e mërkurë), Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar draft-rezolutën për Kosovën, ku kërkohet heqja e menjëhershme e masave ndëshkuese të BE-së ndaj vendit.
Riho Terras, i cili është edhe autor i raportit, theksoi se "vendi i Kosovës është në BE".
Rezoluta mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës, si dhe inkurajon shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën ta bëjnë këtë pa vonesa.
Dokumenti vlerëson progresin në drejtësi, siguri dhe ekonomi, por shpreh shqetësim për mungesën e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe për situatën e sigurisë në veri të vendit. Kritikohet Serbia për mosndëshkimin e autorëve të sulmit në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin.
Arifi: Heqja e masave është urgjente
Ish-ambasadori Avni Arifi miratimin e rezolutës e cilëson lajm pozitiv për Kosovën, edhe pse ndikimi praktik mbetet për t’u parë.
Ai vlerëson se qëndrimi afirmativ i raportuesit Riho Terras përforcon aspiratat evropiane të vendit, duke shtuar se heqja e masave mbetet urgjente për Kosovën, por vendimi qëndron në duart e shteteve anëtare – dhe afërsia e disa prej tyre me Serbinë e vështirëson këtë proces.
“Është lajm i mirë votimi i rezolutës, pavarësisht se sa në praktikë do të mund të ketë ndonjë impakt. Po ashtu, qëndrimi i Terras është qëndrim afirmativ në aspiratat tona. Për ne, heqja e masave është urgjente, por vendimi për heqje vjen nga vendet anëtare dhe është vështirë me të spekulohet se do të hiqen, duke ditur afërsinë e disa vendeve të BE-së me Serbinë”, thotë ai.
Arifi thotë se çdo qeveri që dëshiron t’iu shërbejë qytetarëve duhet ta ketë integrimin evropian si prioritet.
“Çdo Qeveri e Kosovës, nëse do të iu shërbejë qytetarëve të vet, duhet ta ketë integrimin në BE si pikë prioritare programore. Kosova duhet të rrisë kapacitetet dhe të bashkëpunojë shumë më ngushtë me BE-në në procesin integrues”, përfundon ai.
Sadiku: Kosova duhet koordinohet në hapat tjerë në politikën e brendshme që ka efekt direkt edhe në atë të jashtme
Njohësi i politikës, Arbnor Sadiku, në një përgjigj për “Bota sot”, thotë se përveç tjerash aty kërkohet që Bashkimi Evropian të ofrojë më shumë qartësi mbi rrugën e integrimit të Kosovës, në mënyrë që vendi të mos mbetet një "zonë gri" në hartën politike të Evropës.
“Për më tepër, draft-raporti kërkon nga BE-ja të ofrojë më shumë qartësi mbi procesin e integrimit të Kosovës, për të shmangur që ajo të mbetet një zonë gri në hartën e Evropës, si dhe kërkohet një etapë e re në dialogun Kosovë Serbi, po ashtu, Kosova duhet koordinohet në hapat tjerë në politikën e brendshme që ka efekt direkt edhe në atë të jashtme”, deklaron ai.
Deputetja britanike Alicia Kearns, e ka cilësuar si një zhvillim të vonuar, por të domosdoshëm, draft-rezolutën e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian për Kosovën.
“Lajm i vonuar prej kohësh dhe jashtëzakonisht i mirëpritur – ekuilibri duhet të kthehet në botë, dhe veçanërisht në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit. Shpresoj që këto thirrje të merren parasysh,” ka deklaruar Kearns.
Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ishin vendosur si reagim ndaj krizës në veri të vendit, sidomos pas tensioneve të rënda në komunat me shumicë serbe në vitin 2023.
Këto masa u prezantuan nga BE-ja si një mënyrë për të shtyrë autoritetet kosovare që të ndërmarrin hapa konkretë drejt de-përshkallëzimit të situatës dhe bashkëpunimit më të madh me komunitetin ndërkombëtar.
BE-ja i ka kushtëzuar heqjen e këtyre masave me hapa të qartë nga Qeveria e Kosovës në drejtim të uljes së tensioneve në veri, përfshirë organizimin e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrje të serbëve dhe bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare si EULEX dhe KFOR.
Tani që Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar në favor të heqjes së menjëhershme të këtyre masave, kjo mund të sinjalizojë një ndryshim në qëndrimin e institucioneve të BE-së dhe një vlerësim më të balancuar të situatës në terren.