Më 8 prill, presidenti francez, Emmanuel Macron zhvilloi një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pas këtij takimi me Macron, Vuçiq tha se bota po hyn “në një epokë turbulente që do të zgjasë” dhe se “është mirë që Serbia e ka një aleate të madhe në Evropë, Francën”.
Vuçiq u tha gazetarëve se me Macronin diskutoi për çështjet gjeopolitike dhe për situatën në Serbi.
“Kemi diskutuar për një sërë çështjesh lidhur me të ardhmen evropiane të Serbisë dhe i kërkova Francës që të marrë pjesë në Expo 2027 në Beograd, dhe mendoj se kemi marrë një përgjigje pozitive”, tha udhëheqësi serb.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia kanë arritur një “marrëveshje historike” në fillim të vitit 2023, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër.
Megjithatë, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar akoma, derisa tensionet vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin rajonal.
Mirëpo, çfarë mund të pritet nga Franca në raport me Kosovën kur e njëjta thekson që është aleate e Serbisë?
Shabani: BE-ja po e rikthen sërish në tavolinë rëndësinë e çështjes së normalizimit Kosovë-Serb
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve diplomatike, Amir Shabani.
Ai thotë se BE-ja është e koncetruar në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur po ndodhin përplasje të Fuqive të Mëdha.
Sipas tij, Kaja Kallas dhe Peter Sorensen po angazhohen në vazhdimësi për palët që të arrijnë një marrëveshje finale.
“BE-ja po e rikthen sërish në tavolinë rëndësinë e çështjes së normalizimit Kosovë-Serbi në këtë kohë të turbulencave gjeopolitike që po ndodhin në botë, gjegjësisht mes përplasjeve të fuqive të mëdha.
Në një dinamikë kur marrëdhëniet SHBA-BE janë zbehur si kurrë më parë, Bashkimi Evropian po koncentrohet në përfshirjen e Ballkanit Perëndimor brenda ombrellës së saj.
Takimi i Presidentit Macron me Presidentin Vuçiq ka qenë pikërisht theksi në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, gjë që ditë më parë i kushtoi rëndësi të veçantë edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ku me anë të të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen po angazhohen parreshtur drejt finalizimit të kësaj problematike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.
Më tej, Shabani përmend protestat masive në Serbi ku thotë se këto probleme brenda Serbisë kanë ndikuar edhe në marrëdhëniet e saj të jashtme.
“Takimi mes dy homologëve vjen mes protestave masive antiqeveritare në Serbi. Demonstruesit kanë akuzuar qeverinë për korrupsion dhe dhunë – e që kjo konsiderohet një problem serioz me të cilin ballafaqohet qeveria serbe. Ndonëse protestuesit (studentët) kanë marrë mbështetje nga populli, atë nuk e kanë gjetur aq shumë edhe nga BE-ja.
Problemet brenda Serbisë janë reflektuese edhe në marrëdhëniet e saj me jashtë, andaj rrjedhimisht, mendoj se normalizimi i suksesshëm i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të realizohej vetëm me ndryshimin e rrotacionit politik në qeverisjen e Serbisë”, nënvizoi Shabani për “Bota sot”.
Mehmeti: Macron është ai që ka përkëdhel Serbinë dhe vazhdon të jetë mik i saj
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që raportet mes Macronit dhe Vuçiqit njihen tash e një kohë, pasi i njëjti ka rehabilitur figurën e Vuçiqit në vazhdimësi.
“Deklaratë rutinë e Macronit, njeriut besnik të Vuçiqit dhe Serbisë. Serbia nuk është shtet si të tjerët, por një shtet i shpallur gjenocidal dhe duhet të ketë shumë kushte për Serbinë për rrugën e dialogut dhe integrimin evropian. Macron me këtë deklaratë dhe të tjerat para saj e ka rehabilituar figurën e Vuçiqit, si njeri i duhur për marrëveshje, duke anashkaluar fakin se ai ka qenë shërbëtor i kriminelëve Millosheviqi dhe Sheshel”, potencoi ai.
Në fund, analisti theksoi që kjo deklarata e Macron duhet të jetë e paanëshme pasi Serbia ka provokuar Kosovën në vazhdimësi dhe duhet të mos e ‘përkëdhel’ më shumë as edhe me deklarata.
“Gjithashtu, është Vuçiqi ai që sulmoi Kosovën përmes Banjskës, dhe i njëjti që kërcënon Kosovën. Deklaratat e Macron nuk është e duhur e një shteti të fuqishëm që synon të promovojj vlera, por të cilat s’po i shfaq kur është në pyetje Serbia. Macron është ai që ka përkëdhel Serbinë dhe vazhdon të jetë mik i saj”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.