Kosova pa misionin e UNMIK-ut, çka mund të humbë dhe çka të fitojë?

Politika

Kosova pa misionin e UNMIK-ut, çka mund të humbë dhe çka të fitojë?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 prill 2025 Në ora: 17:02
Foto ilustrim

Ministrja  e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka kërkuar pos tjerash përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Gërvalla e cila në fjalën e saj ka folur për sulmin e armatosur të 24 shtatorit në 2023 në Banjskë, ku ka humbur jetën polici Afrim Bunjaku si dhe për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i trajtojë seriozisht veprimet destabilizuese veprimet destabilizuese të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, ta ndalojë logjikën e mohimit e relativizimit të krimeve të rënda që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Duke folur lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku, Ministrja Gërvalla deklaroi se 'ky nuk ishte thjesht një incident i izoluar', por një akt i planifikuar agresioni me bazë në Serbi dhe i kryer nga grupe paramilitare të udhëhequra nga terroristi Milan Radoiçiq, një person i lidhur ngushtë me elitën politike serbe. “Ta quash këtë një 'incident serioz sigurie', siç e përshkruan raporti i UNMIK-ut, është shtrembërim i hapur i realitetit. Ky ishte një akt i pastër agresioni i sponsorizuar, armatosur dhe mbështetur nga Serbia. Ishte terrorizëm shtetëror. Ishte akt lufte”, u shpreh Gërvalla.

Tutje, sipas Gërvallës, raportimi i UNMIK-ut ka qenë i njëanshëm dhe në shpërputhje me realitetin në terren.

 “UNMIK-u nuk po e dëmton më Kosovën, po e dëmton kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara. Ndryshe nga agjencitë e tjera të OKB-së që janë partnere të vërteta, UNMIK-u është kthyer në një pengesë për të vërtetën,” ka deklaruar ajo.

Palë me Beogradin

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pala serbe artikuloi akuza të trilluara.

Ai përmend vendet të cilat kanë qëndrim pro- serb dhe për këtë sipas tij vuan Kosova.

“Si gjithnjë, edhe kësaj radhe, pra para pak ditësh, u mblodh sërishmi Këshilli i Sigurimit të OKB-së, për të shqyrtuar raportin e UNMIK-ut jo ekzistent në Kosovë. Ishin të çpranishëm dy ministrat e Punëve të Jashtme, zonja Gërvalla e Kosovës dhe zoti Gjuriq i Serbisë. Edhe kësaj radhe pala serbe artikuloi akuza të trilluara për atë që ajo e quan “përndjekje e pakicës serbe në Kosovë nga ana e qeverisë së zotit Kurti”! Se në Kosovë serbët, sidomos ata në veri, përndiqen dhe kërcënohen nga Lista Srpska dhe bandat e Radoiçiç, kjo nuk ka nevojë për prova. Eshtë sheshit e dukshme. Por janë pikërisht autoritetet e Serbisë dhe të Listës Srpska ata që akuzojnë autoritetet e Kosovës për “ushtrim dhune kundër serbëve”!

Në fakt kësaj formule i kanë ardhur në ndihmë shumë vendime dhe qëndrime të faktorit perendimor, me të cilat është ndëshkuar Kosova me pretendimin se “Vendimet e qeevrisë Kurti e vështirësojnë jetën e qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë. Si të tilla janë interpretuar largimi i institucioneve ilegale të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, mbyllja e bankës dhe postave të Serbisë, vendosja e targave të Kosovës, deri te zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut. Për këtë qëndrim pro-serb Kosova vuan ende sot masat ndëshkuese të Bashkimit Europian. Për të vendosur ato masa ndikoi Franca, e cila e bindi për këtë edhe Gjermaninë. Tani Francës i duhet vetëm vetja për t’i mbajtur në fuqi masat ndëshkuese kundër Kosovës. Dhe mesa duket Macron e ka garantuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për mbajtjen e masave anti-Kosovë gjatë vizitë që Vuçiq zhvilloi në Shën Elize”, deklaron Bytyçi.

Sipas tij, përfaqësuesi i UNMIK-ut mban gjithnjë anën e Serbisë dhe për këtë pa asnjë provë dhe fakt.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

UNMIK është palë me Beogradin, thotë Bytyçi, gjersa e konsideron kreun e kësaj organizate shërbetor të Serbisë dhe Rusisë.

“Ajo që bie në sy gjatë të gjitha mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit dedikuar situatës në Kosovë, lidhet me faktin se përfaqësuesi i UNMIK-ut mban gjithnjë anën e Serbisë. Madje pa asnjë provë dhe fakt flet aty për dhunim të të drejtave të serbëve në veri dhe përpiqet të justifikojë çdo akt terrori e diversioni të Beogradit, duke e paraqitur si “reagim ndaj masave të qeverisë së Kosovës”! Që kur UNMIK-u u la të veprojë në veri të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së saj, duhej ditur se roli i tij do të shkonte në favor të Serbisë. Që atëherë autoritetet dhe institucionet e Kosovës nuk duhej të pajtoheshin me praninë e UNMIK-ut në territorin e Kosovës. Por tani jemi para një fakti që zor se mund ta ndryshojmë. UNMIK është aty. Punon në drejtimin dhe sipas udhëzimeve të autoriteteve të Beogradit dhe të Listës Srpska. Kreu i UNMIK më shumë rri në Beograd, sesa në terren, në territorin e katër komunave të veriut të Kosovës.  Për këtë arsye UNMIK-u nuk ka reaguar ndaj aktit terrorist të Banjskës, si dhe ndaj sulmit për shkatërrimin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc. Të dyja këto akte janë vepër e Beogradit dhe terroristëve të Listës Srpska. Kreu i UNMIK-ut e di këtë. E thonë edhe shërbime të shumta informative të vendeve perendimore. Por UNMIK “nuk di gjë”! Sepse është palë me Beogradin. Eshtë shërbëtor i Serbisë dhe i Rusisë”, shprehet profesori.

UNMIK nuk mund të largohet sa kohë që nuk ka konsensus midis vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurisë, thotë Bytyçi.

“Në këto kushte nuk duhet të presim që kjo strukturë pro-ruse dhe pro-serbe të shërbejë si instrument i pasqyrimit të së vërtetës. Eshtë krejt e pamundur. Eshtë iluzion të mendohet kjo. UNMIK-u edhe kësaj radhe gjeti mbështetjen jo vetëm të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, por edhe të ambasadorit të Rusisë në OKB. As ambasadori francez nuk reagoi ndaj tij. Vetëm ambasadori britanik kërkoi që kjo strukturë e OKB-së në Kosovë të largohej tashmë, për shkak se e ka përfunduar misionin e tij. Por kjo nuk mjafton. Nëse një vend vendos veton, UNMIK-u nuk largohet nga Kosova, përkatësisht veriu i saj. Zonja Gërvalla e kërkoi largimin e tij. Ajo e ka kërkuar edhe më parë, vitet e shkuara. Madje e kanë kërkuar para pak vitesh gjithashtu Vlora Çitaku apo ministrat e jashtëm të Kosovës. Por nuk ka ndodhur. Nuk mund të ndodhë sa kohë që nuk ka konsensus midis vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, përkatësisht SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Kinës dhe Rusisë. Kështu funksionin Këshilli i Sigurimit. Me konsensus”, thekson Bytyçi.

Në fund, ai kërkon që institucionet të vazhdojnë të forcojnë sovranitetin e shtetit në veri.

“Çfarë mund të bëhet? Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të forcojnë sovranitetin e shtetit në veri, me qëllim që pjestarët e UNMIK-ut thjesht të tundin zingjirin, sa kohë që Këshilli i Sigurimit nuk pranon largimin e tij. Atë, Beogradin dhe Listën Srpska i tmerron vetëm ushtrimi i sovranitetit të plotë në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo është detyrë e çdo qeverie, jo vetëm e asaj që mbaroi mandatin dhe e kësaj që do të vijë pas saj.

Ndërkohë qëndrimet e UNMIK-ut në KS të OKB-së në pajtim të plotë me akuzat serbe e ruse kundër shtetit të Kosovës, janë një dëshmi tjetër, e cila tregon se Kosova nuk e ka luksin të zgjasë krijimin e institucoioneve të reja, sipas vullnetit politik të sovranit të shprehur më 9 shkurti të këtij viti”, përfundon profesori.

Pas deklaratës së Gërvallës për mbylljen e misionit të tij, ka folur në një prononcim për media Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)

UNMIK ka theksuar se mandati i tij rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Rishikimi i mandatit, duke përfshirë një mbyllje të mundshme të misionit, është vetëm në diskrecionin e Këshillit të Sigurimit” thuhet në përgjigjien e UNMIK.

Po ashtu UNMIK thotë se  Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përcakton mandatin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, si dhe praninë e sigurisë (KFOR).

‘’Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përcakton mandatin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, si dhe praninë e sigurisë (KFOR)’’, shprehen nga UNMIK.

Kosova nuk humb asgjë pa UNIMIK-un

Ndërsa, eksperti i sigurisë Arben Dashevci, thotë se është e drejtë kërkesa për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut.

Image
Arben Dashevci

Sipas tij, misioni i UNMIK-ut ka qenë shumë herë i njëanshëm dhe ka pasur zyrtarë të tij që kanë vepruar drejtpërdrejt dhe indirect kundër vendit.

“Po, para dy ditësh, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar për të satën herë radhazi, po ashtu edhe Presidentja Osmani më parë, përfundimin e misionit të UNMIK-ut. Gjithashtu, përfaqësuesi i SHBA-së në OKB ka kërkuar që ky mision të mbyllet, sepse ka ardhur koha dhe nuk ka asnjë punë që mund ta kryejë ose ka ndonjë kompetencë ta kryejë më. 86% e buxhetit shkon për paga, pra vetëm harxhon, por nuk ka punë që mund të kryejë më. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Na kanë njohur 118 shtete më të rëndësishme në botë. Përgjegjës jemi ne si shtet, mendoj unë, dhe nuk ka asnjë nevojë të flasë dikush për ne kur ne jemi shtet dhe flasim për veten tonë, ashtu siç i takon një shteti të mirëfilltë. Pra, është kërkesë e drejtë, mendoj unë.

Ky mision ka qenë shumë herë i njëanshëm dhe ka pasur zyrtarë të tij që janë shpallur "Non Grata" për Republikën e Kosovës, sepse kanë vepruar drejtpërdrejt dhe indirekt kundër vendit tone”, shprehet Dashevci.

Sipas tij, Kosova nuk humb asgjë nëse përfundon misioni i UNMIK-ut, por mund të përfitojë si shtet.

“Përfundimi i këtij misioni është i mundur sepse vendet demokratike e kërkojnë këtë. SHBA nuk merr pjesë më dhe thjesht përfundon ajo që ka dashur të përfundojë moti. Kosova nuk humb asgjë, përfiton sepse është shtet dhe duhet të anëtarësohet në OKB sa më shpejt me ndihmën e aleatëve, si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, që të pengojnë ose evitojnë veton e Rusisë dhe Kinës për anëtarësim dhe ulëse të merituar në OKB”, përfundon Dashevci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat