Shtrenjtim i rrymës elektrike dhe protestat në Kosovë, ekspertët e sigurisë hedhin dyshime te...

Politika

Shtrenjtim i rrymës elektrike dhe protestat në Kosovë, ekspertët e sigurisë hedhin dyshime te...

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 prill 2025 Në ora: 19:55
Nga protesta e 5 prillit

Nga 1 maji i këtij viti qytetarët e Kosovës do të  paguajnë rreth 16% më shtrenjtë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë, pasi që Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi ta rrisë çmimin e rrymës.

Pak pas mbajtjes së mbledhjes, ZRrE-ja njoftoi të premten edhe përqindjen e shtrenjtimit të rrymës për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

 “Kërkesa/propozimi fillestar i KESCO-s për të Hyrat e Lejuara Maksimale për FSHU ka qenë 447.626 mil€, ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 435.626 mil€, ku përfshihen Operatorët e licensuar OSSH dhe OST/OT. Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%.” – thuhet në komunikatën e ZRRE-së, më 11.04.2025.

Vendimi për shtrenjtimin e rrymës është marrë në ditën e njëjtë kur shumë qytetarë protestuan kundër tij.

Gjersa, qytetarët paralajmërojnë edhe protesta tjera, ekspertët e sigurisë hedhin dyshime të reja.

Bedri Elezi, ekspert i sigurisë, ka thënë se ngritja e çmimit të energjisë në Republikën e Kosovës, mund të jetë pjesë e planit sekret për destabilizimin e vendit.

Sipas tij, shërbimet sekrete kryejnë veprime që do të provokonin opinionin për aktivitete protestuese.

Image
Bedri Elezi

 “Ngritja e çmimit të energjisë në republikën e Kosovës, mund të jetë pjesë e planit sekret për destabilizimin e vendit

Shërbimet sekrete, në kuadër të detyrave speciale, kryejnë edhe veprime të cilat do të provokonin opinion për aktivitete protestuese.

Në kohën kur SHBA-t, janë duke punuar fuqishëm për zbatimin e programeve konkrete për siguri afatgjate, gjithashtu shërbimet sekrete armike përmes të rekrutuarve të tyre organizojnë aktivitete të cilat do të krijonin kushte për kundërshtimin e tyre, madje edhe duke nxitur kundërshtimin deri në organizimin e protestave”, ka shkruar Elezi.

I pyetur rreth kësaj, Elezi ka folur më gjerësisht për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, nëse fillohet nga fakti i disa deklaratave publike të përfaqësuesve shtetëror të Republikës së Kosovës, mos arsyes bindëse për ngritjen e energjisë si dhe dyshimeve se disa zyrtarëve të ZRRE që ishin të angazhuar paraprakisht në KEDS, atëherë mund të besohet se shërbimet sekrete me qëllim të destabilizimit të vendit.

 “Referuar faktit se KEK-u si prodhues i energjisë elektrike nuk ka rritur çmimin e energjisë për KEDS-SH.A, si dhe faktin se avancimi teknologjik ka krijuar mundësi për shkurtimin e vendeve të punës, po ashtu edhe fakti tjetër është se KEDS dhe KESCO, kanë kryer një pjalesë tË madhe në investimet për infrastrukturë energjetike, ku edhe zvogëlohet numri i të angazhuarve, atëherë nuk ka pasur asnjë arsye të ngritjes së çmimit të energjisë për qytetarët e republikës së Kosovës Ne kemi deklarata publike të përfaqësuesve shtetërorë të Republikës së Kosovës se Kosova është në një situatë të sigurisë së brishtë, dhe krejt kjo brishtësi sipas tyre vjen si rezultat i angazhimeve të shërbimeve sekrete armike në Kosovë, madje përfaqësuesit shtetëror kanë deklaruar se ekziston rreziku serioz i eskalimit të situatës së sigurisë. Nëse fillimisht marrin në konventatë deklaratave zyrtare të institucioneve të republikës së Kosovës, po ashtu faktin se nuk kishte arsye bindëse për ngritjen e energjisë, si dhe dyshimet se disa zyrtarë të ZRRE ishin të angazhuar paraprakisht në KEDS, ne mund të besojmë fuqishëm se shërbimet sekrete me qellim të destabilizimit të vendit kanë angazhuar kapacitetet e tyre në cenimin e sigurisë ekonomike me idenë që të fillojë revolta qytetare dhe organizimet e protestave”, shprehet Elezi.

Faktet dhe dyshimet

Të arrestuarit për spiunazh që kishin operuar në Kosovë, është fakt sipas Elezit, që shërbimet sekrete janë prezente në qytete jashtë enklavave serbe dhe të angazhuarit e spiunazh serbë dhe rusë mund të kryjnë veprime konkrete speciale për destabilizimin e Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Serbia përmes strukturave sekrete të saja po mundohet të destabilzojë Kosovës, por aktualisht Serbia mund të eskalojë sigurinë vetëm në komuna me shumicë serbe dhe eskalimin eventual vetëm në enklava serbe mund të mos arrijë efektin pritur nga Serbia dhe Rusia, andaj është shumë e nevojshme destabilizimi në shkallë vendi me qellim defokusimin e kapaciteteve të sigurisë. Në Kosovë zyrtarisht kemi të arrestuar për spiunazh, madje sipas prokurorisë të njëjtit për një kohë të gjatë kishin operuar në Kosovë. Ky fakt na bënë të besojmë se shërbimet sekrete janë prezente qytete jashtë enklavave serbe dhe të angazhuarit e spiunazhit serb dhe rusë mund të kryejnë veprime konkrete speciale për destabilizimin e vendit, pikërisht duke përdorur revoltën qytetare në protesta. Serbia dhe Rusia janë angazhuar fuqishëm për aktivitete jo sigurie në Kosovë, madje për këto dyshime janë deklaruar Presidentja, Kryeministri, Ministra dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë në Kosovë”, thekson eksperti.

Tutje, eksperti përmend edhe fakte tjera që e bën të besohet se Serbia dhe Rusia kanë aktvizuar burimet e tyre për të krijuar kushte për organizimin e protestave dhe më pas eskalimin e tyre.

 “Në këto momente kur SHBA-të dhe BE-ja, janë seriozisht janë angazhuar për realizimin e programeve të sigurisë afatgjate në Kosove, dhe gjithashtu fakti se Rusia për shkak zhvillimeve në luftimet me Ukrainën është tejet e interesuar të defokusoj kapacitetet e SHBA-ve në zhvillimet eventuale në Kosove dhe rajon, po ashtu fakti se Serbia gjithashtu është në një situatë jo sigurie, si dhe zhvillimet në republikën Serbe në Bosnje, është e vetëkuptueshme se këto përpjekje për destabilizimin e Kosovës janë reale. Nëse i referohemi vetë deklaratave të përfaqësuesve të shtetit të Kosovës për situatën e jo sigurisë, atëherë në këto rrethana duhej shmangej rreziku i indinjimit qytetarë për organizimin e protestave eventuale, e posaçërisht për shkak se vërtet siguria ekonomike aktualisht është e rëndë në Kosovë. Por pikërisht këto që fakte që përmendem më lartë janë të mjaftueshme për të besuar se Serbia dhe Rusia kanë aktivizuar burimet e tyre për të krijuar kushte për organizimin e protestave dhe më pas eskalimin e tyre. Këto metoda janë të njohura dhe janë zbatuar në shumë vende nga shtetet të cilat kanë pasur qëllim destabilizimin e atyre shteteve deri në luftë civile. Një kriminel serb i quajtur Dobrica Çosiq kishte deklaruar se e kemi humbur Kosovën me luftë, por do ta fitojmë përmes angazhimeve sekrete. Goditja me këtë ngritje të energjisë elektrike mendoj se është e pa përballueshme, prandaj edhe protestat e qytetarëve më të varfër në Evropë janë të pashmangshme prandaj Serbia dhe Rusia kanë angazhuar seriozisht këto zhvillimet për aktivizimin e mekanizmave të tyre për goditur qytetarët deri sa të nxjerrin qytetarët në rrugë, dhe kështu protestat të përdorën për destabilizimin e vendit”, përfundon Elezi.

Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka mbajtur mbledhje për të vendosur për këtë çështje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje sërish ZRRE-së që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike.

Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës.

Veç tjerash, u ngrit shqetësimi edhe për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, për çka u kërkua që parlamenti të merret me këtë çështje. Bizneset dhe qytetarët, u tha në konferencë për media, se nuk duhet të paguajnë dështimet e institucioneve.

Ndërkaq mbi 500 ankesa ishin prej qytetarëve në ZRRE për të kundërshtuar shtrenjtimin.

Derisa Presidenca e Kosovës e kundërshtoi propozimin e ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë tha se rritja nuk duhet t'i prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kwh. Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të sjellë valën e re të shtrenjtimit në treg. Buka, produktet e qumështit dhe të tjera. Kujtojmë se kjo rritje e tarifave, është për herën e tretë nga viti 2022.

Pozitë e rrënuar ushtarake

Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë se statistikat e largimit nga radhët ushtarake janë tregues pakënaqësie.

Sipas tij, niveli politik duhet të mendonte një sërë veprimesh emergjente për ta parandaluar trendin.

Image
Drizan Shala

“Një statistikë e tillë e largimit nga radhët ushtarake është tregues se brenda pjesës së uniformuar kemi një rritje të pakënaqësisë, si për proceset meritokratike, ashtu edhe për ato ekonomike dhe sociale, të cilat kanë rënduar pozitën e personelit ushtarak. Niveli politik do të duhej të mendonte një sërë veprimesh emergjente, por edhe strategjike, për të parandaluar që ky trend të marrë përmasa më të mëdha në vitet në vijim. Të mos harrojmë se për të formuar një ushtar, buxhetit të Kosovës i kushton mbi 10.000 euro, ndërsa për një nënoficer, specialist apo oficer, shifrat tejkalojnë 100.000 euro”, deklaron Shala.

Ai sheh keq menaxhim në nivel politik, gjersa kërkon hapa të qartë për situatën.

 “Pra, përveç dëmtimit të buxhetit të vendit, po përballemi edhe me një keq menaxhim nga niveli politik, i cili nuk po arrin të bëjë një zgjedhje optimale dhe të qëndrueshme për personelin. Për këtë duhet të kemi përgjegjësi dhe të ndërmarrim hapa të qartë për ta adresuar këtë situate”, përfundon eksperti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat