Dështimi i seancës konstituive, rrezik për bllokadë institucionale – kritikohet opozita!

Politika

Dështimi i seancës konstituive, rrezik për bllokadë institucionale – kritikohet opozita!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 prill 2025 Në ora: 18:32
Kuvendi i Kosovës

Sot pritej të bëhej konstituimi i Kuvendit të Kosovës, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Seanca konstituive e Kuvendit dështoi, kjo për shkak se deputetët e partive opozitare dhe deputetët e partive të komuniteteve jo shumica nuk votuan pro raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

"Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon", tha kryesuesi i seancës.

Për votoi VV dhe Nisma, kundër ishin LDK, PDK dhe AAK, ndërsa Lista Serbe abstenoi.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari tha se do t'i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.

PDK-ja dhe LDK-ja nuk po e pranojnë dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë.

Ndaj opozitës, reagoi ashpër edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku i akuzoi këto parti për "sulm brenda institucional".

Mekuli: Sot jemi dëshmitarë të një devijimi të pashembullt demokratik

Image
Gëzim Mekuli

Gëzim Mekuli, njohës i shkencave të mediave dhe retorikës në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me ndërprerjen e seancës konstituive.

Së pari, tha se kjo ishte një shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese, që dërgon në një krizë legjitime.

Ai potencoi se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë shtet demokratik.

“Sot jemi dëshmitarë të një devijimi të pashembullt demokratik, ku deputetët e zgjedhur nga qytetarët, përfshirë ata që kanë ardhur nga diaspora, me vullnet të pastër për të kontribuar për Kosovës, kanë votuar kundër verifikimit të vet mandateve, një hap tërësisht formal dhe teknik që është parakusht për betimin e tyre dhe për nisjen e punës së Kuvendit.

Ky veprim i tyre nuk është thjeshtë një krizë momentale apo një lojë parlamentare. Jo, kjo është një krizë legjitimiteti, një shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese, dhe për më tepër, një akt i vet- anulimit nga vetë opozita. Në asnjë demokraci funksionale nuk ndodh që një deputet të kërkojë votën e qytetarit për t’u bërë pjesë e Kuvendit, e më pas ta bllokojë vetë konstituimin e tij; veç nëse ka humbur sensin e përfaqësimit dhe i është dorëzuar një agjende tjetër të huaj, përtej asaj që ka të bëjë me interesin e Republikës së Kosovës”, nënvizoi ai.

Po ashtu, Mekuli konsideron se kjo bllokadë u bë qëllimshëm dhe ishte e koordinuar mes partive opozitare, ku me këtë vendim u rreshtuan krah Listës Serbe.

Madje, këtë e vlerësoi si një degjenerim politik e kombëtar.

“Dhe po, këtu kemi të bëjmë me një bllokadë të qëllimshme dhe të koordinuar të opozitës. Për më tepër, ajo çfarë e bën këtë situatë skandaloze dhe të pa tolerueshme është se opozita e Kosovës është rreshtuar përkrah «Listës Serbe», një subjekt i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e pranon Kushtetutën e saj dhe është i lidhur direkt me politikat destabilizuese (terroriste) të Beogradit të moçëm kundër Kosovës.

Kur partitë që historikisht janë ndërtuar mbi retorikën e pavarësisë, luftës për çlirim dhe ndarjes nga Serbia, sot i japin dorën «Listës serbe» për të sabotuar konstituimin e institucioneve të Kosovës, atëherë nuk kemi më të bëjmë me opozitë; kemi të bëjmë me degjenerim moral, etik, politik dhe kombëtar. Janë këta asgjë tjetër pos diverzantë dhe minues të Republikës së Kosovës.

Ky është një akt i pastër sabotimi institucional, dhe për më tepër, një krizë që plasaritë themelet e Republikës. Nuk jemi më në fushatë elektorale. Zgjedhjet kanë përfunduar. Vota është dhënë. Certifikimi është bërë nga KQZ. Çdo hap tjetër është vetëm zbatim i procedurës. Ata që nuk e bëjnë këtë, e kundërshtojnë vet legjitimitetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e popullit”.

Krahas kësaj, njohësi tha se ky është një moment i ndarjes, ata që duan shtet, lidh dhe ata që duan ta ruajnë ndikimin e humbur politik

“Prandaj, po, nëse kjo situatë nuk adresohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë, nga presidentja e vendit, nga mekanizmat ndërkombëtarë, dhe mbi të gjitha nga mediat dhe vet qytetarët, atëherë rrezikojmë të humbim jo vetëm rendin kushtetues, por edhe besimin në sistemin demokratik.

Ky është momenti i ndarjes: në njërën anë janë ata që duan shtet, rend, ligj dhe pavarësi, dhe në anën tjetër ata që janë të gatshëm të diegin çdo institucion të Kosovës vetëm që të ruajnë ndikimin e humbur politik e ekonomik apo t’i bëjnë qejfin Beogradit të moçëm”, shpjegoi Mekuli.

Ndër të tjera, kërkoi unifikim rreth vlerave kushtetuese dhe reagim qytetar, pasi sipas tij sot janë shkelur disa “vija të kuqe”.

“Është detyrë morale dhe patriotike që çdo qytetar i ndërgjegjshëm të mos e lejojë këtë rrëshqitje në kaos institucional. Duhet reagim qytetar, duhet unifikim rreth vlerave kushtetuese dhe rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Dhe një mesazh për deputetët: Nëse nuk keni guxim të votoni as për mandatin tuaj, nëse nuk keni dinjitet të zbatoni as detyrën minimale që ua jep populli, atëherë lëshoni vendin. Shporruni! Nuk mund ta mbani peng as Republikën, as qytetarët, as të ardhmen e Kosovës.

Historikisht, shqiptarët kanë përballuar shumë kriza, por gjithmonë kanë pasur një vijë të kuqe: mos me e shit vendin te armiku, mos me u bashku me ata që duan shuarjen e kombit. Ky është një rast ku ajo vijë sot është shkelur. Dhe kjo nuk guxon të kalojë pa pasoja”, përfundoi Gëzim Mekuli për “Bota sot”.

Kelmendi: Nga partitë në Kuvend varet edhe konstituimi i Kuvendit dhe ndërtimi i Qeverisë

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi tha se Kushtetuta i ka rregullat e qarta, por që sipas tij shkaku i dështimit të konstituimit është mungesa e votave.

“Sot dështoi konstituimi i Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe i Qeverisë. Juridikisht duhet që të bëhet konstituimi i Kuvendit, Kushtetuta ka rregulla të qarta. Por, duket se mungojnë deputetët për votim dhe për Qeveri.

Formimi i Qeverisë varet kryesisht nga numri i deputetëve në Kuvend. VV-së i duhen 61 deputetë për të ndërtuar Qeverinë, derisa opozita po deklaron se nuk do shkojë me VV. Kurse, ende është në dilemë NISMA!”.

Gjithashtu, Kelmendi tha se dorëheqja nuk është pengesë juridike për konstituim të Kuvendit, por që e gjitha varet nga opozita dhe partia fituese.

“Mos konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë e çon vendin në zgjedhje. E tëra varet nga interesat politike për pushtet. Nga kjo pritet kohëzgjatje deri edhe zgjedhje të reja.

Këtu buron edhe kërkesa drejtuar Presidentes. Ajo nuk ka kompetenca tjera veçsë për të ftuar seancën konstituive. Partitë i kanë kompetencat.

E parti e parë është VV, kësaj i takon aktiviteti për të ecur para.

Dorëheqja apo mosdorëheqja nuk është pengesë juridike për të konstituar Kuvendin.

Kjo e tëra varet nga VV dhe nga opozita, dojnë apo nuk dojnë zgjidhje të çështjes apo dojnë zgjedhje të reja”, nënvizoi ai.

Në fund, shtoi se varësisht se si iu përshtat partive politike, atëherë ndodhë konstituimi apo edhe shkohet në zgjedhje të reja.

“Nëse VV-së i shkon në favor procesi zgjedhor, priten veprime ngadalësuese deri në zgjedhje. Në të kundërtën, subjekti tjetër, i dyti apo i treti, mund të krijojnë Qeverinë.

Nëse zgjedhjet janë në dëm të subjekteve aktuale, kuptohet se nuk kemi zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme.

Nga partitë në Kuvend varet edhe konstituimi i Kuvendit dhe ndërtimi i Qeverisë. Çdo gjë lidhet me 61 deputetët që i duhen pozitës ose opozitës”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat