Gjatë majit të vitit 2023-it, serbët në veri protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill, pas bojkotimit të procesit zgjedhor nga serbët dhe partitë serbe.
Kosova fajësoi Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato u kryen nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.
Përplasjet filluan pasi ushtarët e KFOR-it u bënë thirrje serbëve që t'u hapin rrugën dy makinave të forcave të posaçme të policisë së Kosovës.
Protestuesit serbë hodhën gaz lotsjellës, gurë e mjete të tjera të forta mbi pjesëtarët e NATO-s.
Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan.
E gjatë ditës së djeshme Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla njoftoi sot se është arrestuar edhe një nga të dyshuarit për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it në protestat e 29 majit 2023 në Zveçan.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla shprehet se asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndjejë lirinë për aq kohë sa ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës.
“Arrestohet edhe një nga terroristët që dhunshëm sulmoi pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, disa prej të cilëve mbetën me pasoja të përjetshme. Asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndjejë lirinë për aq kohë sa ka cenuar rendin tonë kushtetues, punën e institucioneve tona, detyrën e zyrtarëve tanë e personelit ndërkombëtar. Mbi ta do të veprohet pa asnjë kompromis siç presim që edhe drejtësia të veprojë në linjë të tillë. Republika jonë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë zonë e rehatisë për kriminelë e terroristë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Të mërkurën, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit M.A., i cili dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-i në Zveçan.
Të pyetur nga gazeta “Bota sot” ekspertët e sigurisë mirëpriten arrestimin e terroristit duke u shprehur se drejtësia duhet të vihet në vend.
Softa: Sfida kryesore e Kosovës mbetet formimi sa më i shpejtë i qeverisë së re
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Ai thotë se me arrestimin e terroristit, Kosova po e dëshmon që si shtet po arrin të mbrojë sovranitetin e saj.
Mirëpo sipas tij, formimi i qeverisë është sfida kryesore për Kosovën.
“Kosova po dëshmon një autoritet gjithnjë në rritje si shtet dhe në funksionimin e institucioneve të sigurisë.
Sfida kryesore e Kosovës mbetet formimi sa më i shpejtë i qeverisë së re dhe sigurimi i një qeverisjeje të qëndrueshme. Situata në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, lufta tregtare dhe ndryshimet në gjeopolitikën globale kërkojnë një Kosovë të bashkuar, pasi konfliktet e brendshme politike mund të inkurajojnë armiqtë tanë”, u shpreh ai.
Më tej, eksperti thekson që me këto veprime Kosova i ka dhënë përgjigje të qartë ndaj terrorizmit dhe spiunazhit serb.
“Veprimet profesionale të institucioneve të sigurisë kanë goditur "pushtetin" me strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, duke dhënë përgjigje të qarta ndaj terrorizmit dhe spiunazhit serb”, foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa për “Bota sot”.
Dashevci: Mund të themi se rrugët për kriminelët po ngushtohen
Ndërsa eksperti tjetër i sigurisë, Arben Dashevci në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që arrestimi i një nga personat që kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it është një lajm i mirë.

Sipas tij, dje u dëshmua vendosmëria e institucioneve tona të sigurisë.
“Dje është arrestuar një nga personat që sulmoi dhunshëm pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, gjatë atyre ditëve të paharrueshme, kur më 29 maj 2023 filluan trazirat dhe kulmuan më 31 maj 2023. Disa nga pjesëtarët e KFOR-it mbetën me pasoja të përjetshme, përfshirë amputimin e gjymtyrëve.
Gjatë atyre ditëve u sulmua Policia e Kosovës, u sulmuan mediat, dhe u dogjën automjete të Policisë dhe të mediave – nga të njëjtët persona që më vonë, në shtator të vitit 2023, organizuan edhe sulmin në Bajnskë.
Ajo ditë nuk harrohet, dhe dje u dëshmua vendosmëria e institucioneve tona të sigurisë se përgjegjësit, herët apo vonë, do të përballen me drejtësinë”, foli ai.
Në fund, eksperti i sigurisë thotë që arrestimi i terroristit është dëshmi për të gjithë ata që cenojnë rendin dhe ligjin e Kosovës.
“Ky është një mesazh i qartë për të gjithë ata që kanë cenuar rendin kushtetues – nuk ka rëndësi ku ndodhen, ata do të kapen dhe do të përgjigjen për veprat e tyre.
Ky zhvillim tregon vendosmërinë, gatishmërinë dhe punën e palodhshme të Policisë dhe të organeve të sigurisë që të gjithë ata që kanë cenuar rendin dhe ligjin do të sillen para drejtësisë.
Mund të themi se rrugët për kriminelët po ngushtohen. Kudo që të hasen brenda territorit të Republikës së Kosovës, ata do të arrestohen dhe do të japin llogari për veprat që kanë kryer”, përfundoi eksperti i sigurisë, Arben Dashevci për “Bota sot”.