Fatkeqësisht, konstituimi i Kuvendit dështoi dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, sot do tentohet për herë të tretë që të konstituohet Kuvendi, por që ende nuk dihet se a do ndodhë një gjë e tillë.
Për këtë çështje ka pasur edhe reagime të shteteve aleate, siç janë Gjermani dhe Britania, të cilat u bënë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, pasi ato dështuan për herë të dytë radhazi ta konstituojnë Kuvendin e ri të enjten.
“Njerëzit kanë të drejtë të presim nga liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes të vendit”, tha ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, në një reagim në Facebook të enjten.
Ai tha se Kosova ka nevojë “urgjente” për formimin e institucioneve të reja, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhje.
Kurse, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se konstituimi i Kuvendi i Kosovës ka ngecur, “për shkak të taktikave penguese”.
“Qytetarët meritojnë politikanë që e qesin Kosovës para politikave partiake. Prandaj, e përsëris: Bashkëpunimi i mirëfilltë është urgjentisht i nevojshëm për të garantuar institucione funksionale dhe formim të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, shkroi Rohde në rrjetin social Bluesky.
Nuk është e qartë ende nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së sotme.
Mirëpo, a do ndikojnë këto thirrje të ndërkombëtarët tek partitë politike, që të formojnë qeverinë dhe t’i lënë anash inatet politike?
Mehazi: Zëri i dy ambasadave britanike dhe gjermane duhet të ndikojë te udheheqësit e partive opozitare të Kosovës
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Sulejman Mehazi.

Së pari, ai kritkoi opozitë dhe fajësoi këta të fundit për sitautën e krijuar, sa që nxitën edhe reagimet e ndërkombëtarëve.
“Veprime e deputetëve të partive opozitës jo se janë të dëmshme për konstituimin e Kuvendi të Kosovës për formimin e institucioneve, por janë edhe kundër vetëvetes që s'duan të verifikojnë mandatet e tyre për deputetë.
Janë bërë siri i botës para ndërkombëtarëve saqë duke parë budallallëqet e partive në Kuvendin e Kosovës kanë detyruar të reagojnë edhe dy ambasadorët e shteteve të fuqishme, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, duke apeluar e porositur që sa më shpejtë të konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës, se qytetarët e Kosovës presin që liderët politikë të punojnë në të mirë të vendit e jo në të mirë të partive të tyre”.
Krahas kësaj, Mehazi shpreson që të merren aprasysh thirrjet e Gjermanisë dhe Britanisë, derisa shpreson që në seancën e sotme të lihen inatet dhe te konstituohet Kuvendi.
“Zëri i dy ambasadave britanike dhe gjermane duhet të ndikojë te udheheqësit e partive opozitare të Kosovës, përndryshe del se Britania dhe Gjermania ia duan më shumë të mirën Kosovës sesa vetë deputetët e zgjedhur të Kosovës të cilët konstituimin e Kuvendit e kanë kolapsuar në një pus të thellë saqë dhe për Gjykatën Kushtetuese është bërë problem i madh e i pazgjidhur.
Nëse dy seanca dështuan seancën e radhës si e qysh deputetët e Kuvendit duhet t'i lënë inatet politike për t'ia hapur rrugën konstituimit të Kuvendit të Kosovës, për t'ia mundësuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, lejimin e qeverisë së re nga Albin Kurti”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, profesori u shpreh se nëse nuk ka zhvillime pozitive, atëherë Kosova mbetet pa institucione shtetërore.
“Përndryshe Kosova do mbetet e zhveshur dhe pa institucione shtetërore.
Nuk jam jurist, por nëse edhe gjatë seancës së tretë parlamentare nuk bëhet verifikimi i deputetëve, atëherë Gykata Kushtetuese e Kosovës duhet të zëvendësojë kuvendin me deputetë tjerë sipas listave zgjedhore partiake”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.
Duhanaj: Uroj që ndërkombëtarët të bëjnë përpjekje për t'i këndellur politikanët e papërgjegjshëm që kem
Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj mendon ndryshe.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se shtetet e QUINT, padyshim që mbështetin proceset demokratike, ku edhe këtë herë nuk po mungon fokusi i tyre, në situatën e pazakontë që është krijuar.

“Përpjekjet e diplomatëve perëndimorë, përkatësisht shteteve të QUINT, kanë qenë çdoherë të fokusuara në mbarëvajtjen e proceseve demokratike në vend.
Edhe kësaj radhe, besoj që nuk do të mungojnë, edhe pse duket të kemi një situatë të pazakontë.
Them të pazakontë, sepse për herë të parë kemi një qeveri në ikje, e cila as nuk lëshon rrugë, e as nuk merr pushtet.
Sepse për të lëshuar rrugë, ka për të humbur shumë më shumë se pushtetin. Kjo pasi që, për z. Kurti, është e vetmja mënyrë që akoma të qëndroj në këmbë si politikan”.
Përveç kësaj, Duhanaj kishte kritika Kurtit, derisa analizoi politikën e tij për formim të qeverisë me Limajn e komunitetet joserbe.
“Ai pasi që e përjetoj zenitin e tij në politikë, duke u treguar i paaftë të ndërtojnë një trase, mbi të cilën do ta zgjaste karrieren e tij, tani përballet me presionin e humbjes së pushtetit absolut që kishte.
Ai pushtet nuk i përsëritet më, prandaj po bën përpjekje t'i zvarrisë proceset, ku në mungesë numrash, saboton punët e kuvendit, duke akuzuar partitë tjera që spo e votojnë.
Në fakt, LVV nuk po kërkon aleat politik në qeverisje, por oborrtarë siç i ka pasur këta të Listës Guxo, apo edhe znj. Kusari.
Ketë synon ta bëjë duke shfrytëzuar minoritetet dhe z. Limaj i cili edhe ashtu nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk do arrijë me të futet në Kuvend, pasi që bashkëpunimin me AAK-në, tashmë e ka humbur”, nënvizoi ai.
Në fund, shtoi se edhe nëse sot bëhet betimi i deputetëve, bllokadat mund të vazhdojnë ende, derisa shprepn që ndërkomëtarët të “këndellin” politikanët e papërgjegjshëm.
Në ketë kontekst, mendoj që edhe nëse sot deputetet bëjnë betimin, saga e problemeve dhe bllokadave mund të vazhdojë.
Tani kemi fatkeqësi të dyfishtë:
Një qeveri të papërgjegjshme në detyrë dhe një rrezik të madh që e njëjta të marrë pushtetin prapë.
Gjë që do të ishte sfidë tejet e madhe për Kosovës, bazuar në konstalacionët ndërkombëtare. Uroj që ndërkombëtarët të bëjnë përpjekje për t'i këndellur politikanët e papërgjegjshëm që kemi”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.