Deputetja e zgjedhur Albulena Haxhiu ka dështuar për t’u zgjedhur përsëri kryeparlamentare.
Në seancën e mbajtur të mërkurën, Haxhiu ka dështuar për herë të katërt të zgjidhet kryetare e Kuvendit.
Sikur në rastet e kaluara ajo ka arritur të marrë vetëm 57 vota, ndërsa 46 deputetë votuan kundër dhe tre abstenuan.
Gjersa seanca tjetër pritet të mbahet të premten, opozita ka kritikuar partinë fituese për bllokim të vazhdueshëm të kuvendit.
Në anën tjetër, edhe pse thonë se numrat i kanë për formimin e qeverisë, nga pozita akuzojnë opozitën për mos votimin e kandidates së tyre për kryeparlamentare.
Në media ishte raportuar për një koalicion të mundshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, por për një takim Kurti- Limaj, nuk dihet.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi së bashku me NISMA-n e Fatmir Limajt, ka thënë të martën se Kurti e Limaj, janë në komunikim të vazhdueshëm.
“Ai(Limaj) është në komunikim të vazhdueshëm me Kurtin, kanë ndodhur disa takime. Takimin më zyrtar e kanë pasur më 4 prill, të kafiteria BOHO në katin e dytë, kanë qëndru goxha gjatë të dy. Ne kemi qëndrim të qartë, nuk do të luajmë me dy karta. Ne jemi përcaktu për qeverinë e opozitës, do t’i mbesim besnik kësaj rruge”, ka thënë ai.
Tutje, i pari i AAK-së, për dallim nga komenti më lartë, ka dhënë opinione më të forta edhe për Kurtin edhe për Limajn, duke e quajtur njërin mashtrues, e tjetrit duke ia ‘‘mbyllur derën’’.
“Me mu ka përfundu bashkëpunimi, edhe me pas jetën e varuar me Limaj, tri votat e tij nuk i dua. Asnjëherë s’kemi diskutu që njëri nga ne me shku me mashtruesin”, ka deklaruar ai.
Ai madje e ka bërë Limajn ‘‘dorë të zgjatur’’ të Serbisë.
“Nëse Fatmir Limaj bëhet shkaktar me vazhdu Albin Kurti atëherë është dorë e zgjatur e Serbisë, e kemi zbulu edhe një – e kemi pasur në e kemi pasur në ekip e s’e kemi dit. E paskemi pas të infiltru në radhët tona”, ka thënë Haradinaj.
Gjersa, Limaj ka akuza nga partneri Haradinaj, ai vazhdon të kërkojë me ngulm formimin e institucioneve të reja.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, të mërkurën pas dështimit të zgjedhjes së kryeparlamentarit, vazhdimin e seancës konstituive e cilësoi “lojë nervash”.
Ai ka thënë se shpreson “që gjërat do të ndryshojnë në ditët në vijim” dhe tha se konstituimi i institucioneve ka vështirësi.
“Vërtet është si me thënë një lojë nervash, megjithatë konstituimi i i institucioneve e ka rrugën e vet e vështirësitë e veta. Unë besoj që në ditët në vijim të gjithë do të angazhohemi dhe do të kontribuojmë për të dalë nga kjo situatë dhe që Kosova t’i ketë institucionet e veta”.
Ai ka shtuar se Kosova nuk ka luks të mos ketë institucione dhe tha se ato duhet të bëhen përmes “rrugëve të njohura”.
“Kosova s’e ka luksin të mbesë pa institucione, shpresoj që do të gjinden. Por, institucionet bëhen përmes rrugëve të njohura ashtu siç bën bota e qytetëruar dhe shpresoj që do të ndodhë”.
Limaj nuk ka dhënë përgjigje nëse ishte takuar me kreun e Lëvzijes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndërsa “Bota so”, ka pyetur analistin Ali Hertica rreth arsyeve të mundshme të dështimit të koalicionit të mundshëm LVV- Nisma.
Hertica shprehet se partitë kanë ideologji të ndryshme, por sipas tij, mund të jetë edhe bashkëpunimi i Nismas me PDK-në.
“ Lëvizja Vetëvendosje ka një ideologji më të majtë dhe nacionaliste, ndërsa Nisma është më e moderuar dhe shpeshherë ka bashkëpunuar edhe me PDK-në, gjë që bie ndesh me qëndrimet e Vetëvendosjes. Albin Kurti ka qenë kritik i fortë i strukturave të vjetra politike, në të cilat Limaj ka pasur rol të rëndësishëm (si ish-anëtar i PDK-së dhe pjesë e qeverive të mëhershme)”, shprehet Hertica.

Ai thotë se ndikimi i parlamentit është në rënie.
“A nuk është e vërtetë sene kemi filluar me të vërtetë ta përcaktojmë një vend federal që kur parlamentet rajonale u zgjodhën drejtpërdrejt politik në kërkimin krahasues parlamentar, është për një 'paradoks parlamentar,ndikimi i parlamentit është në rënie, megjithatë institucionioni mbetiom im pa konsiloduar gjithë botën për më tepër, çdo vend që bëhet i pavarur ose demokratizohet menjëherë krijon një parlament të zgjedhur drejtpërdrejt”, shton analisti.
Ai shton urgjencën për një kompromis të mirëfilltë politikë.
“Të gjithë pajtohemi se konstituimi i Kuvendit përfaqëson pluralizmin demokratik – është shtëpia e deputetëve. Megjithatë, partia që ka fituar më së shumti vota, nuk po arrin të përmbushë këtë proces, dhe një ndër arsyet kryesore duket të jetë faktori njerëzor – konkretisht qasja përçarëse dhe gjuha përçmuese ndaj partive të tjera, që ka lënë pak hapësirë për ndërtimin e aleancave apo miqësive politike. Madje, në një moment të fundit, kandidatja për kryesuese të Kuvendit, znj. Haxhiu, është raportuar se ka pasur sjellje të papërshtatshme në ambientet e Kuvendit, duke përdorur gjuhë fyese dhe duke ngritur zërin ndaj kundërshtarëve politikë. E gjithë kjo tregon se ekzistojnë inate dhe ndarje të thella politike mes subjekteve.
Kosova, në këtë situatë, ka nevojë urgjente për një kompromis të mirëfilltë politik – një marrëveshje që përfshin një paketë të gjerë ku përfshihet emërimi i kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve, me përfaqësim të drejtë të partive shqiptare, të komuniteteve joserbe dhe serbe. Pas dështimit të fundit për konstituimin e Kuvendit, është e qartë se lideri shpirtëror i VV-së, z. Albin Kurti, dhe partia e tij nuk janë të gatshëm për një marrëveshje me opozitën për një kandidat tjetër. Nga ana tjetër, opozita ka shprehur gatishmërinë të votojë një kandidat apo kandidate që nuk përfaqëson përçarje dhe gjuhë fyese, siç është konsideruar rasti i znj. Haxhiu”, deklaron Hertica.
Tutje, ai deklaratën e Limajt e sheh si të gatshëm për bashkëpunim.
“Sipas deklaratave të Fatmir Limajt, ekziston një hapësirë për dialog dhe takime – kushdo që e thërret është i gatshëm për bisedime, dhe ai shprehet se ndoshta gjërat do të ndryshojnë në ditët në vijim, domethënë ka shpresë për bashkëpuni. Kjo duket të jetë një lojë nervash, por është jetike që të gjitha partitë të angazhohen për të dalë nga kjo situatë, sepse një shtet pa institucione nuk është aspak i mirë për qytetarët apo për faktorin ndërkombëtar. Shpresohet që gjatë 48 orëve në vijim, partitë politike të arrijnë një kompromis dhe të propozojnë një pako të re emrash që do të mundësojë konstituimin e Kuvendit. Nëse kandidatura aktuale ka dështuar tri herë, është koha për të shqyrtuar një alternativë. Kujtojmë se vetëm Presidentja e Republikës, Avokati i Popullit dhe Kuvendi i Kosovës kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështje të tilla. Kjo situatë është për të ardhur keq – jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për qytetarët e saj, të cilët nuk e meritojnë të mbeten peng i tekave politike dhe mungesës së vullnetit për bashkëpunim. Kanë kaluar tashmë 73 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve, dhe ende nuk kemi institucione funksionale”, përfundon Hertica.