Gjatë ditës së sotme (e enjte 24 prill) është përkujtuar, Ismet Rraci, ish-kryetar i Komunës së Klinës, themelues i LDK-së dhe kryetar i degës së LDK-së në Klinë në 24 vjetorin e vrasjes. .
Ismet Rraci u vra më 24 prill të vitit 2001 pranë banesës së tij nga persona që akoma mbesin të panjohur.
Ai do të vritej me “metodën” e njëjtë sikurse u vranë disa veprimtarë të tjerë të LDK-së si, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Smail Hajdaraj etj.
U vranë me armë zjarri afër banesave të tyre dhe kjo nuk ka se si të mos çojë në dyshimet se të gjitha këto raste u kryen nga dora e njëjtë apo nga grupi i njëjt i mirëorganizur.
Me gjithë vitet që kanë kaluar, vrasjet si ajo e Ismet Rracit dhe veprimtarëve të tjerë të LDK-së nuk u zbuluan asnjëherë.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri ka shprehur shqetësimin për mungesën e drejtësisë në rastet e vrasjeve politike në Kosovë
Ai vlerëson se këto raste mbeten të pazbardhura për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe ndikimit të fuqishëm politik në sistemin e drejtësisë.

Sipas tij ky ndikim ka qenë i pranishëm që nga periudha e administrimit ndërkombëtar (UNMIK), dhe vazhdon edhe në ditët e sotme, në epokën e pas-pavarësisë..
“Është për keqardhje që edhe pas 24 viteve nuk ka drejtësi për vrasjet politike në Kosovë, gjatë dhe pas periudhës së luftës, pra edhe për rastin e vrasjes së ish-kryetarit të komunës së Klinës Ismet Rracit, bashkëpunëtorit të presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Dhe çështje është shmangur për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe një sistemi të drejtësisë të ndikuar politikisht nga faktor të ndryshëm qofshin ata ndërkombëtar në kohën e periudhës së administrimit ndërkombëtar (UNMIK), dhe nga periudha e pavarësimit të vendit deri në ditët kur po flasim”, ka thënë Haziri.
Nga ana tjetër, publicisti ka shprehur skepticizëm lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë, duke thënë se nuk ka informacione nëse këto raste janë trajtuar ndonjëherë nga kjo gjykatë.
“Pra as sot nuk shohim një interesim për një sistem të pavarur të drejtësisë, që do të jepte shpresë se vrasjet politike në Kosovë për tu zbardhur dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar. Thjesht ky sistem është shndërruar në një arenë apo instrument ku partitë politike tentojnë ta luftojnë njëra tjetrën, por jo për të sjellë drejtësi për qytetarët dhe Kosovën. Por nuk ka shumë shpresë as nga gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, pasi nuk ka ndonjë informatë nëse këto raste janë trajtuar nga kjo gjykatë. Andaj një krim i pandëshkuar ka shumë gjasë të përsëritet”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.
Ndryshe, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot ish-kryetarin e komunës së Klinës dhe veprimtarin e orëve të para të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Rraci, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.
“Por më 24 prill 2001, në një akt tinëzar që na tronditi të gjithëve, ai u vra pabesisht, në rrugën drejt shtëpisë së tij. Ata deshën të ia ndalnin hapin, por nuk mundën kurrë ta zhdukin idealin e tij. Sepse Ismet Rraci, në rrugëtimin tonë jeton në trashëgiminë që na la pas. Vrasja e tij është një plagë e hapur për familjen, për LDK-në dhe për gjithë Kosovën”, tha Abdixhiku mes tjerash.