Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila nisi më 15 prill, është ndërprerë pesë herë. Edhe pse u propozua dhe u hodh në votim në Kuvend tre herë, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i mori 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare e Kosovës. Në të tri rastet, pro Haxhiut votuan vetëm 57 deputetë.
Derisa Vetëvendosje këmbëngul për Albulena Haxhiun, partitë opozitare po kërkojnë që VV të propozojë dikë tjetër në vend të saj.
Por pavarësisht se po has në kundërshtimin e opozitës, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti thotë se është kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ai që nuk është i interesuar për ta zgjidhur kryetarin e Kuvendit.

“Sigurisht se po, Kurti nuk është interesuar me zgjedh kryetarin e kuvendit. Pasi arriti të përçajë AAK-në dhe Nismën, synon zgjedhje të reja në mënyrë që edhe AAK dhe Nisma mos të kalojnë e pragun zgjedhor e të mbesin jashtë kuvendit”, shprehet Mehmeti, sipas të cilit, në rast të zgjedhjeve të reja, Kurti synon që i vetëm t’i fitojë 61 deputetë.
“Kështu synon të përfitojë votat e tyre me idenë që i vetëm te arrijë 61 vota. Kurti po luan me nervat e opozitës në mënyrë që bashkarisht të bien dakord që të shkohet në zgjedhje”, thekson Mehmeti.
“Ka edhe një mënyrë tjetër që Limaj pa kushte të bëhet pjesë e qeverisë së re në koalicion me Vetëvendosjen, por është Kurti ai që po manovron me të gjitha kartat që të shkojë në zgjedhje. Kështu, synon që ta godas edhe LDK-në për “manipulimin e votave të diasporës” siç shprehen nga VV”, deklaron më tej Mehmeti.
Për fund, ai thotë kjo është loja e Kurtit në të cilën po bie opozita.
“Po të ishte e zgjuar opozita e voton kandidaten e VV-së për kryetare kuvendi, derisa nuk e bën i shkon ne favor të lojës së Kurtit”, përfundon analisti Faton Mehmeti.