Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe në vazhdimin e 13-të të seancës.
Sikurse edhe vazhdimet paraprake, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë dhënë propozime për anëtarë të Komisionit zgjedhor për votim të fshehtë – duke e cilësuar ndryshimin e procesit të votimit për Kryetar të Kuvendit në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Mirëpo, kësaj radhe mori vëmendje një kërkesë nga kryetari, i partisë së AAK, Ramush Haradinaj.
Haradinaj, tha se ata kanë përgatitur një kërkesë për një vlerësim ku do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimeve të fundit të marra në Kuvendin e Kosovës në lidhje me seancat kushtetuese.
“Nuk e di se në çfarë forme mund t’i ftojë presidenti. Mund t’i ftoj një nga një, mund t’i ftoj të gjithë së bashku. Ne gjithashtu e kemi mirëpritur idenë e Presidentit Abdixhiku për konsultime për formimin e një qeverie. Një propozim ishte një qeveri uniteti. Do të kontaktojmë Gjykatën Kushtetuese me një kërkesë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimeve të marra në kuvend”, tha Haradinaj.
Haradinaj u pyet për neutralitetin gjatë votimit në disa seanca kushtetuese. Ai tha se ishte gjithmonë në kohë, por kur e kuptoi se procesi do të vazhdonte në të njëjtën mënyrë, ndjeu se "duhet të braktisej".
Kujtojmë që seanca kushtetuese e Kuvendit të Kosovës filloi më 15 prill dhe procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të parlamentit pasi LVV, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiu.
Mirëpo a është kërkesa e AAK-së për vlerësimin e vendimeve të Kuvendit nga Gjykata Kushtetuese një përpjekje për të mbrojtur rendin kushtetues, apo është një veprim i motivuar politikisht për të ndryshuar pushtetin?
Burjani: Nga ngërçi në zgjidhje – kjo duhet të jetë rruga, por çështja e afatit 48-orësh nuk mund të interpretohet si normale
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.
Ai shprehet skeptik që Gjykata Kushtetuese do të merret me këtë çështje pasi e njëjta nuk interpreton ngërçet politike.
Juristi nuk e sheh normale seancat që po mbahen çdo 48 orë.

“Gjykata Kushtetuese nuk interpreton ngërçet politike dhe vullnetet politike, por vetëm normën kushtetuese. Prandaj, nuk ka ndonjë gatishmëri nga ana e saj për t’u marrë me këtë çështje. Këtu problemi nuk është as ligji e as Kushtetuta, por mungesa e vullnetit politik dhe gatishmërisë njerëzore për t’u marrë me këtë çështje.
Nga ngërçi në zgjidhje – kjo duhet të jetë rruga, por çështja e afatit 48-orësh nuk mund të interpretohet si normale, pra gjithmonë në fuqi, përderisa mungon kontinuiteti proceduror dhe seancat dalin të pakuptimta për shkak të mungesës së vullnetit për konstituim”, u shpreh ai.
Më tej, juristi thekson që Presidentja duhet të veproj pasi ky ngërç ka kaluar çdo kufi.
“Në këtë situatë, duhet të vihet në pah roli i Presidentes për të ndërmjetësuar dhe për të qartësuar: çfarë duan partitë – zgjedhje apo zgjidhje të ngërçit? Mjafton të jenë të qarta se çfarë duan.
Ky ngërç ka kaluar çdo kufi – po dalin qesharakë dhe të paaftë, në një luftë të pastër për pushtet”, foli juristi Burjani për “Bota sot”.
Haziri: Ky proces ka hyrë në një ngërç dhe dalja apo zgjidhja e këtij ngërçi duhet të bëhet përmes procesit politik

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që përderisa nuk është konstituar Kuvendi ende, rezultate pozitive nga Kushtetuesja janë të vogla.
“Nuk e di për çfarë vendimi të Kuvendit bëhet fjalë, pasi Kuvendi ende nuk është konstituar, përveç nëse bëhet fjalë për ndryshimin e mënyrës së votimit në gjysmën e procesit, nga ia i hapur në të mbyllur. Kjo mënyrë u imponua nga VV-ja, duke shfrytëzuar mundësinë që udhëheqësi i seancës është nga ky subjekt politik për shkak të kriterit të moshës”, thotë ai.
Analisti në fund nënvizon që ky veprim është politik nga AAK në vazhdën e taktizimeve politike.
Ai thotë që zgjidhja nga ky ngërç është dialogu dhe marrëveshja politike mes partive.
“Por, nëse kjo bëhet materie për trajtim nga Gjykata Kushtetuese, kjo mbetet të shihet. Natyrisht, ky është një veprim politik i AAK-së në vazhdën e taktizimeve politike që po ndodhin nga secili subjekt politik parlamentar tash e dy muaj në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ky proces ka hyrë në një ngërç dhe dalja apo zgjidhja e këtij ngërçi duhet të bëhet përmes procesit politik, nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes politike ndërmjet partive politike”, përfundoi analisti Haziri për “Bota sot”.