Pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan të martën kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova në Prishtinë, duke hedhur tym të zi para një hoteli ku ishte paralajmëruar të mbahej një konferencë për media nga Trendafilova, e cila më pas u anulua për shkak të protestës.
“Trendafilova nuk është e mirë për qytetarët dhe për shtetin e Kosovës. Ne kemi problem me prokurorinë, jo me gjykatën, e cila punon me dosje të Serbisë dhe të shqiptarëve që kanë bashkëpunuar me Serbinë. Trendafilova e anuloi takimin në bazë të informacioneve; ndoshta edhe mund të jetë brenda. Shpresoj dhe besoj që qëllimi ynë është arritur – ky është informacioni”, tha udhëheqësi i OVL-së, Hysni Gucati.
Por, i gjithë ky veprim shihet si i panevojshëm nga analisti politik Faton Mehmeti.
“Spektakël i panevojshëm ishte reagimi dhe skenat e zhvilluara nga Organizata e Veteranëve. Trendafilova nuk ngrit aktakuza dhe as nuk shqipton dënime në Hagë. Roli i saj është mbikëqyrës i proceseve nga aspekti juridik, në përputhje me pozitën që ka si kryetare”, u shpreh Mehmeti.
“Megjithatë, veteranët e konsiderojnë si fitore faktin që Trendafilova nuk mbajti konferencën për shtyp, gjë që sipas mendimit tim nuk është veprim i duhur. Pikërisht konferencat janë hapësira ku mund të parashtrohen pyetje për çdo shqetësim, jo të mohohet fjala e lirë në emër të së cilës ata po thirren”, shton ai.
Më tej, Mehmeti thekson se politika vazhdon ta kontrollojë ende OVL-në e UÇK-së.
“Edhe nëse thonë se po mbrojnë Thaçin dhe të tjerët, kështu nuk mbrohen. Në gjykatë dikush mbrohet me fakte dhe përmes procesit gjyqësor, jo me skena të turpshme si ato që pamë sot. Fatkeqësisht, veteranët kurrë nuk kanë vepruar kur është dashur, dhe kanë vepruar kur nuk ka qenë e nevojshme, duke përdorur mjete të gabuara që tregojnë ndikimin e politikës mbi ta”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”.
Në fund, Mehmeti thekson se Ekaterina Trendafilova nuk humbi asgjë nga protesta në Prishtinë – përkundrazi, ajo vazhdon punën e saj.
“Derisa të jetë kështu, nuk besoj se do të jenë përfaqësues të vërtetë të veteranëve, por të një grupi të caktuar njerëzish. Shoqata e Veteranëve duhet t’u kthehet veteranëve, jo të jetë në shërbim të politikës. Trendafilova nuk humbi sot asgjë nga skenat që ndodhën në Prishtinë. Ajo vazhdon punën e saj në bazë të mandatit me të cilin është emëruar – nga vetë z. Thaçi, që dikur thoshte: ‘Kush nuk e voton Gjykatën Speciale është kundër Kosovës’”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.