Kosova në INTERPOL – Njohësit: Serbia shantazhon me tre teori propaganduese

Politika

Kosova në INTERPOL – Njohësit: Serbia shantazhon me tre teori propaganduese

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 maj 2025 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

Tash e sa kohë Serbia vazhdon me lobimin kundër Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare për të ndalur fushatat obstruktive dhe për të kontribuar në stabilitetin e rajonit, Serbia – nën drejtimin e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç – vazhdon një lobim të ashpër dhe të organizuar kundër shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në qendër të këtij lobimi qëndron përpjekja e pandërprerë për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata kyçe ndërkombëtare, si INTERPOL, UNESCO apo Këshilli i Evropës.

Kjo qasje obstruktive nuk është vetëm politike, por ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe dëmton përpjekjet për paqe të qëndrueshme dhe integrim ndërkombëtar.

Në vend që të respektojë frymën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe angazhimet që burojnë nga proceset ndërkombëtare, Serbia vazhdon ta përdorë diplomacinë si mjet për të penguar afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. Ky lobim sistematik minon jo vetëm integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, por edhe vetë standardet ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.

Në këtë kontekst, përpjekjet për të bllokuar Kosovën në INTERPOL janë veçanërisht të dëmshme, pasi përfshijnë edhe çështje të ndjeshme të sigurisë.

Racaj: Mos-anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka pasoja të drejtpërdrejta në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar

Gjeneral major Muhamet Racaj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se lobimi i Serbisë kundër Kosovës, po dëmton integritetin ndërkombëtar të Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare për të ndalur fushatat obstruktive dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal, Serbia – nën drejtimin e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç – vazhdon një lobim të ashpër dhe të koordinuar kundër shtetësisë së Kosovës. Në qendër të këtij lobimi është përpjekja sistematike për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të rëndësishme, siç është INTERPOL-i. Kjo qasje jo vetëm që dëmton integritetin ndërkombëtar të Kosovës, por gjithashtu minon përpjekjet për stabilitet dhe bashkëpunim në rajon.

Bashkësia ndërkombëtare shpesh ka vepruar me kujdes ndaj Serbisë për shkak të balancave gjeopolitike në Ballkan dhe interesave afatshkurtra të disa shteteve anëtare të BE-së apo aktorëve të tjerë. Megjithatë, kjo qasje e zbutur ka inkurajuar Serbinë që të vazhdojë fushatat obstruktive pa pasoja. Serbia ka përdorur diplomacinë e saj agresive për të penguar njohjet ndërkombëtare të Kosovës, duke ndikuar në vendime të organizatave ndërkombëtare dhe duke vepruar në kundërshtim me frymën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Mungesa e një qasjeje të vendosur nga faktori ndërkombëtar e ka rritur arrogancën politike të Serbisë në raport me Kosovën dhe rajonin”, thotë ai.

Racaj vlerëson se për shkak të balancave gjeopolitike dhe interesave afatshkurtra, bashkësia ndërkombëtare ka treguar një qëndrim të zbutur ndaj Serbisë, gjë që e ka inkurajuar këtë të fundit të vazhdojë pa pasoja fushatat obstruktive kundër Kosovës.

Image
Gjeneral major Muhamet Racaj

Sipas tij, Serbia po përdor diplomaci agresive për të penguar njohjet ndërkombëtare të Kosovës dhe po vepron në kundërshtim me frymën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërsa mungesa e reagimit të fortë ndërkombëtar vetëm sa e ka shtuar arrogancën e saj politike.

“Mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka pasoja të drejtpërdrejta në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Autoritetet e Kosovës nuk kanë akses të plotë në bazat e të dhënave dhe sistemet e shkëmbimit të informacionit të kësaj organizate, çka e pengon bashkëpunimin efektiv me vendet tjera për ndjekjen penale te krimineleve te Serbisë qe kanë bërë krime dhe masakra ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftës 1998-1999 dhe në vazhdimësi kundër institucioneve në veri të Mitrovicës , kriminelët që veprojnë në rajon mund të përfitojnë nga mungesa e qasjes së Kosovës në rrjetin ndërkombëtar policor, duke e bërë më të vështirë identifikimin, arrestimin dhe ekstradimin e tyre. Në këtë mënyrë Serbia, për interesa politike, po cenon sigurinë kolektive duke përdorur instrumente ndërkombëtare për të përjashtuar një shtet fqinj nga bashkëpunimi global kundër krimit”, shprehet ai.

Se a ka pasoja kjo çështje për Kosovën, ai thotë se ka pasoja serioze për sigurinë rajonale, pasi pengon shkëmbimin efektiv të informacionit mbi kërcënimet e përbashkëta.

Si hallkë e rëndësishme në sigurinë e Ballkanit, përjashtimi i Kosovës krijon hapësirë për veprim të rrjeteve kriminale ndërkufitare. Serbia, duke e bllokuar anëtarësimin e Kosovës, po politizon një çështje sigurie dhe po rrezikon stabilitetin rajonal.

“Po, mungesa e Kosovës në INTERPOL ka pasoja serioze për sigurinë rajonale. Kosova është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e sigurisë në Ballkan, dhe përjashtimi i saj nga mekanizmat ndërkombëtarë i krijon boshllëqe në shkëmbimin e informacionit për kërcënimet e përbashkëta. Kjo situatë krijon një terren të favorshëm për rrjete kriminale ndërkufitare dhe për rritjen e aktiviteteve të paligjshme si trafikimi i drogës, armëve apo qenieve njerëzore. Serbia, përmes bllokimit të Kosovës, po e shndërron një çështje të sigurisë në një betejë politike, duke rrezikuar stabilitetin e të gjithë rajonit dhe duke sfiduar standardet e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e rendit dhe sigurisë”, - deklaron Gjeneral major Muhamet Racaj.

Bilalli: Sigurisht që mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, lë pasoja mbi aspektet e sigurisë dhe krimit të organizuar

Image
Lutfi Bilalli

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilalli, ka thënë se në vitin 2018, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e INTERPOL-it, pasi mori vetëm 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime. Kjo u prit me zhgënjim nga zyrtarët kosovarë dhe diplomatët perëndimorë. Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, ku çdo shtet ka një votë, vendos me shumicë të thjeshtë për pranime të reja dhe me dy të tretat për ndryshime statutore.

“Në vitin 2018 Kosova për fatin tonë të keq nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t'u bërë anëtare e Interpolit, organizatës ndërkombëtare të policisë. Në atë kohë 68 shtete votuan PRO, 51 KUNDËR si dhe 16 Abstenuan. Diplomatët perëndimorë dhe zyrtarë nga Kosove u shprehën të zhgënjyer nga votimi. Sa për informacion do iu informoi se Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë i Interpolit. Çdo shtet anëtar ka një votë; për miratim mjafton një shumicë e thjeshtë, ndërsa për ndryshimet në statut kërkohet një shumicë prej dy të tretash. Asambleja e Përgjithshme mblidhet të paktën një herë në vit; thirrja e jashtëzakonshme është e mundur”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se Serbia, me politikën e saj destruktive, ka lobuar fuqishëm për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, duke lënë pasoja në sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Sipas tij, Serbia përdor tri teori propaganduese: lobimin agresiv diplomatik, propagandën që e paraqet Kosovën si qendër të krimit të organizuar, dhe qasjen nacionaliste që synon destabilizimin e Kosovës për ta paraqitur si vend të pasigurt.

Ai shton se është e pakuptimtë pse Kosova prej shtatë vitesh nuk ka riprovuar aplikimin në INTERPOL dhe thekson se institucionet duhet të japin përgjigje për këtë neglizhencë.

“Serbia me politikën e saj destruktive ka lobuar me të madhe për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizata të rëndësishme ndërkombëtare të policisë. Sigurisht që mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, lë pasoja mbi aspektet e sigurisë dhe krimit të organizuar jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë. Pse Serbia në fushatën e saj lobuese kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, por jo vetëm në këtë organizata por edhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare ku Kosova aplikon, Serbia shantazhon me tre teori propaganduese:

1.Lobingu destruktiv në politikën e jashtme të Serbisë kundër Kosovës  ; përdor të gjitha mjetet kundër anëtarësimit dhe përfaqësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare pra për ta dëmtuar Kosovën si subjekt në marrëdhëniet ndërkombëtare.

2.Propaganda qëllimkeqe ; të pengojë Kosovën dhe njëkohësisht ta paraqes atë si oazë e "krimit të organizuar“ duke tentuar që Kosova të mos ketë akses në marrje dhe dhënie të informacioneve në këtë organizata prestigjioze siç është INTERPOL

3.Naçertania e shtetit serb: Establishmente nacionalist i pushtetit në Serbi është i predisponuar që në Kosovë të ketë pasiguri, kaos dhe destabilitet (luftë speciale) që më pas shtetin tonë Kosovën ta paraqes si vend i pasigurt dhe "destabilizues".

Por pse që shtatë vite Kosova nuk aplikon në sesionet vjetore të radhës për t‘u bërë pjesë e INTERPOLIT është një pikëpyetje që institucionet tona të shtetit duhet dhënë përgjigjeje !! Për mendimin tim dilema është:

Nuk po mundemi apo kemi "harruar"!”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat