Më 11 maj, shtetasit e Shqipërisë iu drejtuan kutive të votimeve me rastin e zgjedhjeve parlamentare.
Numërimi i votave e konfirmoi fitoren e thellë të Partisë Socialiste, e cila siguroi 83 deputetë. Kështu, PS-ja mund ta formojë e vetme Qeverinë e re, pas pasur nevojë për koalicione.
Kësisoj, për të katërtën herë, Edi Rama, pritet të jetë kryeministër i Shqipërisë
Këto zgjedhje cilësoheshin si vendimtare për të matur zhvillimin demokratik të vendit dhe për ta përcaktuar synimin e madh për një të ardhme evropiane.
Megjithatë, procesi zgjedhor në Shqipëri, u përcoll me incidente të shumta, konflikte fizike, madje kishte edhe të shtëna me armë zjarri.
Këto zhvillime i dhanë një ‘hije të keqe’ procesit, duke e dëmtuar demokracinë e vendit, me ndikime të ndryshme politike.
Për këto shkaqe, udhëheqësi i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk po e pranon humbjen dhe ka nisur përgatitjet për protesta.
Mirëpo, se sa dallojnë proceset zgjedhore dhe mbarëvajtja e tyre mes Kosovës dhe Shqipërisë, folën njohësit e çështjeve politike.
E që vlerësuan, se Kosova është larg më e mirë në organizim me mbajtje të zgjedhjeve.
Mustafa: Me këto zgjedhje Shqipëria dëshmoi se është të paktën 10 vjet larg anëtarësimit të plotë në BE
Publicisti Xhevat Mustafa tha se këto zgjedhje treguan ehde një herë poushtetin e plotë politik që ka Edi Rama dhe lidhjet e tij me shumicën e oligarkëve.
Madje, ai në prononcimin e tij për “Bota sot” ironizoi duke thënë se me këtë qeveri, KQZ e kod zgjedhor të Sqhipëri, nuk do mund të fitonte as Trumpi përballë Ramës.
“Edhe në zgjedhjet e 11 majit 2025 u shpreh dhe u kuptua plotpushtetizimi politik e financiar i Rama-parti-qeverisë; ortakëria e saj me shumicën e oligarkëve e të “investitorëve strategjikë, me banda mafioze shumëngjyrëshe në Shqipëri e në disa vende të afërta e të largëta; me ushtrinë rreth 250 mijë vetëshe të administratës e patronazhistëve, etj.! Njëherazi, edhe qenia në xhepat dhe sirtarët e panumërt të Ramës të shumicës së strukturave dhe institucioneve publike, jo partiake..., si të Policisë, Drejtësisë, Arsimit, Shëndetësisë...Prej këtyre fakteve të dukshme e të ndjeshme jepen arsye të forta të mendohet se në vendin tonë nuk mund të bëhen zgjedhje me të vërtetë të lira, të pastra, demokratike, sa të jetë Edi Rama kryeministër dhe Ilirian Celibashi në krye të KQZ- së...! Policia mund të thuhet se bëri sehir apo spektatorin, duke lënë t’u kalonin edhe me fuoristrada nën hundë, hajdutët socialisto-rilindas të votave...! Por, vota me shumicë vodhën partiakë e patronazhistë socialistë me veshje civile! Edhe burra e gra me kostume firmato dhe mbushur qafat dhe gishtërinjtë e duarve me varëse dhe unaza floriri të shtrenjtë!
Shprehur ndryshe, edhe më troç apo më SHQIP: me këtë qeveri, KQZ e kod zgjedhor; me këtë drejtësi partiake; me këtë popull e rini, shumica me Enverin dhe Edin në tru e në gji, më 11 maj 2025, nuk do të mund të fitonin as Trump dhe Partia Republikane, sikur të vinin në Shqipëri për t’u përballuar me Ramën dhe bandat e tij..!..!?”
Po ashtu, Mustafa tregoi edhe mesazhin që do dalë pasi të kenë kaluar disa ditë nga përfundimi i gjithë procesit zgjedhor.
“Duke u kthjelluar nga emocionet e ditëve të para të pas zgjedhjeve dhe duke u thelluar në analizë del lehtësisht mesazhi se bashkë me PD-në dhe koalicionin e saj, pra bashkë me DEMOKRATËT, kanë humbur edhe shumica e votuesve të thjeshtë për Rama- parti- qeverinë, me paga e pensione minimale, në bastionet e enverizmit dhe të edramizmit në Jugë, Shqipërinë e Mesme dhe në Veri!.. Kur t’u dalë dehja prej gotave të shumta e deri në grykë të rakisë dhe disa, me doza të forta “bari”, kur të fillojnë përditshmërinë 80 apo 34 vjeçare, do të fillojnë të kuptojnë se janë mashtruar keq edhe këtë radhë e se nuk kanë fituar gjë, si përherë...! Një pjesë mund të binden se shumica e shqiptarëve janë akoma shumë larg bërjes dhe afirmimit si POPULL, që di të vlerësojë, të dojë dhe mbrojë veten, familjen, votën, vendin, kombin, si shumica e POPUJVE në vendet e Perëndimit Kapitalist”.
Në vazhdim, ish-diplomati përmendi edhe disa parregullsi, të cilat e përcollën procesin zgjedhor, e që për shumicën e tyre e fajësonte Partinë Socialiste.
“"Serioziteti" apo maskarallëku i këtyre zgjedhjeve u shpreh edhe në disa raste apo fakte sa absurdë, aq edhe qesharakë: votuan për Rama- parti- qeverinë, domethënë për edhe për gardianët e tyre, edhe shumica e të burgosurve! Por, votuan për shkatërrimtarët e pritshëm të fshatit të tyre apo për futjen e tij për së gjalli në arkivol si dhe për rrëmbimin e një burimi jetik uji, edhe rreth 75% -80% e banorëve të Hotolishtit, Tragjasit...! Me shumicë kanë votuar më 11 maj për Rama-parti-qeverinë edhe ish apo pronarë, që janë sorrollatur e torturuar për rreth 22 vjet në zyrat e qeverive Rama për të marrë pronat e tyre! Por, edhe më absurd e skandaloz është rasti i Termet Pecit, për të cilin kanë votuar shumica e votuesve në Tepelenë!? Duke “e përkthyer” nga edramishtja në SHQIP këtë skandal të freskët e të rradhës, në mënyrë figurative e me një dozë të fortë sarkazme, mund edhe të mendohet dhe thuhet: në Rama-partinë e këtyre 20 viteve, nderohen, shpërblehen me poste e përfitime të tjera, pikërisht ata që e turpërojnë më shumë...!?” – nënvizoi Mustafa.

Tutje, ai kujtoi planet e Ramës me Thaçin e Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës dhe formimin e Ballkanit të Hapur.
E duke e ndërlidhur këtë me zgjedhjet, vlerësoi se krahas Edi Ramës, fituesë të këtyre zgjedhjeve mund të llogariten edhe oligarkët.
“Duke kujtuar dhe llogaritur njëmendësinë e Edi Ramës me Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiç për ndarjen e Kosovës; "Ballkanin e hapur" si dhe ftohtësinë apo më saktë mungesën e dashamirësisë e të mbështetjes nga qeveritë Rama ndaj qeverisë së Albin Kurtit e ndaj tij individualisht, si kryeministër e si njeri, mund të thuhet se nga "fitorja" e PS- së ka humbur edhe Kosova, jo vetëm qeveritare!
Jo drejtë për drejtë, si fitues, krahas Edi Ramës me shoqe e shokë, mund të konsiderohen dhe llogariten edhe oligarkët dhe “investitorët strategjikë”, shumica e bosëve të bizneseve me gojët në çezmet qeveritare dhe bashkiake si dhe “çetat e kaçakëve” të “epokës Rama”, domethënë të hajdutëve modernë të votave! Por, në tufën e “fituesve” pa BETEJË dhe pa FITORE, janë edhe mafia shqiptare, ndraghetase, serbe, turke, ruse, latino- amerikane, arabe...! Në nivel ndërkombëtar, listës së fituesve vendas, pra shqiptarë, edhe nga Kosova dhe Diaspora, mund t’i shtohen dhe llogariten edhe qarqe politike dhe qeveritare në Serbi, Greqi, Rusi...”.
Ndër të tjera, ish-diplomati shtoi se duke parë gjithë parregullsitë dhe faktin se si u mbajtën këto zgjedhje, mund të thuhet se Shqipëria është të paktën 10 vjet larg anëtarësimit të plotë në BE dhe larg nivelit të zgjedhjeve në Kosovë.
“Humbës të mëdhenj janë edhe shumica e banorëve në qytetet dhe krahinat, sidomos të Jugut të Shqipërisë! Në disa hartat, futur në rrjete sociale, jo pa doza krahinorizmi e përçarjeje kombëtare, këta qarqe janë skuqur tërësisht, duke “harruar” se edhe në ato jetojnë qindra mijëra “të djathtë”, që kanë votuar për PD, pra për “blunë”! Kështu ka ndodhur edhe në Veri apo në pjesën blu, ku jetojnë dhe kanë votuar për PS-në e “të kuqen”, me qindra mijëra “të majtë”!? Nuk kërkon vramendje për të kuptuar se shumica e atyre, përmbledhur nën etiketën “bastione 80 vjeçare të së majtës” apo enverizmit, menduan dhe votuan më 11 maj 2025 sikur të ishin më 11 maj 1945! Për ata, jo pa të drejtë, Enveri është gjallë tek Edi dhe se enverizmi, së bashku me edramizmin, janë në pushtet qysh nga 12 qershori 1991 e deri më sot, pas afro 24 vjet! Apo, edhe më e rëndë, vërtetuan mësimin e Enverit, që po e zbaton në mënyrë krijuese dhe “artistike” Edi Rama: “Bëju gjithçka, të 99-tat këtyre shqiptarëve, nxijua edhe jetët dhe trupat; nëpërkëmbua edhe dinjitetin dhe nderin individual e familjar, sepse kështu të duan dhe mbështesin më shumë e më gjatë! Duke e përmbyllur: zgjedhjet e 11 majit 2025 ishin një maskaradë dhe masakër mbi lista, kuti dhe vota, shumë larg standardeve të shumicës së vendeve të BE e që i kërkohen Shqipërisë si kushte për anëtarësimin e plotë. Me këto palo apo gjase zgjedhje Shqipëria dëshmoi se është të paktën 10 vjet larg anëtarësimit të plotë në BE. Por, larg edhe nivelit të zgjedhjeve edhe në Kosovë. Mjafton të kujtoj faktin se edhe sot pas 4 ditësh nga përfundimi i zgjedhjeve vazhdon numërimi i votave, kur SHBA me rreth 333 milionë banorë, Gjermania me 83 milionë banorë...i nxorën rezultatet për 4 orë!” – përfundoi Xhevat Mustafa për “Bota sot”.
Ndoj: Nuk pritej diferencë kaq e thellë
Kurse, opinionisti nga Shqipëria, Llesh Ndoj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” foli mbi procesin zgjedhor në Shqipëri dhe ngjashmërit e dallimet me Kosovën.
Si fillim, tha se ndonëse nuk janë certifikuar, rezultati tashmë duhet, ndonëse potencoi se nuk pritej një diferencë kaq e thellë mes partive politike.
“Procesi zgjedhor politik i 11 majit në Shqipëri akoma nuk është zyrtarisht i përfunduar, megjithatë produkti njihet.
Nuk kemi rotacion pushteti dhe për më tepër pozita në mandatin e saj të katërt thellon rezultatin, ndërsa opozita thellon humbjen.
Formalisht fushata ishte e qetë e në margjinat e ligjit, praktikisht ndarja në kampe kundërshtare ishte e egër dhe mungoi totalisht dialogu mes tyre; gjuha ishte e ashpër e disa herë bullizuese. Pozicionet post zgjedhore të pritshme për shumicën e votuesve, por jo kaq e thellë diferenca”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Ndoj përmendi disa ndryshime dhe risi që sollën këto zgjedhje, ndër to edhe vendimmarrja politike e diasporës, si dhe ardhja e partive të reja në skenën politike.
Këto zgjedhje kishin risi:
-oferta politike ishte më e madhe, ndikuar kjo nga hapja pjesëore e listave dhe dalja në skenë e disa forcave të reja politike;
-për herë të parë u ftua në vendimmarrjen politike diaspora.
Ndërsa, lidershipi i njëjtë në të dy krahët, majtas gjeti mundësinë e risive, djathtas nuk prodhoi asgjë sa i takon përfaqësimit.
Partitë tradicionale u “fshehën” në listat e PD-s, duke spostuar demokratët e vërtetë dhe e djathta nuk u bashkua dot nën Sali Berishën”.
Po ashtu, opinionsiti foli edhe për numërimin dhe manipulimet e mundshme të votave.
“As postproces nuk ka ndryshime në pozicione:
-e majta feston pa zhurmë
-e djathta përgatit terrenin për të dalë në rrugë, atë që di të bëj më mirë se të gjithë.
Procesi i numërimit, disi i ndërlikuar për shkak të listave të hapura dhe diasporës, po zgjat më shumë se duhet dhe brenda kampeve ka tendenca manipulimi në favor të njërit apo tjetrit kandidat”, shpjegoi ai.
Në fund, përmendi dallimet dhe ngjashmëritë mes proceseve zgjedhore të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Lidhur me dallimet me Kosovën sa i takon procesit zgjedhor mund të them se fushata ka të njëjtat tipare, vetë procesi i votimit po ashtu, por ndryshon periudha post zgjedhore: andej certifikohen relativisht më shpejt dhe pranohet rezultati, këndej akoma kjo pjesë ka deficiensa të dukshme”, përmbylli Llesh Ndoj për “Bota sot”.