Njohësi i sigurisë: BE-ja është në anën e Serbisë dhe në dëmtim të Kosovës - Përgjigjen duhet ta japë ajo

Politika

Njohësi i sigurisë: BE-ja është në anën e Serbisë dhe në dëmtim të Kosovës - Përgjigjen duhet ta japë ajo

Nga: A.SH Më: 17 maj 2025 Në ora: 14:57
Foto ilustrim

Serbia ka intensifikuar lobimin ndërkombëtar për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duke e vazhduar një politikë të vjetër që bie ndesh me marrëveshjet e Brukselit të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ky veprim përbën jo vetëm një shkelje të zotimeve ndërkombëtare, por edhe një përpjekje të hapur për ta izoluar Kosovën në arenën globale të sigurisë.

Lobimi i Serbisë në këtë drejtim nuk është ndalur për vite me radhë, ndërkohë që Bashkimi Evropian nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta ndëshkuar këtë sjellje. Kjo njëanshmëri bie në sy sidomos kur krahasohet me masat ndëshkuese që BE ka vendosur ndaj Kosovës për veprime të brendshme ligjore dhe kushtetuese.

Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është i rëndësishëm për përfshirjen e saj në luftën globale kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Pengimi i këtij procesi nga Serbia është dëmtim i drejtpërdrejtë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se serbia prej vitesh lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke shkelur marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja – dhe kjo pa asnjë ndëshkim.

Ai përmend, se BE-ja ka vendosur masa ndaj Kosovës për ushtrimin e sovranitetit në territorin e saj. Ky qëndrim tregon qartë njëanshmëri në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës.

“Lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare është diçka që ka disa vite që është duke ndodhur. Kjo është shkelje e marrëveshjeve të pranuara nga Serbia me ndërmjetësimin e BE-së. Dhe kjo vazhdon të ndodhë pa asnjë ndëshkim nga BE. Në anën tjetër BE ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe zbatimin e ligjit në disa pjesë të Kosovës. Çdokush mund të shohë se është marrë anë nga BE-ja, se BE-ja është në anën e Serbisë dhe në dëmtim të Kosovës. Pse ndodh kjo? Përgjigjen duhet ta japë BE-ja. Serbia është vetëm proxy e Rusisë në Ballkan. Veprimet e Serbisë janë krejtësisht të njëjta me veprimet e Rusisë”, shprehet Meha.

Tutje, ai thotë se Serbia vepron si proxy i Rusisë në Ballkan, ndërsa Kosova është aleate e natyrshme e BE-së përballë ndikimit rus. Është paradoksale që BE-ja ndëshkon Kosovën dhe toleron Serbinë, kur interesat e saj strategjike janë pikërisht në krahun e Kosovës.

“Është për të ardhur keq që BE-ja ka telashe të mëdha me Rusinë dhe në Ballkan mban anën e Serbisë që është proxy e Rusisë dhe dëmton Kosovën e cila ka kontribut mbi 100-vjeçar të ballafaqimit me Serbo-Rusinë. BE-ja në ballafaqim me Rusinë aleate e ka Kosovën, dhe Serbinë e ka kundërshtare të BE-së. Deri kur BE-ja do të vazhdojë me politikë të këtillë, mbetet të shihet”, mbaron ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat