“Krizë normale”, avokati shqiptar flet për bllokadën e Kuvendit – parashikon këtë gjë!

Politika

“Krizë normale”, avokati shqiptar flet për bllokadën e Kuvendit – parashikon këtë gjë!

Nga: A.M. Më: 26 maj 2025 Në ora: 10:00
Avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Edhe tentimi i 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa sukses.

Ngërçi politik në Kuvend vazhdon prej 15 prillit, kur deputetët u betuan por ende nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit, duke e mbajtur institucionin të bllokuar.

E në lidhje me pasojat e kësaj bllokade dhe se sa rrezikohet stabilitetit i vendit, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Fillimisht, tha se kriza në të cilën po kalon Kosova, është një lloj krize që e kalojnë shumë vende demokratike.

Sipas tij, për këtë duhet të bëhen edhe komprimse të mëdha.

“Kjo është një krizë politike në funksion të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.  Dhe Kosova është ende pa një parlament efektiv dhd pa një qeveri të re.

Është e njohur kjo si lloj krize në shumë vende demokratike.

Si rregull; kriza të tilla kanë krijuar kompromise të mëdhenj në vende të ndyshme të demokracisë liberale.

Një kompromis duhet bërë edhe në Kosovë, ngaqë atje nuk është vetëm kontradikta normale në rrafshin politik, sepse për destabilizimin e Kosovës dihet që punon e vepron shumë edhe shërbimi sekret i Serbisë”, deklaroi avokati.

Krahas kësaj, Ngjela tha se nuk sheh ndonjë rrezik në aspektin e sigurisë, megjithatë 21 dështime janë shumë dhe se patjetër duhen kompromise mes partive politike.

“Megjithatë unë nuk shoh ndonjë rrezik për Kosovën; por gjithsesi konflikte të tilla nuk është mirë që të ndodhin; sepse kjo rrugë e dëmton shoqërinë në sensin e drejtimit, në psikologjinë shoqërore, por edhe në sensin ekonomik të zhvillimit.

Njëzet e një dështime në krijimin e qeverisë në parlament, sigurisht që janë shumë. Por ndërkohë duhet të kujtohemi që Kosova është një shtet i ri, dhe kuptohet që ende pasioni politik në luftën për pushtet është sigurisht në nivele të larta, prandaj po e mposht arsyen e shtetit; dhe prandaj duhet kompromis”.

Ndër të tjera, kur përmendi kompromisin, avokati tha se kjo gjë ende ju mungon shqiptarëve, pasi është një motiv i vyer politik.

Ai parashikon se konstituimi i Kuvendit do të bëhet shpejt, pasi do ketë kompromis politik.

“Demokraci, zhvillim shoqëror dhe politikë moderne, do të thotë kompromis.

Por ja, pikërisht kjo na mungon ende ne shqiptarëve.

Kompromisi si motiv i vyer politik, po na mungon ende ne shqiptarëve edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Por duhet të bëjmë përpjekje racionale që ta arrijmë" përfundon Spartak Ngjela për "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat