Shkarkimi i Arbër Vokrrit për ndërkombëtarët, analistët tregojnë mesazhet që dha me këtë Albin Kurti

Politika

Shkarkimi i Arbër Vokrrit për ndërkombëtarët, analistët tregojnë mesazhet që dha me këtë Albin Kurti

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 26 maj 2025 Në ora: 18:58
Arbër Vokrri, Albin Kurti

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, është shkarkuar javën e kaluar, pasi ai akuzoi ndërkombëtarët se kanë nxitur trazirat në veri në disa raste, duke përmendur edhe një nga diplomatët ndërkombëtarë – shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka liruar sot nga detyra zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri. Ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare – duke apostrofuar me emër shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav – me veprimet e tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit. Deklaratat e z. Vokrri nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Këtë veprim të Kurtit, analistët politikë e shohin si një pikë kthese dhe një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të tij apo të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj ndërkombëtarëve.

Sipas tyre, vendimi i Kurtit tregon se raportet me ndërkombëtarët nuk janë aq të qarta sa janë propaganduar.

Mesazhet e vendimit të Kurtit

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Zejnullah Jakupi, për gazetën Bota Sot, thotë se vendimi i Kurtit është distancim i hapur i Qeverisë dhe Vetëvendosjes nga qëndrimet e Vokrrit.

“Vendimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të liruar nga detyra zëvendësministrin Arbër Vokrri pas deklaratave të tij për diplomatët ndërkombëtarë – veçanërisht ambasadorin e BE-së, Aivo Orav – bart disa sinjale të rëndësishme politike dhe diplomatike, të cilat mund të interpretohen në disa rrafshe: distancim institucional nga deklaratat e Vokrrit. Ky është mesazhi më i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm. Qeveria po tregon se nuk e përkrah diskursin që vë në pikëpyetje ose akuzon përfaqësues ndërkombëtarë për nxitje të trazirave, sidomos kur këto akuza nuk janë të mbështetura në fakte publike ose në koordinim me qëndrimet zyrtare të institucioneve. Kjo përforcon përpjekjet e Qeverisë për të ruajtur një komunikim të përgjegjshëm dhe diplomatik me komunitetin ndërkombëtar”, shprehet Jakupi.

Image
Zejnullah Jakupi

Sipas tij, kjo tregon një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të Kurtit apo Vetëvendosjes ndaj ndërkombëtarëve.

“Kurti dhe Vetëvendosje dihet se tradicionalisht kanë qenë kritikë ndaj ndërhyrjes së tepruar ndërkombëtare në proceset e brendshme politike, veçanërisht në kontekstin e veriut dhe dialogut me Serbinë. Megjithatë, në pozita qeverisëse, ata janë përballur me nevojën për pragmatizëm dhe bashkëpunim institucional. Vendimi ndaj Vokrrit më shumë reflekton nevojën për ruajtje të një balanci diplomatik sesa një ndryshim ideologjik”,  thekson Jakupi.

Më tej, ai shton se ky vendim i Kurtit tregon tension të brendshëm dhe ndoshta një kontroll më të rreptë të narratives publike.

"Ky veprim mund të jetë gjithashtu një shenjë se Kurti kërkon që zyrtarët e tij të respektojnë një vijë të unifikuar komunikimi – sidomos në një periudhë të ndjeshme kur Kosova është nën vëzhgim të rreptë ndërkombëtar për zhvillimet në veri dhe raportet me Serbinë. Kjo është pjesë e një përpjekjeje për të shmangur tensione të panevojshme që mund të kompromentojnë pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”.

“Po, është një tregues që raportet me ndërkombëtarët nuk janë aq të qarta sa janë propaganduar. Rasti tregon se ekziston një ndjeshmëri e lartë në raport me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe se Qeveria ndoshta është nën presion për të mos përkeqësuar më tej marrëdhëniet. Nëse do të kishim një marrëdhënie të thellë mirëbesimi, një deklaratë si ajo e Vokrrit do të ishte trajtuar me më shumë tolerancë. Reagimi i menjëhershëm dhe ndëshkues sinjalizon një fragjilitet”, shpjegon Jakupi.

Në përfundim, ai thekson se veprimi i Kurtit është taktik dhe domosdoshmërish strategjik, por nuk do të ishte i tillë nëse trysnia do të vinte nga faktori i brendshëm.

“Me këtë veprim po besojmë se Albin Kurti përfaqëson një kthesë të madhe në qëndrimin e tij ndaj ndërkombëtarëve. Tregon një përpjekje për menaxhim të kujdesshëm të marrëdhënieve me ta – sidomos në një moment kur Kosova ka nevojë për përkrahje ndërkombëtare në shumë fronte (dialogu me Serbinë, njohjet, integrimi në organizata ndërkombëtare). Kjo gjithashtu mund të interpretohet si një sinjal që Kurti është i gatshëm të sakrifikojë individë të caktuar në kabinet për të ruajtur imazhin ndërkombëtar të Qeverisë”,  përfundon analisti Zejnullah Jakupi.

Raportet me ndërkombëtarët, jetike për Kosovën

Ndërkaq, analisti Faton Mehmeti shprehet se Kurti me të drejtë e ka shkarkuar Arbër Vokrrin nga pozita e zëvendësministrit.

Image
Faton Mehmeti

“Besoj dhe vlerësoj se është veprim i duhur i kryeministrit Kurti që ka shkarkuar një zëvendësministër që flet diçka ndryshe nga linja zyrtare e qeverisë. Aq më tepër kur kritikon ndërkombëtarët për diçka që nuk duhet dhe që nuk është qëndrim i qeverisë. Jo vetëm z. Vokrri, por çdokush që është pjesë e qeverisë duhet të jetë në linjë me vendimet, veprimet dhe qëndrimet e qeverisë kur është fjala për çështje të ndjeshme”, thekson Mehmeti.

Ai shton se me këtë vendim, Kurti dëshmoi se raportet me ndërkombëtarët nuk janë siç janë proklamuar.

“Raporti i Kosovës me ndërkombëtarët është jetik dhe kushdo që del jashtë kësaj linje nuk duhet të ketë vend në qeveri. Shkarkimi i z. Vokrrit është mesazh që Kurti u jep të gjithëve që e kanë akuzuar për ‘prishje me ndërkombëtarët’, me ç’rast i jep një goditje të fortë kësaj propagande të opozitës dhe të Grenellit. Pra, Kurti me shkarkimin e Vokrrit ka goditur opozitën dhe Grenellin, dhe duket se po fitohet një linjë e njëjtë me presidenten Osmani, e cila po shquhet shumë për raportin e saj brilant me ndërkombëtarët”, përfundon analisti Faton Mehmeti për "Bota sot".

Kujtojmë se sipas ish-zëvendësministrit të Pushtetit Lokal në detyrë, Arbër Vokrri, pala ndërkombëtare ka nxitur vetë trazirat në disa raste. 

“Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them domosdoshmërish të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre, kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira. Diplomatë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare – e kam përmendur edhe z. Orav, shefin e misionit të BE-së në Kosovë – e kam përmendur vitin e kaluar që ka qenë nxitës i njërës prej këtyre trazirave. Ka qenë pas atij incidenti, ku në njërën prej vizitave të mia në pjesën veriore, u grumbulluan disa aktivistë politikë të njohur për lidhje me shtetin serb dhe bënë një tollovi. Më pas, pashë në rrjete sociale se të njëjtit persona kishin qenë në takim me z. Orav pak orë para incidentit. Kjo është vetëm një prej shembujve”, tha Vokrri, deklaratë që i kushtoi me shkarkim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat