“Është rrezik për Kosovën!”, Mekuli flet për bllokadën – ka një thirrje për deputetët

Politika

“Është rrezik për Kosovën!”, Mekuli flet për bllokadën – ka një thirrje për deputetët

Nga: A.M. Më: 30 maj 2025 Në ora: 20:11
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar 23-të herë radhazi – ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Dështimi për ta bërë Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Studiuesi i shkencave të mediave dhe retorikës, Gëzim Mekuli në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

Si fillim, ai u shpreh se kjo nuk është krizë e zakonshme, por një shkelje serioze e demokracisë dhe sulm ndaj funksionalitetit të institucioneve të shtetit.

“Situata në Kuvendin e Kosovës nuk mund të shihet më si një krizë e zakonshme parlamentare. Bllokimi i qëllimshëm i konstituimit të Kuvendit është një shkelje serioze e etikës demokratike dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj funksionalitetit të shtetit. Kur një institucion bazë i republikës kthehet në peng të llogarive të ngushta partiake dhe inateve personale, atëherë nuk kemi më të bëjmë me demokraci funksionale, por me një sabotim institucional që ndëshkon qytetarët”.

Image
Gëzim Mekuli

Krahas kësaj, ai mirëpriti raportimet se deputetët të caktuar të opozitës mund ta votojnë Haxhiun si kryeparlamentare, pasi vlerëson se kjo është një sinjal që ka ende zëra të arsyeshëm në opozitë.

Megjithatë, ai kritikoi partitë opoztare dhe i cilësoi si pengesa kryesore e konstituimit të Kuvendit.

“Raportimet se disa deputetë të opozitës janë të gatshëm të votojnë për kandidaturën e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit janë një shenjë që ende ekzistojnë zëra të arsyeshëm dhe njerëz normal brenda kampit opozitar. Por kjo nuk e zhbën faktin se opozita si tërësi po dështon në misionin e saj kushtetues: ajo nuk po vepron si kontroll demokratik ndaj qeverisë, por si pengesë ndaj vetë shtetit; Është gozhda që po gozhdohet mbi arkivolin e porositur të Kosovës.

Ne po jetojmë një moment të ngjashëm me vitin 1999, ku vullneti qytetar nuk përkthehej në institucione funksionale, por në pazare të errëta e tensione të vazhdueshme. Në vend që të jetë alternativë qeverisëse, opozita po tregohet e paaftë të ofrojë vizion dhe është e gatshme të paralizoj sistemin politik, dhe jetën e përditshme të popullit, vetëm për përfitime karrieriste afatshkurtra.

Edhe më shqetësuese është sjellja e një pjese të mediave: është duke u bërë arkivoli i demokracisë”, theksoi ai.

Tutje, përmendi praktikat që përdorin shtetet e ndryshme botërore për themelimin e qeverive, derisa nënvizoi se atje opozitat nuk e bllokojnë formimin e institucioneve.

“Si njohës i shkencave të komunikimit dhe mediave, më duhet ta theksoj me keqardhje se shumë redaksi në Kosovë nuk po arrijnë ta ruajnë distancën profesionale, por janë bërë jehonë e thashethemeve dhe retorikës serbe që normalizon dhe e pranon bllokadën si diçka normal. Në vend të analizës serioze dhe informimit të drejtë të publikut, kemi media që bëjnë politikë përmes manipulimit të lajmit dhe fotografisë.

Nëse e krahasojmë me përvoja ndërkombëtare: në Gjermani, SHBA apo vende të ngjashme demokratike, opozitat nuk e lejojnë kurrë bllokimin e institucioneve themelore si parlamenti. Pavarësisht dallimeve politike, ekziston një konsensus bazik mbi nevojën për funksionalitet institucional. Në të kundërt, në vende si Venezuela apo Ukraina para krizës, kur opozitat e bllokonin shtetin, pasojat ishin katastrofike; degradim i institucioneve, rritje e ndikimit të jashtëm dhe humbje totale e besimit qytetar”.

Ndër të tjera, shtoi se tani është momenti të dalim nga logjika e përçarjes dhe të mendojmë si shtet.

“Kosova jonë e shtrenjtë nuk mund ta ndjekë këtë rrugicë. Deputetët që votojnë për zhbllokimin e Kuvendit nuk janë "tradhtarë" të opozitës: janë përfaqësues të interesit shtetëror. Ata tregojnë pjekuri për të vendosur shtetin mbi partinë, Kosovën mbi oligarkinë.

Ky është momenti kur ne duhet të dalim nga logjika e përçarjes dhe të mendojmë si shtet, si komb politik, jo si kamp zgjedhor. Sepse bllokada nuk është më politikë; është rrezik për rendin demokratik dhe për të ardhmen e Kosovës”, përfundoi Gëzim Mekuli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat