Zëvendëskryetari i Komunës së Wylie në shtetin e Teksasit, Gino Mulliqi, ka theksuar rëndësinë e kontributit të diasporës shqiptare në proceset zhvillimore të Kosovës.
Në për gazetën “Bota sot”, ai ka folur për përparimet e arritura nga Kosova, sfidat që qëndrojnë përpara dhe rolin strategjik të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kosova ka arritur përparime të mëdha gjatë viteve të fundit, por ende ka shumë punë për të bërë”, është shprehur Mulliqi.
Ai ka theksuar se sfidat kryesore me të cilat përballet vendi janë forcimi i sundimit të ligjit, nxitja e zhvillimit ekonomik dhe arritja e integrimit të plotë në komunitetin ndërkombëtar.
Sipas tij, për përballimin e këtyre sfidave, është e domosdoshme mbështetja e vazhdueshme nga diaspora dhe shtetet partnere.
“Çdo shqiptar ka një rol të rëndësishëm për ta ndihmuar vendin në këtë proces,” ka theksuar ai.
Duke folur për përkushtimin e tij personal ndaj çështjeve shqiptare, Mulliqi ka nënvizuar lidhjen e fortë që ndjen me atdheun dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Kam një lidhje shumë të fortë me atdheun tim dhe gjithmonë përpiqem të shfrytëzoj çdo mundësi për të promovuar historinë dhe aspiratat e Kosovës kur bisedoj me zyrtarë të lartë në Shtetet e Bashkuara,” ka thënë ai.
Më tej, ai ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e diasporës shqiptare në SHBA.
“Jam shumë mirënjohës për mbështetjen që shqiptarët në USA kanë dhënë në këtë drejtim,” ka përfunduar Mulliqi.