“Lëvizje të reja” në dialog, zbërthehen prapaskenat e takimit të fundit në Bruksel – vjen thirrja për Kosovën

Politika

“Lëvizje të reja” në dialog, zbërthehen prapaskenat e takimit të fundit në Bruksel – vjen thirrja për Kosovën

Nga: A.M. Më: 3 qershor 2025 Në ora: 10:00
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen njoftoi për takimin që zhvilloi në Bruksel me zëvendëskryeministrin në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi.

Sorensen shkroi në X se takimi me Bislimin u zhvillua “në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh” sot, i cili nuk u zhvillua.

Tha se diskutuan shumë çështje, ndërsa paralajmëroi një takim trepalësh “së shprejti”.

‘Prita Kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi për një takim në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh të Dialogut në Bruksel sot. Diskutuam për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Planifikojmë të organizojmë së shpejti një takim trepalësh”, shkroi Sorensen.

E në lidhje me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli Agim Aliçkaj, Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Si fillim, ai përmendi ndryshimet e fundit që ndodhën brenda BE-së dhe mirëpriti ardhjen e Sorensen dhe Kallas.

Megjithatë, potencoi se nuk është e qartë nëse do të ketë ndonjë risi nga Evropa.

Image
Agim Aliçkaj, Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

“Përfaqësuesit e mëparshëm evropianë përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi, z. Borrell dhe z. Lajcak, kishin një qasje të gabuar pro-serbe, e cila çoi në dështimin e dialogut. Edhe Marrëveshja e Ohrit, e cila ishte një kompromis, nuk u pranua nga Serbia.

 Pas ndryshimeve në zgjedhjet e fundit të Bashkimit Evropian dhe marrjes së posteve të rëndësishme nga znj. Kaja Kallas dhe z. Peter Sorensen, mund të shpresojmë për një qasje më të drejtë në dialogun me Serbinë. Këta të dy kanë filluar aktivitetet për të rifilluar dialogun, por ende nuk është e qartë nëse do të ketë ndonjë risi nga Evropa. Nëse vazhdohet me përkdheljen e Serbisë dhe presionin e padrejtë mbi Kosovën, rezultatet do të jenë të njëjta.

Kosova nuk ka rrugë tjetër pos ta vazhdojë dialogun pa shpresuar shumë në drejtësinë evropiane. Parakushtet që pala serbe po i paraqet vazhdimisht duhet të refuzohen menjëherë dhe të përballen me parakushte në interes të Kosovës”, deklaroi drejtori i LQSHA-së.

Kraha kësaj, Aliçkaj tha se Kosova ka forcë dhe mund t’i rregulloj problemet e veta, e që këtë duhet ta dijnë ndërkombëtarët.

Ai potencoi faktin çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë dhe Sanxhak duhet të barazohet me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

“Paralelisht, duhet të vazhdojnë kontaktet dhe përpjekjet për bisedime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e pakicës serbe në Kosovë jashtë listës serbe, e cila është një organizatë armiqësore. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëhet i vetëdijshëm se Kosova ka forcën për të rregulluar punët e veta të brendshme.

Forcat mbrojtëse dhe njësitë speciale duhet të forcohen më tej për të qenë në gjendje të luftojnë bandat serbe, të zbatojnë sundimin e ligjit dhe të ruajnë paqen në veri të Kosovës.

 Në të njëjtën kohë, çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak dhe barazimi i tyre me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë duhet të ngrihet në çdo takim”, nënvizoi ai.

Po ashtu, drejtori i LQSHA-së nuk pret ndonjë lëvizje pozitive në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, Evropa duhet të ndryshoj qasjen dhe ta qartësojë problemin me Serbinë.

Në këtë pikë, përmendi rëndësinë e bashkëpunimit të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi me Amerikën.

“Realisht, derisa Evropa të jetë e qartë se problemi qëndron në Beograd dhe se mund të zgjidhet vetëm atje, nuk mund të pritet asnjë lëvizje pozitive në dialogun Kosovë-Serbi. Serbia është një shtet i sëmurë i kapluar nga urrejtja për fqinjët e saj, veçanërisht për shqiptarët, dhe nga aspiratat hegjemonike të nxitura nga Rusia. Evropa duhet të ushtrojë presion mbi të që të ndryshojë duke i bërë të ditur se nëse vazhdon të jetë një kukull e Rusisë, nuk ka vend për të në Evropë.

Bashkëpunimi, koordinimi dhe rritja e kontakteve me Amerikën duhet të bëhen çështje prioritare për Kosovën. Interesat strategjike të popullit amerikan dhe popullit shqiptar janë të përbashkëta. Vetëm Amerika garanton ekzistencën e Kosovës përballë Serbisë dhe Rusisë. Por, me Amerikën, veçanërisht me administratën e Presidentit Trump, duhet punuar dhe folur, pa përulësi dhe me angazhim të dokumentuar me fakte, argumente dhe rezultate”.

Në fund, Aliçkaj kërkoi nga liderët e Kosovës që të vazhdojnë punën e tyre, t’i formojnë institucionet e reja dhe të presin derisa SHBA e BE të ndryshojnë qasjen e tyre.

“Kosova duhet të vazhdojë zhvillimin e demokracisë dhe të shtetit dhe të presë derisa Evropa dhe Amerika ta ndryshojnë Serbinë ose të lodhen me të. Për këtë, institucionet e shtetit që dolën nga zgjedhjet e fundit duhet të krijohen sa më shpejt të jetë e mundur. Populli i Kosovës ka shprehur vullnetin e tij për t'u udhëhequr nga qeveria e krijuar nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Gjetja e një mënyre për të vazhduar mandatin e Presidentes shumë të suksesshëme Vjosa Osmani është po ashtu me rëndësi të madhe.

Ka ardhur koha që krerët e opozitës të reflektojnë, të tërhiqen nga bojkotimi i institucioneve dhe të bëhen më të mirë se pozita për të shpresuar se do të jenë në gjendje të marrin pushtetin pas katër vitesh”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat