Sot (11 qershor) u shënua dështimi i 30-të për konstituimin e Kuvendit, por ndryshe nga përpjekjet e kaluara, ditëve të fundit deputetët kanë hasur “në pengesë”.
Gjatë përpjekjes të së hënës, avokati Arianit Koci, së bashku me disa aktivist e qytetarë tjerë kanë protestuar, duke vendosur një shirit të kuq para hyrjes, madje janë përpjekur edhe t’ua vështirësojnë hyrjen deputetëve.
Edhe para fillimit të seancës së sotme pati pengesa të tilla për kuvendarët nga qytetarë e aktivistë të tjerë.
Disa deputetë e morën me sportivitet Kocin, i cili kishte shfrytëzuar hyrjen e kuvendit edhe t’i kritikojë deputetët që hynin.
Por, jo të gjithë e morën me sportivitet, Armend Zemaj nga LDK, iu kundërvu Kocit pasi ky i fundit i tha që të kërkojë zgjidhje dhe mos të mbajë konferenca.
“Ti mos më pengo kurrë, pritëm qaty”, u shpreh Zemaj.
Me sportivitet nuk e mori as deputeti dhe ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla e largoi me dorë avokatin Koci, kur ky i fundit i tha “si nuk ju vjen marre”.
Në anën tjetër, analistët thonë se gjendja e krijuar në Kuvendin e Kosovës është më shumë sesa neveritëse dhe sipas tyre do të duhej që qytetarët të shfrytëzonin edhe metoda tjera që t’i bëjnë presion deputetëve.
“Kosova ndodhet buzë një konflikti përmasash të gjera qytetare”
Analisti politik Skënder Zogaj, thotë se dështimi i 30-të është një trill i pafalshëm që nuk i konvenon askujt që e konsideron Kosovën atdhe.

Sipas tij, Kosova po mbahet e robëruar nga vetvetja.
“Gjendja e krijuar në Kuvendin e Kosovës është më shumë se sa neveritëse! Është një diçka që as armiqtë më të përbetuar nuk do të mund t'ia krijonin në këtë lloj formati kaq të turpshëm e të rrezikshëm! Dështimi i konstituimit për të 30-tën herë me radhë, është një trill i pafalshëm që nuk i konvenon askujt që e konsideron Kosovën atdhe! Kjo nënkupton se, nuk u konvenon as partive politike, të cilat tashmë po pozojnë nudo duke dëshmuar se, janë e keqja e këtij vendi, dhe e zezë dita e shqiptarëve të Kosovës, që pasi u çlirua nga Serbia tash po mbahet e robëruar nga vetvetja, duke e vërtetuar tezat e ideologëve serbosllav që kanë thënë se - shqiptarët nuk janë të zotët të vetëqeverisen, pra nuk munden të bëjnë shtet se janë primitiv, njerëz me bishta! Këto hipotezat po i vërtetojnë deputetët shqiptarë të legjislaturës më të re, të cilët po e dëshmojnë se janë të pafytyrë!”, shprehet Zogaj.
Ai konsideron se qytetarët e kanë humbur të drejtën morale të kundërshtojnë, gjersa shton se kjo situatë kërkon drejtësi.
“Mirëpo, kjo pafytyrësi i përket edhe elektoratit që i ka zgjedhur, për fat të keq - të këqijtë e më të këqinjve Për këtë gjë dhe faji u përket edhe qytetarëve që kanë zgjedhur atë që kanë dëshiruar! Duke qenë kështu qytetarët e kanë të humbur të drejtën morale që të kundërshtojnë! Së dyti kjo situatë nuk zgjidhet me protesta rrugësh e rrugaçërirash! Kjo situatë kërkon drejtësi, pra është çështje e drejtësisë, e institucioneve të pavarura, si për Gjykata Kushtetuese dhe Presidenca, që duhet të thonë fjalën e tyre hapur dhe saktë, duke i mbyllur farsa alternative të individëve dhe grupeve të interesit, të cilave u konvenon kjo situatë anarkie, ku askush askujt nuk i jep llogari, sepse të gjithë janë jolegal, ndërsa përfitojnë legalisht duke e zhvatur interesin shtetëror dhe kombëtar të vendit! Por kjo anarki shteron një ditë, dhe kur të shterojë atëherë pëlcasin rrathët e arsyes dhe pasojat janë të pariparueshme. Uroj të jem i gabuar, por them se Kosova ndodhet buzë një konflikti përmasash të gjera qytetare!”, shton analisti.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk po heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, ndërsa partitë opozitare e konsiderojnë atë përçarëse.
Deri më tani kryeministri në detyrë dhe fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, ka ftuar për koalicion vetëm Lidhjen Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit ka refuzuar duke propozuar një qeveri tranzicioni.
Në anën tjetër, ka pasur takime me kryetarin e Nisma-s Fatmir Limajn, por edhe takime “jo formale” me kandidatin për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza.
Fjala e qytetarëve, metodat dhe pse Albulena Haxhiu
Opinionisti Lirim Gashi, konsideron se protestat simbolike, tubimet paqësore, marshimet kreative dhe aksionet qytetare mund t’i bëjnë deputetët të reflektojnë e veprojnë.
Sipas tij, deputetët po dështojnë në misionin e tyre.

“Po, pa asnjë dyshim. Kur politika dështon të përmbushë detyrimet e saj elementare – siç është konstituimi i Kuvendit – atëherë është e drejtë dhe domosdoshmëri që qytetarët të marrin fjalën dhe hapësirën publike në duart e tyre. Zëri qytetar nuk është vetëm një reagim emocional ndaj krizës politike, por një mekanizëm thelbësor i demokracisë funksionale. Protestat simbolike, tubimet paqësore, marshimet kreative dhe aksionet qytetare që transmetojnë mesazhe të forta përmes artit, ironisë apo performancës publike mund të bëjnë më shumë sesa një debat parlamentar i zhurmshëm: mund të ndërgjegjësojnë, të turpërojnë dhe më e rëndësishmja – të detyrojnë reflektim dhe veprim. Demokracia nuk është vetëm kutia e votës çdo katër vjet – është një proces i përditshëm i mbikëqyrjes, kritikës dhe përballjes. Deputetët që për herë të 30-të nuk arrijnë të konstituojnë institucionet, po dështojnë në misionin e tyre përfaqësues dhe duhet të ndiejnë presionin moral e politik që vjen nga rruga, nga zëri i popullit”, pohon Gashi.
Peticionet, fushatat digjitale dhe mesazhe që denoncojnë bllokimin institucional, mund të jenë metoda tjera që sipas Gashit mund të përdoren nga qytetarët që t’i bëjnë presion deputetëve.
“Përveç protestave, qytetarët mund të përdorin një gamë të gjerë metodash demokratike dhe kreative për të ushtruar presion dhe për të kërkuar përgjegjësi: Peticione të organizuara mirë me kërkesa konkrete drejtuar Kuvendit, që shprehin vullnetin e mijëra qytetarëve dhe i japin legjitimitet një kërkese kolektive. Fushata digjitale në rrjete sociale me hashtag-e unifikuese dhe mesazhe që denoncojnë bllokimin institucional, duke bërë presion të drejtpërdrejtë ndaj partive dhe figurave kyçe. Bojkote simbolike të produkteve apo bizneseve që financojnë apo janë të lidhura me elitat politike që po sabotojnë procesin. Forumet qytetare dhe debatet publike në sheshe apo hapësira të hapura, ku qytetarët të artikulojnë kërkesat e tyre në mënyrë të organizuar, duke e kthyer qytetin në një parlament të hapur. Shkrime, poezi, murale dhe performanca publike, që e ngrenë debatin përtej gjuhës së thatë të politikës dhe e kthejnë rezistencën qytetare në një akt estetik e moral. Nëse elita politike vazhdon të injorojë popullin, atëherë është populli ai që duhet ta rikujtojë pushtetin se nga vjen legjitimiteti i tij. Dhe kjo mund të bëhet paqësisht, me urtësi, por edhe me guxim dhe kreativitet”, thekson opinionisti.
Ai thotë se Albulena Haxhiut nuk i mungon asgjë që të bëhet kryetare e Kuvendit.
Sipas tij, Haxhiu përfaqëson atë që të tjerët nuk e kanë, ndershmërinë e palëkundur, intelektin dhe shpirtin që nuk shitet për poste.
“Çfarë i mungon Albulena Haxhiut që të zgjidhet kryetare e kuvendit? Nuk i mungon Albulenes asgjë nga e mira – dhe i mungon gjithçka nga e keqja që, për fat të mirë, nuk e ka. Në fakt, ajo nuk ka as brutalitetin e klaneve, as dyfytyrësinë e shërbëtorëve të ambasadave, as padijen e dekoruar me tituj false, as papërgjegjësinë që shet shtetin për një karrige, as gjuhën që përdoret për t’i larë mëkatet në publik dhe për t’i përsëritur fshehurazi në errësirë. Por opozita jonë — ajo e korruptuar, e shkolluar në pazare e shantazhe — nuk e do Albulenën. Jo pse nuk është e denjë, por pikërisht pse është. Sepse ajo përfaqëson atë që ata nuk janë: ndershmërinë e palëkundur, intelektin që nuk shet vetveten dhe shpirtin që nuk shitet për poste”, shprehet Gashi.
Në fund ai shton se opozita kërkon “njeriun e tyre” në Kuvend dhe të mbjellin prapë frikën, jo drejtësinë.
“Këta kërkojnë "njeriun e tyre" – një manekin me buzëqeshje të rreme, që mban kolltukun e Kuvendit sikur të ishte pronë e trashëguar nga partia, jo institucion i popullit. Ata kërkojnë të mbjellin prapë frikën, jo drejtësinë. Sepse siç thoshte Nietzsche: “Nuk e urrejnë dritën pse ndriçon, por sepse ua zbulon fytyrën.” Albulena është dritë për ta. Dhe ata nuk duan të ndriçohen – ata duan të vazhdojnë të sundojnë nën errësirën e gënjeshtrave, me "përfaqësues" që dinë t’i shërbejnë shefave, jo qytetarëve. Në këtë luftë, nuk është pyetja: a është Albulena e denjë për kryetare? Pyetja është: a janë të gatshëm këta që mbajnë peng institucionet, të durojnë një grua që nuk e ulin dot, nuk e blejnë dot, nuk e korruptojnë dot? Sepse siç do të thoshte një filozof i kohëve moderne: Kur të ndershmit janë të rrallë, hajnat kërkojnë konsensus. Dhe kur e mira është aty, e keqja shpik kushte që ajo të mos ndodhë”, përfundon opinionisti.