Takimi Bruksel, Maloku: Nuk do të ketë pritshmëri nga ai takim

Politika

Takimi Bruksel, Maloku: Nuk do të ketë pritshmëri nga ai takim

Nga: A.SH Më: 11 qershor 2025 Në ora: 21:49
Takimi trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, atij të Serbisë, Petar Petkoviq, dhe emisarit evropian për dialogun, Peter Sorensen. Bruksel, 10 qershor 2025.

Kosova dhe Serbia janë takuar në nivel kryenegociatorësh.

Emisari evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se janë në proces përgatitor për një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Analisti Albinot Maloku, në një prononcim për “Bota sot”, thekson mungesën e transparencës dhe legjitimitetit në takimin e fundit në Bruksel mes Bislimit dhe Petkoviqit.

Sipas tij, takimi u zhvillua në mënyrë të papritur dhe pa njoftim zyrtar për qytetarët e Kosovës, gjë që e kthen në një praktikë të vjetër të mungesës së llogaridhënies.

Ai vëren se Qeveria aktuale, duke qenë në mandat teknik, nuk ka të drejtë të marrë obligime ndërkombëtare, ndërkohë që dialogu kërkon përfaqësim të plotë dhe legjitim.

Prandaj, ai nuk sheh asnjë pritshmëri konkrete nga ky takim, përderisa Kosova nuk ka institucione të reja dhe funksionale.

Çështja e parë që duhet theksuar lidhur me takimin në Bruksel mes Bislimit dhe Petkoviqit është se takimi ishte i papritur dhe u zhvillua në një atmosferë fshehtësie, praktikë kjo që karakterizon veprimet e ish-Qeverisë. Qytetarët e Kosovës u informuan për këtë takim kryesisht përmes mediave, duke iu referuar postimit në rrjetet sociale të deleguarit të Serbisë, Petar Petkoviq, i cili njoftoi për takimin me delegacionin e Kosovës. Megjithatë, ky delegacion nuk ka legjitimitet të plotë për të zhvilluar dialog dhe për të marrë obligime, duke qenë se Qeveria aktuale ka mandat teknik dhe ndodhet në detyrë.

Nga ana tjetër, Kosova dhe Serbia kanë një numër të madh çështjesh aktuale dhe të kaluara për t’u diskutuar, zgjidhur dhe për t'u jetësuar në terren. Megjithatë, nuk duhet të ketë pritshmëri nga ky takim, për pasojë nuk kam pritshmëri, përderisa Kosova vazhdon të jetë pa Qeveri dhe Kuvend të ri, të cilët do t’i siguronin legjitimitetin e plotë delegacionit që merr pjesë në dialogun Kosovë-Serbi”, - deklaron ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat