Edhe pse Kosova gjendet tash e tre muaj në një ngërç politik dhe pa institucione të reja, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.
"Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore. Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor. Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Por, analistët politikë dhe njohësit e fushës së politikës paralajmërojnë se Kosova mund të përballet me dy palë zgjedhje së bashku, pra lokale dhe nacionale.
Sipas tyre, në këtë mënyrë pritet që vjeshta të sjellë një garë të ashpër zgjedhore, duke marrë për bazë edhe situatën në të cilën gjendet Kosova tash e tre muaj.
Qëllimi i Kurtit
Analisti Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”, thotë se partia në pushtet synon që nga euforia e zgjedhjeve nacionale, t’i fitojë edhe ato lokale, në të cilat në vazhdimësi ka performuar keq.
“Ky edhe është qëllimi i Kurtit: të dërgojë vendin në zgjedhje lokale dhe nacionale së bashku. Kështu, Kurti pret që të përfitojë nga euforia e zgjedhjeve nacionale për të përfituar edhe në ato lokale”, shprehet Mehmeti.

“Dihet se deri tani kanë ndryshuar shumë preferencat e qytetarëve për zgjedhjet nacionale dhe ato lokale, andaj Kurti dëshiron këtë herë të përdorë si levë zgjedhjet nacionale për të përfituar edhe në ato lokale. Natyrisht që 12 tetori është datë e preferuar nga partitë politike me KQZ-në, që besoj se do të arrijë me kohë të përgatitet, me shumë gjasë, për dy palë zgjedhje”, thekson Mehmeti, sipas të cilit, pritet një garë e ashpër edhe në nivelin lokal.
“Natyrisht që gara do të jetë e ashpër, disa për të përfituar sa më shumë, e disa për mos t’u shuar – betejë vendimtare për mbijetesë politike e Ramushit dhe Limajt – ndërkohë që garë e fortë për vend të parë mes VV dhe PDK, derisa LDK do të mbetet në vendin e tretë”, deklaron Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Rreziku buxhetor dhe financiar
Por ndryshe nga Mehmeti mendon njohësi i proceseve zgjedhore, analisti Blerim Burjani. Ai thotë se gara e nivelit qendror asnjëherë nuk është bartur në nivelin lokal.

“Nuk e besoj që do të ketë ndonjë fushatë të egër nga partitë në zgjedhjet lokale, pra ambienti apo klima në nivelin qendror nuk bartet asnjëherë atje. Zgjedhjet lokale janë më shumë relaksuese, më të qarta, sepse zgjedhin partitë që t’i udhëheqin”, thekson Burjani.
Ai paralajmëron rrezik buxhetor për zgjedhjet nacionale, në rast se nuk formohen institucionet e reja.
“Në kuptim buxhetor-financiar, pa Kuvend, pa aprovim të buxhetit, bie në rrezik funksionimi normal edhe i pushtetit lokal. Ka shumë komuna që kanë borxhe nga kontratat kolektive dhe kanë humbur miliona për shkak të mosrespektimit të kontratës kolektive. Pastaj, nëse nuk aprovohet buxheti apo rishikimi, s’mund të ketë fare buxhet, ndërkohë që ky rishikim gjithmonë ndodh në qershor”, përfundon analisti Blerim Burjani.