Emisari evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se janë në proces përgatitor për një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo deklaratë erdhi pas takimit të zhvilluar më 10 qershor në Bruksel, ku Sorensen u takua me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Sipas Sorensen, në këtë takim u diskutua për një sërë çështjesh që lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme dhe avancimin e dialogut, me synim konkretizimin e hapave drejt një marrëveshjeje të plotë për normalizim.
“Organizova një takim të gjatë të Kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Folëm rreth avancimit të normalizimit të marrëdhënieve të tyre në përgatitje të një takimi të Dialogut të nivelit të lartë, detyrimeve të zbatimit në pritje dhe çështjeve aktuale. Ramë dakord që diskutimi të vazhdojë së shpejti”, ka thënë Sorensen.
Kurse, Besnik Bislimi ka thënë se Sorensen ka vizion të qartë se si të ecet përpara në këtë çështje.
Pas rundit të dialogut në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ndërmjetësi i ri i dialogut, Sorensen, ka një vizion të qartë se si të ecet përpara në takimet e radhës.
“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shume një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, tha ai.
Rugova: Është detyrë e emisarit Sorensen të bëjë përpjekje për rifillimin e dialogut
Njohësi i politikës, Naser Rugova, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se emisari i BE-së, Peter Sorensen, po bën përpjekje për rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi, në një kohë kur BE-ja e ka të qartë mungesën e efektivitetit në katër vitet e fundit.
Ai thotë se Sorensen po shihet si më i angazhuar dhe neutral krahasuar me paraardhësin e tij.
Sipas tij, çështjet më të ndjeshme mbeten Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe personat e pagjetur, për të cilat ka pak gjasa të ketë përparim të afërt.
“Është detyrë e emisarit Sorensen që pas takimeve zyrtare me të dy kryenegociatorët të bëjë përpjekje për rifillimin e dialogut. BE-ja tani e ka të qartë se nuk ka qenë efikase në pothuajse katër vitet e fundit në raport me këtë proces. Sorensen duket më i angazhuar, më këmbëngulës dhe më neutral sa i takon dialogut, për dallim nga paraardhësi i tij.
Duke pasur parasysh edhe vakumin institucional dhe një qeveri në detyrë në Kosovë, nuk pres ndonjë rezultat konkret në këtë fazë. Çështje aktuale vazhdon të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe personat e pagjetur. Jam skeptik që në një periudhë të afërt do të ketë rezultate për këto dy çështje – ndër më sensitivet nga dhjetë pikat e marrëveshjes”, thotë Rugova.

Mehmeti: Vetëm SHBA-ja mund ta përmbyllë këtë kapitull me një marrëveshje historike
Edhe analisti Faton Mehmeti, thotë se takimi i fundit në Bruksel nuk solli asgjë të re krahasuar me takimet e mëhershme që nga viti 2011.
Ai thekson se, pavarësisht përpjekjeve të Peter Sorensen, dialogu po stagnon dhe BE-ja vazhdon të dëshmohet si e pafuqishme për ta përmbyllur këtë proces.
Tutje thotë se Kosova po humb kohë me takime pa rezultat, ndërsa vetëm SHBA shihet si faktor real që mund të sjellë një marrëveshje përfundimtare. BE-ja, si ndërmjetës, është një dështim i vazhdueshëm.

“Nuk ka asgjë të re nga ky takim krahasuar me takimet e mëhershme. Që nga viti 2011 në Bruksel realizohen takime të tilla, herë në nivel më të ulët e herë në atë të lartë, por rezultatet mbeten të njëjta. Nuk ka ndryshim të kursit dhe as ecje përpara. Në këtë kuptim, Kosova vetëm sa po humb kohën me këso takime pa dobi.
Pavarësisht dëshirës së mirë të z. Sorensen, nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim nën mentorimin e BE-së. E kemi thënë disa herë dhe prapë e përsërisim: BE-ja ka dështuar në ndërmjetësim – paaftësia e saj është dëshmuar disa herë, prandaj situata mbetet e njëjtë.
Vetëm SHBA-ja mund ta përmbyllë këtë kapitull me një marrëveshje historike. Edhe 100 vjet të tjera, BE-ja nuk ka as aftësinë dhe as kapacitetin për të realizuar një marrëveshje të tillë. Takimet rutinë nuk zgjidhin asgjë, përveçse konfirmojnë atë që kemi thënë shumë herë: BE-ja është dështim në dialogun Kosovë–Serbi” – përfundon ai për “Bota sot”.