Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi nuk është gati ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në Forumin GLOBSEC në Pragë, Vuçiç tha se anëtarësimi i një vendi në Bashkimin Evropian (BE) është një "vendim politik" dhe jo themelor.
“Njerëzit në Evropë shpesh flasin për një rrugë kushtetuese, me struktura të tilla. Por kjo nuk ka ndodhur kurrë”, tha Vuçiç, duke theksuar se për Serbinë pengesa kryesore në këtë rrugë mbetet mosgatishmëria e saj për të njohur pavarësinë e Kosovës.
E në lidhje me këtë deklaratë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.
Kur thotë se “nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës” ai nuk përmend si heret e tjera fjalën “kurrë”

Ai thotë se Vuçiq po përpiqet të anëtarësojë Serbinë në BE pa e njohur Kosovën, duke e parë këtë si një vendim politik dhe jo çështje merite.
Gjithashtu profesori shton që Vuçiq po sinjalizon një distancim nga Rusia për të fituar mbështetje nga BE. Deklarata e tij për mosnjohjen e Kosovës është më e butë se më parë, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshim në të ardhmen.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vazhdon të njëjtën lojë politike të mashtrimit, si edhe në dhjetë vitet e shkuara. Por deklarata e tij duket se ka të bëjë me një lloj spekullimi tjetër. Duke thënë se “anëtarësimi i një shteti në Bashkimin Europian (BE) është “vendim politik” dhe jo çeshtje merite, ai beson se duke qenë një “vendim politik”, ka mundësi që Serbia të përfitojë nga kjo qasje e Brukselit. Dhe kur thotë sse “nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës”! Kjo do të thotë se ai do të provojë të arrijë integrimin e vendit të tij në Bashkimin Europian edhe pa e njohur Kosovën, meqë ky intregim na qenka “vendim politik”! Kjo do të thotë se Vuçiq ka në plan të deklarohet kundër Rusisë dhe agresionit të saj në Ukrainë, me qëllim që të përfitojë politikisht për t’u pranuar në BE.
Megjithatë duhet vënë re një lloj klauzole në deklaratën që Aleksandër Vuçiq ka bërë në Forumin e GLOBSEC në Pragë sa i përket mosnjohjes së Republikës së Kosovës. Kur thotë se “nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës” ai nuk përmend si heret e tjera fjalën “kurrë”, ose “sa të jem unë president”! Dmth e kufizon deklaratën për këtë moment, për këtë kohë. Si e tillë deklarata nuk është e ashpër, e rreptë dhe e përforcuar me agresivitet. Tani kjo që po them është relative, sepse Vuçiq edhe mundet të ketë ndonjë presion të madh këto kohë dhe përpiqet të fitojë kohë me këtë deklaratë”, u shpreh ai.
Vuçiq është vënë në pozitë të vështirë
Duke vazhduar bisedën profesori thekson se njohja e Kosovës nga Serbia është kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e saj në BE, pasi nuk mund të pranohet një shtet që destabilizon rajonin.
Ai thotë që Vuçiq po ndodhet nën presion, sepse vendet e tjera të Ballkanit po ecin përpara me integrimin, veçanërisht Shqipëria dhe Kosova. Për këtë arsye, autori është i bindur se Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën për të mos mbetur jashtë Bashkimit Europian.
“Megjithatë jam i bindur se njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe pranimi i saj në Bashkimin Europian janë simbiozë me njëra-tjetrën. Pra nuk mund të ndahen dhe nuk do të ndahen nga njëra-tjetra. Serbia do të jetë e detyruar ta njëhë Republikën e Kosovës si shtet sovran e të pavarur para se të bëhet anëtare e BE-së. Sepse nuk mund të ndodhë që Brukseli të bëjë pjesë të këtij unioni shtete që provokojnë dhe sulmojnë fqinjët e tyre. Serbia ka dhënë prova se është e gatshme ta destabilizojë rajonin e Ballkanit, duke provokuar luftë dhe konflikte me aksione terroristësh në Kosovë. A mund të ndodh kjo në një Europë të Bashkuar?! Krejt e pamundur. Prandaj dhe deklarata e Vuçiq ka efekt të përkohshëm.
Por ajo që ve re në deklaratën e tij, ka të bëjë me faktin se Serbia po vihet në garë. Ka vite që kam shkruar dhe kam thënë se rruga më e mirë për ta tërheq Serbinë drejt Perendimit është pranimi i të gjitha vendeve të tjera, përfshirë edhe Kosovën në NATO dhe në BE. Tani që integrimi i Ballkanit Perendimor ka marrë rrugë, Vuçiq është vënë në pozitë të vështirë. Ai ose duhet ta refuzojë ofertën e integrimit e të mos njohë Kosovën, ose duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës e të integrohet në Bashkimin Europian. Nuk besoj se do të ndodhë varianti i parë, që Serbia të heqë dorë nga integrimi. Prandaj dhe njohjen e Kosovës nga ana e saj e konsideroj të padiskutueshme. Serbët janë shumë xhelozë nga përparimi i shteteve të tjera në rajon, e sidomos i shqiptarëve. Fakti që Shqipëria po hap një nga një grup-kapitujt për integrimin në BE e ka shtuar xhelozinë e Beogradit. Ndërsa ata janë të bllokuar në diskutimet e mëtejshme të grup-kapitujve, Shqipëria nuk do të bllokohet, sepse vendi ynë nuk ka pasur që nga viti 1992 e këtej probleme kufitare serioze me fqinjët. Ndërkohë Serbia ka jo pak probleme të tilla”, shton ai.
Frika e Serbisë
Në bashkëbisedim e sipër profesori potencon se Serbia ndjen frikë dhe presion nga përparimi i Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt BE-së, prandaj po tregon një qëndrim më të moderuar.
Ai beson se dialogu me Kosovën do të jetë formal, sepse Serbia është e detyruar të pranojë njohjen e Kosovës për të mos mbetur jashtë integrimit. Sipas tij, Serbia do të heqë dorë edhe nga asociacioni dhe pretendimet kushtetuese mbi Kosovën në këmbim të anëtarësimit në BE.
“Edhe deklarata e Vuçiq për gatishmërinë e Malit të Zi për ta përkrahur pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës ishte e moderuar, jo agresive, jo intimiduese. Që do të thotë se atij dhe qeverisë së Beogradit i ka hyrë frika në palcë se Shqipëria e Mali i Zi mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian përpara Serbisë. Gara midis shteteve, sidomos në rajonin tonë të ngarkuar me histori grindjesh, konfliktesh, lufte e masakrash, është e egër. Gara për integrimin po ashtu është e tillë. Në fund të fundit edhe zhvillimi i shteteve dhe kombeve është çeshtje konkurence. Këtë e tregon fakti se Serbia nuk duron të konkurohet nga të tjerët.
Për këto arsye besoj shumë se dialogu do të jetë thjesht një proces formal. Dhe nisur nga ato që thashë më lart, është mirë që Kosova këtë dialog mos ta kundërshtojë, mos ta bojkotojë, por në zgjidhjen e çeshtjeve të mos lëshojë. Serbia në këmbim të integrimit të saj në BE do të heq dorë edhe nga asosacioni, së paku i asaj natyre çfarë pati propozuar Borrell e Lajçak. Dhe do të pajtohet detyrimisht me njohjen e shtetit të Kosovës bazuar në kushtetutën e kësaj republike. Duke heq dorë vetë nga neni kushtetues serb mbi sovranitetin në Kosovë”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.