Ish-ministri dhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, prof. dr. Sylë Ukshini, për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, e cila tregon se çështja e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore Kosovë-Serbi mund të rikthehet në agjendën e politikës së jashtme amerikane.
Ukshini vlerësoi se përmendja e Kosovës nga ana e Trump-it nuk është e rastësishme, por përbën një sinjal të qartë se çështja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi mund të zërë sërish vend në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së, pas rikthimit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Ai theksoi se gjatë mandatit të parë presidencial, Trump-i kishte një rol të rëndësishëm, si në transformimin e TMK-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ashtu edhe në procesin që çoi në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Izraeli.
“Qasja e Trump-it ndaj Kosovës vjen në një moment kur dialogu me Serbinë është në stagnim të plotë – për shkak të mungesës së seriozitetit nga ana e Bashkimit Evropian dhe për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të ecur drejt normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës,” theksoi Ukshini.

Sipas tij, retorika dhe sjellja e Serbisë ndaj Kosovës janë alarmante, duke ngjarë me qëndrimin e Iranit dhe organizatave ekstremiste islamike ndaj Izraelit.
“Nëse në Lindjen e Mesme faktori destabilizues është Irani dhe lidershipi i tij, në Ballkan një rol të tillë e luan Serbia me lidershipin aktual që ende bart trashëgiminë politike të regjimit të Millosheviqit,” u shpreh Ukshini.
Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump foli për tensionet mes Izraelit dhe Iranit, por gjithashtu rikujtoi edhe zhvillimet në Ballkan. Ai theksoi se gjatë mandatit të tij të parë kishte arritur të ndalonte një përshkallëzim të rrezikshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin me forcë, ashtu siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË,” shkroi Trump.