Zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 pritet të jenë një nga ngjarjet politike më të rëndësishme të vitit në Kosovë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tashmë e ka bërë të ditur zyrtarisht datën e mbajtjes së tyre, duke i hapur rrugë një fushate që pritet të jetë dinamike dhe e mbushur me sfida për të gjitha subjektet politike.
Në këtë kuadër, partitë politike kanë nisur të publikojnë emrat e kandidatëve për kryetarë komunash në gjithë vendin, duke shënuar fillimin e një gare intensive për qeverisjen lokale.
Ndër komunat që tërheqin më së shumti vëmendje është Prishtina – kryeqyteti i vendit, ku beteja politike gjithmonë ka pasur një peshë të veçantë.
Deri më tani, Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar kandidaturën e Përparim Ramës për një mandat të dytë, ndërsa në skenë është paraqitur edhe emri i Besa Shahinit, e cila shihet si një emër me potencial për të sfiduar rendin aktual.
Megjithatë, partitë e tjera ende nuk i kanë zbuluar kandidatët e tyre, duke lënë hapësirë për spekulime dhe analiza të shumta mbi zhvillimet e ardhshme.
E në lidhje me garën në kryeqytet kanë folur analistët politikë.
Sadiku: Fituesi i zgjedhjeve komunale në kryeqytet pritet të përcaktohet në balotazh
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Arbnor Sadiku.

Analisti thekson pasigurinë për kandidaturat e LVV dhe PDK, duke sugjeruar se fituesi i zgjedhjeve komunale në Prishtinë mund të përcaktohet në balotazh.
Ai gjithashtu thekson rëndësinë e përbërjes së Asamblesë Komunale, e cila do të ndikojë në funksionimin e qeverisjes lokale.
“Nuk dihet ende, pasi as Lëvizja Vetëvendosje dhe as Partia Demokratike e Kosovës nuk i kanë bërë publike kandidaturat për Prishtinën. Megjithatë, siç po duket, fituesi i zgjedhjeve komunale në kryeqytet pritet të përcaktohet në balotazh. Përveç garës për kryetar, shumë e rëndësishme do të jetë edhe gara për përbërjen e Asamblesë Komunale”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thekson që nëse kryetari i ri nuk siguron mbështetje të mjaftueshme nga asambleistët, opozita, veçanërisht nëse përbëhet nga partitë e mëdha, mund të pengojë funksionimin e qeverisjes lokale.
“Nëse kryetari i ri nuk arrin të sigurojë mbështetjen e të paktën 19 ose 20 asamblistëve, qeverisja do të jetë sfiduese, pasi opozita mund ta pengojë funksionimin normal të komunës – sidomos nëse përbëhet nga partitë e mëdha”, foli Sadiku për “Bota sot”.
Zogaj: Mungesa e qeverisjes së plotë dhe pasiguria për zgjedhje cilësore
Ndërsa publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, argumenton se, pavarësisht caktimit të datës për zgjedhjet lokale, mungesa e një qeverisjeje të fuqishme dhe të plotë në Kosovë do të bëjë që këto zgjedhje të jenë të pasuksesshme dhe pa efekte pozitive.
Ai po ashtu, ai paralajmëron se mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe qendrore në të njëjtën kohë mund të çojë në përkeqësim të krizës politike dhe forcimin e tensioneve mes niveleve të ndryshme të pushtetit.

“Presidentja Vjosa Osmani zyrtarisht e ka caktuar 12 tetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë por, në situatën që ndodhet legjislacioni dhe pushteti, edhe zgjedhjet lokale nuk do të sjellin asgjë të re dhe as të dobishme, sepse, në mungesë të qeverisjes të plotfuqishme, nuk mund të ketë assesi zgjedhje cilësore!
Kjo po shihet qartë nga veprimtaritë nëpër komuna, ku, diktatet partiake nga qendra, janë shumë kalkulative, duke e cënuar interesin e pushtetit lokal, për interesat e qeverisjes qendrore, sepse, sipas të gjitha gjasëve, do të kemi zgjedhje dypalëshe: lokale dhe qendrore! Kjo pritet të ndodh, dhe nëse ndosh, do të kemi vazhdim krize, zgjerim dhe forcim në të dy nivelet”, thekson publicisti.
Në fund, Zogaj thotë që publicisti vlerëson kandidaturën e Përparim Ramës për Prishtinën, duke theksuar se, edhe pse nuk ka realizuar të gjitha premtimet, ai ka krijuar imazhin e një kryetari me vizion.
Suksesi i tij varet nga fitorja e Lumir Abdixhikut dhe angazhimi i partive të tjera, pasi fituesi i Prishtinës mund të ndikojë në zgjedhjet qendrore.
“Sa i përket kandidaturave nëpër komuna, të gjitha subjektet politike janë në hall, sepse, aspirata për të pasur sa më shumë vota për deputetët e Kuvendit, po bien pre e llogarive spekulative të kandidaturave për kryetar komunash.
Sa i përket kandidaturës së LDK-s për Prishtinën, mendoj se është e mirë, sepse, Përparim Rama, ndonëse nuk i ka realizuar premtimet, ka lënë vend të aludohet se, është kryetar me vizion dhe, një mandat i dytë pas përvojës nga mandati i parë, padyshim që do të ishte i dobishëm për Prishtinën! Por, suksesi i Ramës është i kushtëzuar nga suksesi i Lumir Abdixhikut, dhe gjithsesi edhe nga kandidaturat e partive tjera, që, mesiguri se do të angazhohen maksimalisht për jandidatura sa më dinjitore, sepse, fituesi i Prishtinës, do të jetë edhe fitues në zgjedhjet qendrore”, përfundoi publicisti Zogaj për “Bota sot”.