‘Sinjale pozitive’/ Analisti flet për ndikimin e Trump në dialogun: Mund të finalizohet, por vetëm nëse Kosova…!

Politika

‘Sinjale pozitive’/ Analisti flet për ndikimin e Trump në dialogun: Mund të finalizohet, por vetëm nëse Kosova…!

Nga: M.Haziri Më: 23 qershor 2025 Në ora: 22:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Rikthimi i mundshëm i Donald Trump në presidencën e Shteteve të Bashkuara po ngjall diskutime të gjera mbi drejtimin që do të marrë politika e jashtme amerikane.

Charles Kupchan, ekspert i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, ka theksuar se një nga prioritetet e mundshme të administratës Trump mund të jetë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo perspektivë ka ngritur shqetësime dhe pritshmëri për mënyrën se si një qasje më transaksionare dhe e shpejtë mund të ndikojë në një proces kompleks që kërkon kujdes të veçantë diplomatik.

Mirëpo a mund të sjellë Trump finalizim të dialogut Kosovë-Serbi?

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Eduard Gashi.

Image
Eduard Gashi

Ai argumenton se me rikthimin e Trump si president, SHBA-të pritet të ndryshojnë ndjeshëm qasjen ndaj politikës së jashtme, duke e kthyer çështjen Kosovë–Serbi në një përparësi për të treguar efikasitet.

Ai thekson se përvoja e mëparshme tregon se Trump mund të përdorë presion dhe incentiva për të shtyrë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

“Tani që Donald Trump është rikthyer si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është e qartë se qasja amerikane ndaj politikës së jashtme do të ndryshojë thelbësisht – dhe kjo do të reflektohet drejtpërdrejt edhe në Ballkan. Trump është i njohur për një stil transaksionar, ku marrëveshjet shihen si mjete për rezultate të shpejta, konkrete dhe të matshme. Kjo logjikë mund të shndërrojë çështjen Kosovë–Serbi në një ndër prioritetet e tij diplomatike, për të dëshmuar “efikasitetin” e presidencës së tij që në fillim.

Përvoja e mëparshme e administratës Trump, nëpërmjet të dërguarit Richard Grenell, dëshmoi një përpjekje për të çuar përpara një marrëveshje përmes incentivave ekonomike dhe presionit të koordinuar politik. Tani, me më shumë autoritet dhe përvojë në arenën ndërkombëtare, Trump ka të gjitha mundësitë që ta shtyjë dialogun drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, u shpreh ai.

Analisti paralajmëron se administrata Trump mund të kërkojë një marrëveshje të shpejtë që nuk garanton drejtësi apo qëndrueshmëri, duke e vënë Kosovën përballë kompromiseve të rrezikshme.

Ai thekson se Kosova duhet të përgatitet me një qëndrim të unifikuar dhe strategjik për të mbrojtur interesat e saj thelbësore në procesin e dialogut.

“Por pyetja kyçe mbetet: çfarë lloj marrëveshjeje? Rreziku qëndron në faktin se administrata Trump mund të synojë një zgjidhje të shpejtë, jo domosdoshmërisht të drejtë apo të qëndrueshme. Ka gjasa që Kosova të vihet përballë presioneve për “kompromise të dhimbshme”, në funksion të një marrëveshjeje që do të prezantohej si sukses diplomatik amerikan, pa u thelluar mjaftueshëm në historinë, të drejtën ndërkombëtare dhe ndjeshmëritë lokale.

Prandaj, Kosova duhet të jetë e përgatitur. Përkrahja amerikane mbetet vendimtare, por lidershipi kosovar duhet të jetë strategjik, i unifikuar dhe i qartë në kërkesat thelbësore: njohje reciproke, sovranitet i pacenueshëm dhe integrim të plotë euroatlantik.”, shpjegon analisti.

Në fund ai thekson se suksesi i dialogut nën udhëheqjen e Trump varet nga qëndrueshmëria e Kosovës në parimet e saj dhe sigurimi i garancive ndërkombëtare, përndryshe pasojat mund të jenë të rrezikshme.

“Dialogu mund të finalizohet nën udhëheqjen e Trump, por vetëm nëse Kosova mban vijat e saj të kuqe dhe siguron garanci të forta ndërkombëtare. Përndryshe, një zgjidhje e shpejtë mund të krijojë më shumë probleme se sa zgjidh”, përfundoi analisti Gashi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat