Lëvizja e papritur e Donald Trump: Si do të ndikojë konflikti Izrael-Iran në Ballkan?

Politika

Lëvizja e papritur e Donald Trump: Si do të ndikojë konflikti Izrael-Iran në Ballkan?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 qershor 2025 Në ora: 09:47
Donald Trump dhe Albin Kurti

Të gjithë sytë janë kthyer në Lindjen e Mesme, atje ku Izraeli dhe Irani kanë filluar një “luftë në distancë” mes vete.

E së fundi në këtë konflikt, u përfshinë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ditë së djeshme, SHBA-ja njoftoi se ka sulmuar tre impiante bërthamore të Iranit.

Objektet bërthamore Fordo, Natanz dhe Isfahan janë “shkatërruar plotësisht” sipas presidentit amerikan, Donald Trump.

Ushtria amerikane ka përdorur 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, GBU-57, dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë luftarakë gjatë operacionit.

E kjo lëvizje e presidentit Trump u komentua shumë, majde disa i zuri edhe në befasi.

Pas shpërthimit të këtij konflikti priten edhe ndryshime gjeopolitike dhe gjeostrategjike, të cilat do ndikojnë në shumë shtete.

Mirëpo, ende nuk dihet se si mund të reflektohet kjo situatë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

E për implikimet që pritet të kenë këto zhvillime në rajoni tonë, folën njohësit e çështjeve politike e ndërkombëtare.

Azemi: Mësimet që morëm nga aksioni i SHBA-së mbi qiellin e Iranit

E në lidhje me përfshirjen e SHBA-së në konfliktin Iran-Izrael dhe ndikimin në rajon e Ballkanit foli publicisti Emin Azemi.

Image
Emin Azemi

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tregoi se çka mësuam nga bombardimi amerikan mbi Iranin, e ku pika e parë tha se Trump tregoi se është i paparashikueshëm dhe i dha një kahje krejt tjetër këtij konflikti.

“Çka mësuam nga aksioni i fundit i bombarduesve amerikan mbi qiellin e Iranit, që si cak kishin tre objekte bërthamore iraniane:

E para, zhurma e analistëve të vetëshpallur që bënin garë se kush më parë do të shpalos ekskluzivitete përkitazi me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, konkretisht konflikti Izrael -Iran, u tregua se i ngjan një shkume të madhe që në shikim të parë të duket si një objekt amorf, por posa ta prekësh shfryhet dhe përfundon në disa stërpika uji... Kjo, për faktin se të gjithë ata që pretendonin se e njihnin natyrën e këtyre zhvillimeve, dolën se jo vetëm që nuk njihni asgjë, por edhe ato pak parashikime që i bënë dolën krejt huq…. Dhe luksin e parashikimeve kuturu e prishi dje para mëngjesit Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili i dha një kahje krejt tjetër zhvillimeve, duke e futur rajonin e Lindjes së Mesme dhe gjithë globin në një algoritëm krejt të ri sfidash e të papriturash…”, deklaroi ai.

Po ashtu, Azemi theksoi edhe mësimin e dytë që nxorëm nga kjo lëvizje e Trump, e që kishte të bënte me mediat.

“E dyta, mediat botërore (përveç pak disave) u treguan se ka kohë që e kanë braktisur rrugën e profesionalizmit, në këmbim të një gazetarie senzacionesh të trikagjinjve që më të interesuar janë ta shpërndajnë 10 milion herë një lajm të rrejshëm, se sa të bëjnë një desk lajmesh me saktësinë burimore dhe frymë objektive”.

Tutje, publicisti përmendi edhe shqiptarët që mbështesin Iranin për bindje fetare, e që janë të shkëputur sipas tij nga vrazhdësia e së vërtetës.

Madje, ritheksoi lidhjet e Iran me regjimin e Millosheviqit dhe Serbinë si shtet.

“E treta, gjithë ata shqiptarë që kanë njëfarë sensi mirëkuptimi ndaj Iranit, për shkaqe krejt fetare dhe aspak racionale, ka kohë që janë shkëputur nga vrazhdësia e një të vërtete që na vjen në mendje si një topth i zjarrtë që burimin e kishte te solidariteti i Iranit me regjimin e Millosheviqit dhe për pasojë me gjithçka që ai ndërmerrte në Kosovë në vitet tetëdhjetë e nëntëdhjetë. Pasojat e këtij solidariteti të Iranit mysliman me Serbinë ortodokse do të kishin qenë edhe më shkatërrimtare nëse nuk do të ndërhynte Amerika dhe NATO që si finale kishte asgjësimin e makinës vrastare të Milloshviqit. Pikëtakimet e shqiptarëve me aleatët, duhet të jenë valvula që i japin frymëmarrjes sonë më tepër ajër të pastër, dhe aspak pluhur që na e errëson shikimin përpara. Të dallosh ajrin nga pluhuri, është një çështje që kërkon njëkohësisht ndarjen e emocioneve nga pragmatizmi dhe bashkimin e interesave rreth kauzave kombëtare e shtetërore”.

Ndër të tjera, tha se këto sulme duhet të na bëjnë të reflektojmë si kombi mbi vlerat shoqërore dhe civilizuese.

“Të dallosh, në njërën anë, raketat iraniane që i dhuroheshin Serbisë për të goditur fshatrat e Kosovës dhe, në anën tjetër, bombarduesit amerikan B-2 që target kishin segmentet ushtarake e infrastrukturore serbe (1999), nuk është thjeshtë çështje e njohurive elementare nga lënda e dikurshme e Paraushtarakut, por është çështje që na bën si komb të reflektojmë mbi ato vlera përcaktuese civilizuese që e determinojnë zhvillimin  dhe progresin tonë si shoqëri, si kulturë dhe si shtet”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Shabani: Pozicionimi i shteteve të Ballkanit krah SHBA-së

Kurse, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani në prononcimin e tij për “Bota sot” komentoi pozicionimin e shteteve të Ballkanit krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image
Amir Shabani

Ai kishte rezervat e tij për këtë sulm të SHBA-së, derisa përmendi mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit.

“Ndonëse shtetet e vogla që kanë për aleat SHBA-të, siç janë edhe ato të Ballkanit Perëndimor dhe se disa deklarata zyrtare kanë shprehur pozicionimin e tyre krah SHBA-së sa i përket sulmit të fundit në Iran, ky veprim në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderohet i gabueshëm dhe është një hap drejt përshkallëzimit të luftës.

SHBA-të si vendi që zotohen për paqe bërje në rajone me konflikte të ndryshme, këtë periudhë, për mendimin tim po dështojnë në udhëheqjen e politikës së jashtme, sepse në vend që të intervenohet në mënyrë diplomatike dhe t'i ulin tensionet e konfliktit, ajo ka nxitur edhe më shumë konflikt me sulmin e fundit”, u shpreh njohësi.

Krahas kësaj, ai foli edhe për ndikimin e këtyre zhvillimeve dhe ndryshimeve gjeopolitike në shtetet e Ballkanit.

“Sa u përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjendja e tillë e cila ka shkaktuar turbulenca gjeopolitike, u lejon të marrin "frymë" lirshëm disa prej vendeve në rajon, një prej tyre Serbia, e cila veprim e SHBA-së e sheh të gabueshëm dhe të papërshtatshëm për mbrojtjen e aleatëve të saj, siç është edhe Kosova.

Zyrtarë të rajonit kanë dhënë deklarata përkrahëse për sulmin e SHBA-së sepse një gjë e tillë edhe ju imponohet, por asgjë më shumë nuk mund të lëvizin këto deklarata, sepse jemi vende pa ndikim ndërkombëtar dhe akoma me probleme kufijsh”

Ndryshe, mbrëmë (e hënë) pak pas orës 23:00 me kohën BST, Donald Trump njoftoi se Irani dhe Izraeli kishin rënë dakord për një armëpushim.

Në orën 06:08 BST, Trump shpalli zyrtarisht se armëpushimi kishte hyrë në fuqi.

Rreth orës 07:10 BST, Izraeli deklaroi se kishte pranuar propozimin amerikan për armëpushim.

Irani deklaroi se do të ndalonte sulmet nëse edhe Izraeli do të bënte të njëjtën gjë mbrëmjen e kaluar.

Përpara se armëpushimi të hynte në fuqi, të dy vendet shkëmbyen zjarr të rëndë gjatë gjithë natës.

Ende nuk dihet sa persona janë vrarë apo plagosur në Iran, por sipas reporterit tonë, Teherani ka përjetuar njërën nga netët më të këqija.

Izraeli thotë se të paktën katër persona kanë vdekur dhe 22 janë plagosur në qytetin jugor të Beershebës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat