36 dështime në Kuvend/ A do ta “përmbysin” zgjedhjet lokale radhitjen e fuqisë elektorale të partive?

Politika

36 dështime në Kuvend/ A do ta “përmbysin” zgjedhjet lokale radhitjen e fuqisë elektorale të partive?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 qershor 2025 Në ora: 14:14
Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

Të hënën, për herë të tridhjetë e gjashtë, ka dështuar përsëri përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërsa partitë politike vazhdojnë të zvarrisin krijimin e institucioneve qeverisëse, qytetarët po përballen me sfida ekonomike.

 Në këtë klimë të tensionuar, zgjedhjet lokale po afrohen dhe partitë tashmë kanë filluar t’i prezantojnë kandidatët e tyre për kryetarë komunash.

Më 12 tetor pritet të mbahen zgjedhjet lokale, ndërsa kriza institucionale ende mbetet e pazgjidhur dhe nuk dihet se kur do të përfundojë.

Disa nga partitë politike, përfshirë këtu edhe partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por deri më tani nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

Kjo sjell një pyetje thelbësore: A po i shohin partitë politike zgjedhjet lokale si një lloj barometri për të matur mbështetjen e tyre në elektorat?

 Ndoshta, duke pritur të shohin se ku qëndrojnë me vota në nivel lokal, ato hezitojnë të rrezikojnë me zgjedhje të jashtëzakonshme në nivel qendror.

Zgjedhjet lokale, Qarri: Barometër për partitë përpara çdo vendimi tjetër

Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”,  ka theksuar se zgjedhjet e reja parlamentare në tetor, bashkë me ato lokale, janë zgjidhja e vetme për të dalë nga bllokada.

Ai ka shtuar se nëse edhe Gjykata Kushtetuese jep përgjigje negative për votimin e fshehtë, atëherë zgjedhjet e parakohshme do të jenë të pashmangshme.

Image
Gani Qarri

“Duke qenë se 35-36 tentime ikën kot dhe nuk sollën asnjë rezultat për zgjidhjen e ngërçit, shkaku i mos-votimit të opozitës, për konstituimin  e Kuvendit, duke lënë vendin edhe pa Qeveri legjitime dhe rrezikuar edhe humbjen e mbi 883 milion eurove ndihma të BE-së për popullin dhe shtetin e Kosovës, derisa kriza e krijuar institucionale ende as nuk dihet se kur dhe si do të përfundojë, përditë e më tepër po bëhet më e qartë, se veprimi i vetëm, për dalje nga kjo krizë e çuditshme spirale, është shkuarja në zgjedhjet e reja, në tetor kur mbahen edhe zgjedhjet lokale.

Shto gjithë kësaj faktin se Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk ka kthyer asnjë përgjigje, e nëse edhe përgjigja e saj do të jetë negative, lidhur me votimin e fshehtë, përgjigja negative nga Kushtetuesja, nuk do të linte shumë hapësirë për veprime tjera, përveç zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si mundësi për të thyer bllokadën institucionale në Kosovë, gjë që tanimë disa parti politike – përfshirë këtu edhe partinë fituese të 9 shkurtit, kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, megjithëse për momentin ende nuk ka ndonjë veprim për një akt të tillë”, ka theksuar ai.

Qarri shprehet se fushata do të karakterizohet nga retorikë më e butë dhe balancuar, duke ndihmuar në reflektimin e partive dhe afrimin ndërmjet tyre.

Ai ka shtuar se zgjedhjet mund të sjellin ndryshime në skenën politike, përfshirë rënien e ndonjë partie nën pragun zgjedhor, çka mund të zbusë tensionet në Kuvend dhe të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit politik.

“Dhe përkundër asaj që ka disa njerëz të cilët mendojnë se edhe zgjedhjet e reja nuk do të sillnin ndonjë ndryshim të theksuar në raportin e forcave politike, besojë se nëse përsëriten zgjedhjet, në fushatë kësaj radhe do të shohim një fjalorë më të balancuar dhe zbutje të retorikës parazgjedhore, metodë që do të ndihmonte për reflektim edhe nga partitë politike dhe krijonte mundësi për një afrim të raporteve ndërmjet segmenteve parlamentare.

Pastaj zgjedhjet e reja, medoemos do të sjellin edhe ndonjë ndryshim, sado kozmetik qoftë, të skenës politike, e ndonjëra nga partitë minore edhe të bie nën pragun zgjedhor, gjë që do ta ndryshonte sadopak atmosferën kontaminuese të sjelljeve e të veprimeve të ashpërsuara të deputetëve dhe qëndrimet e partive në Kuvend, si dhe gjendjen aktuale politike, e cila mund të qonte te zgjidhja e ngërçit mbi 4 mujor politik në Kosovë”, ka vlerësuar Qarri.

Qarri thekson se disa parti po presin rezultatet e zgjedhjeve lokale për të vlerësuar mbështetjen e tyre, nga frika se mund të dëmtohen edhe më shumë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

 Ai ka paralajmëruar se në mungesë të vullnetit për konsensus politik, zgjedhjet e reja mbeten e vetmja zgjidhje për të dalë nga kriza politike dhe për të konstituuar Kuvendin.

“Kështu që megjithëse ende nuk është ndërmarrë asnjë vendim për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, ngase disa parti duan së pari të jenë në dijeni me rezultatet e zgjedhjeve lokale, si barometër për të parë se ku qëndrojnë me vota, në mënyrë që të mos rrezikojnë që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të bien edhe më poshtë, e ndonjëra si AAK edhe të pensionohet tërësisht nga politika parlamentare, në gjendjen në të cilën deputetët e 9 shkurtit e kanë sjellë Kosovën, nëse vijon të mungojë vullneti për konsensus politik, zgjedhjet e reja mbeten e vetmja rrugëdalje, për daljen nga kriza spirale politike dhe mundësia e konstituimit të Kuvendit”, ka potencuar Qarri.

Qarri thekson se problemi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja qëndron te mungesa e një akti ligjor, pasi paraprakisht duhet të konstituohet Kuvendi.

Tutje, ai ka apeluar që partitë të arrijnë një kompromis, pasi situata aktuale po dëmton shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

“Por problemi qëndron te akti ligjor, se edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, paraprakisht duhet të konstituohet Kuvendi, sepse vetëm Kuvendi i konstituar mund ta sjellë vendimin për shpërndarjen e kësaj legjislature koti dhe të shkohet në zgjedhje të reja, gjë që serish kërkon një marrëveshje kompromisi ndërmjet partive i cili do të çonte në konstituimin e Kuvendit,  dhe më pas shpërndarjen e tij, për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndryshe ligjërisht nuk mund të mbahen as zgjedhjet e reja, sado që përmendet edhe ndonjë alternativë tjetër, por që serish, pa marrëveshje konsensusi ndërmjet partive politike, asgjë dhe për asnjë veprim nuk mund të vendoset, andaj partitë politike, përfundimisht duhet të dakordohen për një veprim, sepse edhe loja e ulët aktuale e partive, në kurriz të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, nuk mund të vazhdohet më tutje!”, ka përfunduar Qarri.

Mehazi: Pa krijimin e parlamentit nuk mund të ketë zgjedhje lokale

Ndërkaq, profesori Sulejman Mehazi, ka deklaruar se pa institucionet qendrore, veçanërisht pa kryetarin e Kuvendit, mbajtja e zgjedhjeve lokale është absurde dhe do të krijonte një situatë ku secili qytet do funksiononte si një “shtet më vete”.

Image
Sulejman Mehazi

“Nëse nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit të Kosovës para se të mbahen Zgjedhjet Lokale në tetor, atëherë është e arsyeshme që tog me Zgjedhjet Lokale të mbahen edhe ato parlamentare. Themi kështu pasi logjika politike nuk lejon që pa institucionet e Kuvendit jo që nuk mund të formohet qeveria e re, por as nuk mund të mbahen zgjedhjet lokale, pa kryetar parlamenti është absurde të mbahen Zgjedhjet Lokale, pa kokat institucioneve kryesore të shtetit nuk mund të ketë Zgjedhje Lokale. Pa kryetar parlamenti Zgjedhjet Lokale në Kosovë marrin kuptimin e shtet-qyteteve, Prishtina shtet më vete, Prizreni shtet më vete, Gjilani shtet më vete, Gjakova shtet me vete, Ferizaj shtet më vete e më tej.

Nuk mundet asambletë lokale të formohen para asaj parlamentare”, ka thënë ai.

Sipas Mehazit, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë të domosdoshme dhe duhet të mbahen së bashku me zgjedhjet lokale në tetor.

“Në këtë rast zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë të pashmangshme tog me zgjedhjet lokale për ndryshe nuk kanë kuptim Zgjedhje Lokale pa institucionet ligjvënëse të Kosovës. Kërkesa e partisë fituese e LVV-së që bashkë me Zgjedhjet Lokale që do mbahen në tetor të mbahen edhe ato parlamentare është e logjikshme dhe e arsyeshme dhe këtë kërkesë të LVV-së duhet të përkrahet edhe nga partitë tjera në Kosovë.

Kosova është shtet parlamentar, pa krijimin e parlamentit nuk mund të ketë Zgjedhje Lokale”, ka deklaruar Mehazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat