Ngjarjet e fundit në komunën e Zveçanit kanë tërhequr vëmendje të madhe publike dhe politike, pas bastisjeve të zhvilluara nga Policia e Kosovës në pronat e politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq.
Ky operacion u bë publik nga Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili në një konferencë për media dha detaje rreth kontrollimeve dhe materialeve të sekuestruara.
Sipas ministrit Sveçla, bastisjet janë kryer në tri prona që i përkasin Arsenijeviqit dhe familjes së tij.
Gjatë këtyre operacioneve, autoritetet kanë zbuluar armë, një jelek antiplumb dhe pajisje të sofistikuara për prodhimin e kriptovalutave.
Këto gjetje ngrenë shqetësime serioze mbi sigurinë, përfshirjen e mundshme në aktivitete të paligjshme, si dhe për përdorimin e resurseve për qëllime që cenojnë rendin dhe ligjin.
Ndër të tjera, Partia e Arsenijeviqit, Demokracia Serbe e pranoi të hënën se armët janë gjetur në tokën ku ndodhet shtëpia e pushimit e liderit të saj, megjithëse ai vet pretendon se ato janë “të kurdisura” nga autoritetet e Kosovës.
Kjo parti nuk dha asnjë dëshmi për ta mbështetur këtë pretendim.
E të gjendur në këtë situatë a kërcënim për sigurinë është gjetja e armëve dhe jelekut antiplumb në pronat e një politikani?
Hoxha: Të shmangen manipulimet e zakonshme mediale nga Serbia dhe strukturat pro-ruse në rajon
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, Hafir Hoxha.
Ai thotë se gjetjet në pronat e Arsenijeviq nuk janë rastësi, por tregues të një rreziku të organizuar.
Sipas tij, prania e armëve dhe jelekut antiplumb sugjeron përgatitje për konfrontim dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme që cenojnë sigurinë dhe rendin në veri të Kosovës.
“Bastisjet e Policisë së Kosovës në tri prona të politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq në komunën e Zveçanit kanë zbuluar një kombinim alarmues: armë, jelek antiplumb, dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave. Këto gjetje nuk janë vetëm çështje penale – ato janë një sinjal i qartë i një kërcënimi të organizuar që shkon përtej individit dhe merr dimensione të sigurisë kombëtare dhe rajonale.
Armët dhe jeleku antiplumb – përgatitje për përplasje?
Në një rajon të brishtë si veriu i Kosovës, ku ende operojnë struktura paralele dhe ndikimi i Beogradit është i theksuar, gjetja e armëve dhe pajisjeve mbrojtëse në duart e një politikani nuk mund të interpretohet si “rast i izoluar”. Përkundrazi, është sinjal i përgatitjes për konfrontim fizik, ndoshta edhe për rezistencë të armatosur ndaj institucioneve të Kosovës.
Prania e një jelekut antiplumb tregon qartësisht se bëhet fjalë për dikë që ose pret dhunë, ose është i gatshëm të përfshihet në të. Kjo nuk është as politikë, as civilizim demokratik. Kjo është një strukturë në hije, që kërkon të mbijetojë jashtë ligjit”, u shpreh ai.
Pajisjet për kriptovaluta – ekonomi në funksion të paligjshmërisë?
Tutje Hoxha thotë se pajisjet për kriptovaluta mund të përdoren për aktivitete ilegale si larja e parave dhe financimi i strukturave që kundërshtojnë shtetin.
Gjithashtu shton se kur këto gjenden te një politikan që shihej si “i moderuar”, ngritet dyshimi se ai është pjesë e një rrjeti më të gjerë që synon destabilizimin e veriut të Kosovës.
“Ndërsa në dukje duken si teknologji e zakonshme, pajisjet për nxjerrjen e kriptovalutave kanë potencial të madh për larje parash, financim të aktiviteteve ilegale dhe shmangie totale të kontrollit shtetëror financiar. Në një zonë si veriu, ku monedha kryesore në përdorim është ende dinari, përdorimi i kriptovalutave është formë e përkryer për të qarkulluar mjete në mënyrë të padukshme, duke i financuar strukturat që nuk njohin Republikën e Kosovës.
Konteksti: Politika dhe struktura paralele
Fakti që të gjitha këto janë gjetur në pronat e një politikani serb lokal, që në të kaluarën është portretizuar si “i moderuar”, e bën rastin edhe më të rëndë. Ai ose është pjesë aktive e një rrjeti të organizuar, ose është instrument i një strukture më të madhe që synon destabilizimin e pjesës veriore të vendit”, shpjegon ai.
Çfarë duhet të ndodhë tani?
Ushtaraku kërkon një hetim të thelluar që të zbulojë rrjetet dhe burimet financiare pas pajisjeve të sekuestruara, përfshirë transaksionet me kriptovaluta.
Ai thekson rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe transparencës me qytetarët për të parandaluar destabilizimin dhe manipulimet mediatike.
“Hetim i thelluar dhe profesional, jo vetëm për posedimin e armëve, por edhe për gjurmimin e rrjeteve të lidhura.
Duhet bërë hetim financiare për të zbuluar burimet e të ardhurave, mënyrën e blerjes së pajisjeve dhe rrjetet e transaksioneve në kriptovaluta.
Me koordinim ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë – veçanërisht EULEX dhe KFOR – për të monitoruar dhe ndaluar ndonjë skenar destabilizues.
Komunikim transparent me qytetarët, që të shmangen manipulimet e zakonshme mediale nga Serbia dhe strukturat pro-ruse në rajon”, foli Hoxha për “Bota sot”.
Softa: Fakti që bëhet fjalë për një person publik ngre dyshime të forta
Në lidhje me këtë temë, po ashtu për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
Eksperti i sigurisë thekson se gjetjet në pronat e një politikani serb përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, pasi mund të lidhen me aktivitete të dhunshme dhe rrjete ilegale.
Ai ngre alarmin për përdorimin e kriptovalutave si mjet për pastrim parash dhe financim të terrorizmit.
Prandaj ai kërkon hetim të thelluar dhe bashkëpunim ndërinstitucional për të zbuluar lidhjet dhe burimet e paligjshme.
“Deklarata e Ministrit të Brendshëm të Kosovës për gjetjen e armëve, jelekut anti plumb dhe pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave në pronat e politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq paraqet një shqetësim serioz për sigurinë kombëtare. Fakti që bëhet fjalë për një person publik ngre dyshime të forta se ai mund të jetë i përfshirë në organizimin e aktiviteteve të dhunshme dhe destabilizuese, në bashkëpunim me grupe paramilitare apo etnike. Kjo kërkon një hetim të thelluar dhe gjithëpërfshirës, për të identifikuar kontaktet e mundshme me grupe brenda dhe jashtë territorit të Kosovës, si dhe lidhjet eventuale me shërbimet e sigurisë serbe.
Përdorimi dhe prodhimi i kriptovalutave në kushte të paligjshme, sidomos në banesa private, ngre dyshime serioze për pastrim parash, financim të mundshëm të aktiviteteve terroriste dhe fshehje të burimeve të të ardhurave. Pajisjet për nxjerrjen e kriptovalutave konsumojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike, prandaj duhet hetuar nëse ka pasur keqpërdorim apo vjedhje të energjisë, gjë që përbën vepër penale më vete”, thekson eksperti.
Në fund, Softa paralajmëron se kriptovalutat mund të përdoren për financim të paligjshëm dhe në një kontekst gjeopolitik të tensionuar, si ai i Ballkanit, Serbia mund të shfrytëzojë këto mjete për qëllime destabilizuese.
Sipas tij, situata kërkon vëmendje të shtuar për shkak të ndikimit rus dhe rrezikut të konflikteve të reja.
“Kriptovalutat përdoren shpesh për aktivitete kriminale, pasi lejojnë qarkullim të mjeteve financiare pa lënë gjurmë, duke mundësuar fshehjen e pasurisë dhe financimin e aktiviteteve të paligjshme.
Në këtë kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, me konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, situata në Ballkan mbetet e brishtë. Serbia, e mbështetur nga Rusia, mund të përpiqet të luajë një rol destabilizues në rajon, duke përdorur territoret e ndjeshme si veriu i Kosovës për të nxitur tensione dhe për të hapur zona të reja konfliktesh”, përfundoi Softa për “Bota sot”.