Testimet e BE-së, sinjal për hapjen e urës së Ibrit?

Politika

Testimet e BE-së, sinjal për hapjen e urës së Ibrit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 qershor 2025 Në ora: 07:58
Ura e Ibrit, Mitrovicë

Ekspertët e Bashkimit Evropian kanë testuar të martën Urën e Ibrit.

Në orët e pasdites, ura e mbi lumin Ibër në Mitrovicë i është nënshtruar testimeve dhe inspektimeve teknike. Krahas kësaj, janë testuar edhe strukturat përreth urës, me qëllim vlerësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së saj.

Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës nuk ishte informuar për këtë testim.

Zëvendësministri në detyrë, Hysen Durmishi, ka thënë se ministria ka kryer testimet vitin e kaluar dhe se për testimin e së martës nuk kanë qenë të informuar.

 “Jo zyrtarisht kemi informacion se një kompani e kontraktuar nga Zyra e BE-së i ka kryer këto testime. Ne nuk kemi pasur asnjë njoftim se sot do të ndodh sot. Ne si ministri i kemi përfunduar testimet vitin e kaluar. I kemi marrë raportet me rezultate, ura është stabile për çfarëdo lloj ngakese që mund të kalojë mbi urë. Me siguri se këto testime po kryhen për t’i verifikuar të gjeturat tona”, ka deklaruar Durmishi.

Rreth hapjes së urës së Ibrit, ka pasur deklarata vitin e kaluar nga autoritetet e qeverisë shtetërore në Kosovë, madje matjet e inspektimet e bëra vitin e kaluar ishin në kohën kur pretendimet për hapjen e mundshme të urës ishin shtuar.

Ura e Ibrit vazhdon të jetë e mbyllur, por testimet e BE-së a mund të jenë sinjal për një hapje të saj?

Kushtet e përmbushura?

Analisti Blerim Burjani, thotë se është e pakuptimtë mbajtja e kësaj ure të mbyllur për qarkullim.

Burjani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se kushtet për hapjen e saj janë përmbushur.

 “Gjendja është stabile dhe nuk ka asnjë lloj tensioni. Prandaj, nuk ka asnjë arsye që ura të mos jetë e qarkullueshme për automjetet. Deri më tani, ka qenë e pakuptimtë mbajtja e kësaj ure të mbyllur për qarkullim.

Mendoj se kushtet për hapjen e saj janë përmbushur që para gjashtë muajsh. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar e ka mbajtur urën të mbyllur pa ndonjë arsye apo bazë të qëndrueshme”, deklaron Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai situatën e konsideron të pa kuptimtë, gjersa shton se qytetarët duhet të lëvizin lirshëm.

“Kjo situatë nuk ka më kuptim. Të gjithë qytetarët dhe komunitetet duhet të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në të gjithë territorin e Kosovës”, shton analisti.

Ura e Ibrit ishte bllokuar në vitin 1999, Mitrovica ishte ende një qytet i pandarë.

Ndarja në dy komuna u zyrtarizua në vitin 2013, kur u krijua Mitrovica e Veriut si komunë e re.

Ndërkohë, në urën e Ibrit filluan të vendosen barrikada në vitin 2011. Kështu, rihapja e urës u bë çështje diskutimi në dialogun Kosovë- Serbi.

Tensione të mundshme?

I pyetur nëse hapja e urës mund të sjellë tensione të reja ndërkomunitare në Mitrovicë, nëse nuk paraprihet nga dialogu lokal dhe garanci sigurie, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë se mund të ndodh një gjë e tillë.

Sipas tij, nëse nuk ka një proces dialogu gjithëpërfshirës me përfaqësues të të dy komuniteteve, hapja mund të përcaktohet si vendim i njëanshëm.

Image
Drizan Shala

 “Po, hapja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pa një dialog paraprak lokal dhe garanci për siguri, mund të shkaktojë tensione të reja ndërkomunitare. Ja pse: Ura është shumë më tepër se një strukturë infrastrukturore – ajo është simbol i ndarjes dhe konfliktit të kaluar ndërmjet komuniteteve në Mitrovicë, veçanërisht ndërmjet shqiptarëve në jug dhe serbëve në veri të qytetit. Mungesa e konsensusit lokal! Nëse nuk ka një proces dialogu gjithëpërfshirës me përfaqësues të të dy komuniteteve, hapja mund të perceptohet si vendim i njëanshëm, duke nxitur ndjenja mosbesimi apo kundërshti publike, sidomos nga banorët që e shohin ndryshimin si rrezik për sigurinë apo identitetin e tyre”, deklaron Shala.

Sipas tij, pa masa të qarta sigurie ekziston rreziku i protestave, konfrontimeve fizike apo ndërhyrjes së aktorëve ekstremistë.

 “Rreziku për përplasje fizike ose incidente! Pa masa të qarta sigurie – për shembull prani të mjaftueshme të policisë shumetnike, mekanizma reagimi të shpejtë dhe komunikim të hapur me komunitetin – ekziston rreziku i protestave, konfrontimeve fizike, apo ndërhyrjes së aktorëve ekstremistë. Ndikimi i faktorëve të jashtëm! Palë të treta (brenda apo jashtë Kosovës) mund të përpiqen ta politizojnë apo instrumentalizojnë hapjen e urës për qëllime të veta, duke përhapur dezinformata apo duke shtuar tensionin etnik”, shton eksperti.

Ndërsa, duke folur rreth projektit të të dy urave të reja, ai përmend rreziqet kryesore.

 “Projekti i dy urave të reja mbi lumin Ibër nga Qeveria Kurti duhet parë në një kontekst më të gjerë të: -dështimit të integrimit funksional të Urës së Ibrit, që ka mbetur simbolikisht e hapur, por realisht jo funksionale për automjete,

-kufizimeve që vijnë nga marrëveshjet e Brukselit dhe moszbatimit të plotë të tyre nga Serbia,

-rrezikut të tensioneve ndërmjet komuniteteve në veri të Mitrovicës dhe përpjekjeve të qeverisë për të marrë kontroll efektiv institucional. Rreziqet kryesore

1. Përkeqësim i marrëdhënieve ndëretnike

Ndërtimi i dy urave të reja mund të perceptohet nga serbët lokalë si një akt anashkalimi i marrëveshjeve ekzistuese, duke nxitur protesta, bllokada ose akte sabotuese.

2. Reagim negativ nga Serbia dhe rrjetet e saj hibride

Kjo mund të shfrytëzohet nga strukturat paralele dhe nga Qendra Operative Serbe në veri si pretekst për propagandë dhe aktivitete destabilizuese

ORID, CSINO, KOVSS mund të aktivizojnë rrjetet lokale në Zveçan, Leposaviq e Mitrovicë të Veriut”, pohon Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat