Zogaj: “Bota sot” ishte zëri më i fuqishëm në hapësirat gjithëkombëtare shqiptare

Politika

Zogaj: “Bota sot” ishte zëri më i fuqishëm në hapësirat gjithëkombëtare shqiptare

Nga: P.R. Më: 26 qershor 2025 Në ora: 10:29
Skënder Zogaj

Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt, njëherësh edhe ish-redaktor në “Bota sot”, analisti dhe publicisti Skënder Zogaj, në 30-vjetorin e gazetës, e ka vlerësuar lartë rolin dhe ndikimin e “Bota sot” në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, “Bota sot” ishte zëri më i fuqishëm në hapësirat gjithëkombëtare shqiptare e më gjerë në kohën e okupimit dhe menjëherë pas luftës.

“Jubileu i 30-vjetorit të gazetës ‘Bota sot’ është një arritje shumë domethënëse për gazetarinë kosovare, sepse nënkupton kontributin e jashtëzakonshëm të kësaj gazete për informimin publik, në dimensionet më të larta të trajtimit të zhvillimeve të gjithmbarshme në Kosovë e për Kosovën në tri dekadat e kaluara! Me këtë rast unë do të theksoja etapën më kritike të Kosovës në kohë okupimi dhe menjëherë pas luftës, kur ‘Bota sot’ ishte zëri më i fuqishëm në hapësirat gjithëkombëtare shqiptare e më gjerë, dhe si e tillë kjo gazetë ka bërë shumë për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Si redaktori i saj për kulturë në vitet 1999–2000, me krenari e them: ‘Bota sot’ ka qenë diga më e fortë e informimit të mirëfilltë profesional dhe atdhetar, sepse gazetarët e saj kanë sakrifikuar edhe jetën për ta thënë të vërtetën”, shprehet Zogaj.

“Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti janë dy dëshmorët e fjalës së lirë, përkrah vuajtjeve të pashoqe të gazetarëve të tjerë të kësaj gazete, që janë provokuar, rrahur dhe kanë punuar nën kërcënimin e vazhdueshëm, së pari nga regjimi serb, e më vonë nga banditët e strukturave banditeske shqiptare, që e kanë zëvendësuar terrorin, mbase më keq se Serbia, sepse kanë bërë vëllavrasjen e bijve dhe bijave më të mira të Kosovës”, shton Zogaj.

Më tej, ai thotë se me vrasjen e gazetarëve të “Bota sot”, u plagos rëndë edhe liria dhe pavarësia e Kosovës.

“Me indinjatë, në 30-vjetorin e ‘Bota sot’, e them: kriminelët e kanë plagosur rëndë lirinë dhe pavarësinë, dhe janë fajtorët që Kosova edhe 26 vjet pas luftës nuk po mund ta kurorëzojë shtetësinë institucionale!!! E kam parasysh faktin se drejtësia ka dështuar, sepse nuk ka arritur të zbardhë vrasjet e gazetarëve eminentë si Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Ali Uka, Shefki Popova, etj., të cilët ishin dhe do të jenë gjithmonë krenaria e gazetarisë shqiptare. Vrasjet e tyre janë të pazbardhura”, deklaron Zogaj, i cili kërkon që “Bota sot” të ngrejë edhe më shumë zërin në kërkesën për zbardhjen e vrasjeve të ish-gazetarëve të saj.

“‘Bota sot’ është e vërtetë se dikur, për këto vrasje ka ngritur zërin fuqishëm, por me kohë ky angazhim është zbehur, sepse gjithçka është rrudhur dhe vrasjet kujtohen vetëm me rastin e përvjetorëve, me përkujtime sipërfaqësore, e jo me ndonjë aksion të fuqishëm përkushtimor, që drejtësia të vihet para kërkesave konkrete duke ofruar dëshmi për vrasjet”, thekson mes tjerash Skënder Zogaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat