Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të aktivizohet serish për zgjidhjen e ngërçit politik.
Presidentja nesër do të takojë liderët e partive politike me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit dhe tejkalimin e krizës politike.
Ndryshe nga hera e fundit, mediat kanë mësuar se kësaj radhe presidentja Osmani liderët do t`i takojë në mënyrë individuale.
Ajo do të bisedojë sy me sy me kryetarët e partive politike për gjetjen e një zgjidhje.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur politologu Albinot Maloku.
Politologu kritikon presidenten Vjosa Osmani-Sadriu për mungesën e angazhimit të saj në zgjidhjen e krizës politike të brendshme, ndonëse kishte premtuar ndërmjetësim dhe dialog me partitë politike.
Maloku thekson se në vend të kësaj, ajo i ka dhënë prioritet udhëtimeve ndërkombëtare, duke lënë pas dore situatën politike në vend.
“Kur ndodhi takimi i parë mes presidentes Vjosa Osmani-Sadriu dhe krerëve të subjekteve politike, u krijua përshtypja se ajo mund të shërbente si një ndërlidhëse e raporteve politike mes partive, por edhe si faktor në zgjidhjen e situatës politike në vend. Kjo nuk ndodhi! U dha gjithashtu një premtim nga ana e presidentes se do të takonte, një nga një, krerët e subjekteve politike për të gjetur një rrugë kompromisi që do të prodhonte atë që është e domosdoshme – marrëveshjen politike. As kjo nuk ndodhi! Përkundrazi, presidentja Osmani-Sadriu vazhdoi angazhimet e saj në udhëtime ndërkombëtare, sikur çdo gjë është në rregull brenda vendit të saj”, u shpreh ai.
Politologu thekson se presidentja Osmani-Sadriu, si autoriteti më i lartë kushtetues, duhet të marrë një rol aktiv dhe vendimtar në këtë moment kritik për vendin.
“Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu është aktualisht figura e vetme me kompetenca të plota kushtetuese dhe politike në vend, prandaj është e domosdoshme që ajo të japë kontributin e saj, pikërisht tani kur vendi ka nevojë për një rol të qartë dhe vendimtar”, thekson ai.
Ndër të tjera Maloku kritikon paaftësinë e partisë fituese për të kuptuar Kushtetutën dhe thekson se takimet e përgjithshme politike janë bërë të pakuptimta dhe takimet e ndara mund të sjellin zgjidhje për vendin.
“Takimet mes krerëve të të gjitha subjekteve politike tashmë kanë humbur kuptimin, sidomos pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku subjekti i parë pas procesit zgjedhor, që ka edhe përgjegjësinë edhe privilegjin për formimin e institucioneve të reja, nuk di të lexojë tekstin jashtëzakonisht të qartë të Kushtetutës. Presidentja e vendit nuk duhet ta interpretojë pozicionin gjithëpërfshirës dhe neutral si mungesë qëndrimi edhe nëse ky qëndrim mund të mos i përshtatet ndonjërës palë. Ajo mirë që do t’i takojë krerët veç e veç, pasi kështu do të përpiqet t’i kuptojë të gjitha palët dhe të dalë me një qëndrim të qartë, një qëndrim që të mund të lexohet siç duhet, veçanërisht nga subjekti i parë pas zgjedhjeve”, përfundoi Maloku për “Bota sot”.