1 Korriku shënon datën e mbylljes së misionit historik USAID, pas gjashtë dekadash shërbim global.
Duke kujtuar tmerret e spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, theksoi rëndësinë e ndihmës që SHBA dhe veçanërisht USAID-i i kanë dhënë popullit të Kosovës për të kapërcyer plagët e së kaluarës.
Ai vlerësoi përkushtimin për ta ndihmuar Kosovën të rimëkëmbet nga errësira dhe dhimbja e luftës.
”Dua të shpreh solidaritetin dhe mirënjohjen time për të gjithë kolegët, veçanërisht ata nga USAID-i, për gjithçka që kanë bërë për këtë komb, sidomos në një vend si Kosova, popullin e të cilit e kemi ndihmuar të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit të ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviqit, dhe për të ndërtuar një shoqëri funksionale, demokratike dhe të suksesshme”, ka thënë Hovenier.
Derisa vet Hovenier shprehu mirënjohje dhe solidaritet të veçantë për të gjithë kolegët e USAID-it, duke nënvizuar rolin e tyre vendimtar në ndërtimin e një shoqërie funksionale, demokratike dhe të suksesshme në Kosovë, si dëshmi e vlerave dhe miqësisë së palëkundur amerikane.
Ish- ambasadori Avni Arifi, thotë se USAID ka qenë emër ku është idendifikuar liria, por edhe shtetndertimi.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Arifi u shprehet se trashëgimia e USAID do të jetojë gjatë.
“Në këto 26 vite, emri i USAID për qytetarët e Kosovës ka qenë emër me të cilin është identifikuar liria, por edhe shtetndërtimi. Mbyllja e misionit të USAID tashmë është fakt, por trashëgimia e USAID do të jetojë gjatë në memorien dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës, ku USAID ka bërë punë të jashtëzakonshme”, shprehet Arifi.
Ai thotë se SHBA do të vazhdojë të ndimojë Kosovën edhe pas USAID.
“ Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për ata burra e gra që për kohë shumë të gjatë na kanë qëndruar pranë dhe na kanë ndihmuar. Besoj se pas USAID, SHBA do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën, por sigurisht në modalitete të tjera që do të vendosen nga administrata aktuale”, deklaroi ish- ambasadori.
Administrata Trump ka ngrirë dhe më pas ka shkurtuar miliarda dollarë ndihmë të huaj që nga marrja e detyrës, duke thënë se dëshiron të sigurojë që paratë e taksapaguesve amerikanë të shkojnë vetëm në programe që janë në përputhje me politikat “Amerika e Para” të Trump. Shkurtimet kanë mbyllur në mënyrë efektive USAID-in, duke çuar në pushimin nga puna të mijëra punonjësve dhe kontraktorëve të tij. Kjo rrezikoi shpërndarjen e ushqimit dhe ndihmës mjekësore që shpëton jetë dhe i ka futur operacionet globale të ndihmës humanitare në kaos.
Sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore The Lancet, shkurtimet e thella të financimit për USAID-in dhe çmontimi i tij mund të rezultojnë në më shumë se 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030. Ekspertët dhe avokatët e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar kundër shkurtimeve. Financimi i USAID-it ka pasur një rol vendimtar në përmirësimin e shëndetit global, kryesisht të drejtuar drejt vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, veçanërisht vendeve afrikane, sipas studimit.
USAID u themelua në vitin 1961 nga Presidenti Demokrat John F. Kennedy në kulmin e Luftës së Ftohtë me qëllim koordinimin më të mirë të ndihmës së huaj, tashmë një platformë kyçe e politikës së jashtme të SHBA-së në kundërshtimin e ndikimit sovjetik.