Kuvendi i bllokuar, shteti i penguar - Si po e dëmtohet imazhi ndërkombëtar i Kosovës

Politika

Kuvendi i bllokuar, shteti i penguar - Si po e dëmtohet imazhi ndërkombëtar i Kosovës

Nga: A.M. Më: 8 korrik 2025 Në ora: 14:02
Kuvendi i Kosovës

Kosova po e vazhdon ngërçin e saj politik tash e sa muaj.

Mirëpo, kjo bllokadë e krijuar përveç aspektit politik, po ndikon edhe në aspektin ep diplomacisë dhe synimeve për anëtarësim në organizata botërore.

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.

Fillimisht, ai tha se kjo gjendje po e dëmton Kosovën dhe mundësitë e saj si një partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare.

Madje, përveç kësaj, konsideron se kriza e krijuar po minon vetë themelet e demokracisë funksionale.

Image
Mirsad Voca.

“Bllokada institucionale që po ndodh në Kosovë nuk është vetëm një çështje e brendshme procedurale. Për më tepër, ajo po i dëmton seriozisht kapacitetet shtetërore të vendit për të vepruar si një partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare. Mosfunksionimi i Kuvendit e vendos ne pikëpyetje stabilitetin e brendshëm dhe dërgon sinjale të pasigurta tek partnerët ndërkombëtarë, te cilët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj funksionalitetit institucional kur bëhet fjalë për pranimin e vendeve të reja në organizata ndërkombëtare.

Opozita, duke refuzuar zbatimin e procedurës për votimin e komisionit sipas Rregullores së Kuvendit, po e shkel praktikisht Kushtetutën dhe po mban peng konstituimin e Kuvendit, duke dëmtuar rendin demokratik dhe funksionimin institucional të shtetit. Kjo nuk është vetëm nje krizë politike mirëpo është një krizë e shtetit administrativ që minon vetë themelet e demokracisë funksionale”, nënvizoi njohësi i Integrimeve Evropiane.

Në këtë pikë, Voca përmendi edhe anëtarësimin në KiE dhe organizata të tjera, e që si proces kërkon dëshmi të një shteti që për bazë ka parimet demokratike.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës (KiE), por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, kërkon jo vetëm përmbushje të kritereve ligjore dhe të të drejtave te njeriut, por edhe dëshmi të qarta të një shteti që funksionon sipas parimeve demokratike dhe të sundimit të ligjit. Kur Kuvendi nuk arrin të konstituohet për shkak të bllokadave politike, mesazhi që përcillet është i kundërt me këtë pritshmëri”.

Tutje, sa i përket diplomacisë, tha se ngërrci po e penalizon procesin e intergrimeve ndërkombatëre dhe si e tillë kjo situatë duhet të zgjidhet sa më parë.

“Në aspektin diplomatik, Kosova humbet kohë, besim dhe pozicionim strategjik. Ngërçi institucional e penalizon vendin në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit ndërkombëtar dhe përforcon narrativat e kundërshtarëve të shtetësisë së Kosovës që pretendojnë se institucionet tona janë të brishta e jofunksionale.

Për këtë arsye, dalja nga kriza dhe funksionalizimi i Kuvendit nuk janë vetëm çështje të rendit të ditës por janë një domosdoshmëri kombëtare për të ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të mos humbur momente të rëndësishme për avancimin e shtetësisë sonë në skenën globale”.

Në fund, Voca bëri thirrje për konstituim të Kuvendit sa më parë të jetë e mundur dhe që partitë politike të gjejnë gjuhë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.

“Të gjithë aktorët politikë duhet të distancohen nga gjuha polarizuese dhe të angazhohen për dialog institucional pa kushte. Konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë në përputhje me procedurat dhe rregulloren, jo mbi baza interpretuese ose partiake. Kushtetuta dhe rregullat japin zgjidhje të qarta, detyra e përfaqësuesve është t’i respektojnë ato, jo t’i përdorin për të thelluar krizën”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat