Policia e Kosovës bëri të ditur se në orët e paradites të datës 05.07.2025 është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në Kuvendin e Kosovës. Kjo ka ndodhur gjatë kohës që ishte planifikuar të mbahej seanca e 42-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Pas njoftimit, deputetët janë evakuuar nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi ka deklaruar se në bazë të kontrollit del që kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës ka qenë i rrejshëm.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kërcënimet për një mjet shpërthyes në Kuvendin e Kosovës, dyshohet se kanë ardhur përmes një numri të telefonit, i cili dyshohet se është nga Serbia.
“Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia” – thuhet në njoftim.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fidair Berisha.
Eksperti i sigurisë thekson se kërcënimi me bombë në Kuvend ishte pjesë e një fushate të sulmeve hibride nga Serbia, që synojnë destabilizimin e Kosovës përmes mjeteve të ndryshme si propaganda, dezinformimi dhe sulmet kibernetike.
Ai vlerëson reagimin profesional të institucioneve të sigurisë dhe paralajmëron se këto veprime do të vazhdojnë derisa të arrihet një zgjidhje politike mes dy shteteve.
“Të shtunën kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës që detyroi evakuimin e deputetëve dhe mos mbajtjen e mbledhjes sё Kuvendit ishte vazhdimёsi e sulmeve hibride te radhёs nga shteti Serb. Mirёpo institucionet e sigurisё në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar të sigurisë, u dёshmuan pёr profesionalizmin e tyre ,ato arriten shumё shpejt për të lokalizuar mjetet, rrjetet e komunikimit që janë përdoruar në këtë kërcënim.Fatmirsisht u vertetua se kёrcёnimi ishte i rrejshёm dhe pa pasoja.
Shteti i Serbisё nё vazhdimёsi me veprimet e saj tenton tё kanosё Kosovёn, gjithnjё duke pёrdor sulme tashmё tё njohura si propagandёn, dezinformimin, spiunazhin ,sabotazhin e sulmet kibernetike. Mendoj se krejt kjo ndodh pёr shkakun kryesor e qё ka gjasa se do tё vazhdoj edhe mё tutje deri nё arritjen e njё zhgjidhje tё qёndrushme politike nё mes tё dy shteteve.Kërcënimet hibride nga Serbia ngerthejnё nё vete taktika dhe asimetri dinake shumë të sofistikuar,krejt kёto me qёllim të pёrshkallzimit tё situatёs sё sigurisё nё Republikёn e Kosovёs. Lufta hibride nga ana e Serbisё përfshin veprime të koordinuara dhe tё rrezikshme me theks tё veҫantё në sferën politike, ekonomike, ushtarake e të informacionit”, u shpreh ai.
Eksperti i sigurisë thekson se Serbia po zhvillon një luftë hibride ndaj Kosovës përmes investimeve në armatim, sulmeve kibernetike, propagandës dhe akteve subversive që synojnë destabilizimin e vendit.
Ndër të tjera ai apelon për vigjilencë dhe përgatitje të institucioneve të sigurisë së Kosovës, duke paralajmëruar se pasojat e mosveprimit mund të jenë serioze.
“Kohёve tё fundit ka të dhëna se Serbia ka bёrё investime tё mёdha nё sferën e armatimit, atëherë nuk bёnё tё neglizhohet fakti se investimet edhe nё kёtё fushё poashtu mund tё jen tё mёdha.Po flasim për sulme kibernetike, aktivitete subversive në internet, lajme të rreme, fushata propagandistike, nxitje të ekstremizmit dhe tensioneve të brendshme, sabotazh, sulme ndaj infrastrukturës kritike,thёnё shkurt sfida e tanishme dhe e radhёs pёr Republikёn e Kosovёs do jet lufta hibride.
Duke marr parasysh se shteti i Kosovës po kontestohet nga Serbia , dhe jemi deshmitar pёr kërcënimet e vazhdueshme për përdorimin e forcave ushtarake në Kosovë, pastaj diplomacinё e jashtme tё Serbisë kundёr njohjës së Republikës të Kosovës nga shtetet tjera,ndёrsa sё fundmi patёm sulёm terrorist nё infrastrukturёn kritike krejt kёto hyjnё në kuadёr të luftës hibride e cila po zhvillohet nё vazhdimёsi ,andaj mu për këtë kёrkohet vigjilencё e madhe nga organet përkatëse të sigurisё sё Kosovës, fillimisht në parandalimin dhe vlerësimin e rrezikut sepse pasojat mund të jen shumё tё mёdha”, përfundoi Berisha për “Bota sot”.